E përditësuar/ Kanë mbërritur në vendin tonë mbremjen e sotme 1170 doza nga kompania Pfizer.
“Pfizer lëvron dozat e para që janë 1170 doza. Ndërkohë zotimi i marrë nga Pfizer është se brenda muajit, nuk po jap data se u bë histori ndryshimesh do të vijnë dhe dozat e angazhuara, qoftë 10700 apo të 30 mijë të tjera”.
Nga marrëveshja me COVAX nuk ka asnjë sinjal qartësie, tha Rama, ndërsa shtoi se marrëveshjen me Pfizer e ka arritur vetëm Shqipëria dhe Serbia.
“Ne kemi filluar vaksinimin me doza që kanë ardhur dhuratë nga një vend mik i BE-së, emrin e të cilit ende nuk mund t’ua komunikojë, ndërkohë që kemi kontratën e drejtpërdrejtë me Pfixer, ne Shqipëria dhe përveç nesh dhe Serbia, vendet e tjera sic po e ndiqni janë ende në një situatë pritshmërie në kushtet kur vaksina po komplikohet gjithnjë e më shumë dhe kur për këtë çështje Europa ka hyrë në një kaos, me jo vetëm BE, por edhe vende të tjera të mëdha që kërcënojnë me ndjekje në rrugë ligjore. I them për të mos harruar që sidoqoftë ne jemi në kushtet kur procesi i vaksinimit e kemi garantuar dhe do ta vazhdojmë falë faktit që nuk e lamë veten në dorë të të tjerëve, nuk pritëm COVAX, është ende në një proces që nuk duket se ku e ka fillimin. Jemi në kontakt, të vazhdueshëm, por edhe ata nuk janë të qartë dhe nuk japin një sinjal qartësie”.
Rama tha se nga dozat e siguruar nuk mund t’i dhurojë, por Kosova mund të sjellë 50 mjekë të bëjnë vaksinimin me dy doza në Tiranë.
“Nuk e kam harruar që kemi marrë një zotim për të ndihmuar Kosovën por dua të sqaroj që rregullat tejet strikte dhe kufizimet e forta që kompania Pfizer ka vendosur, siç ka bërë që ne të mbetemi strikt për mbajtjen e origjinës nga erdhën, e bën të pamundur që ne të dhurojmë doza vaksinash. Nuk e bëjnë të pamundur që ne të bëjmë vaksinimin e mjekëve të spitaleve COVID të Prishtinës. I kam kërkuar ministres së shëndetësisë për të komunikuar me homologun. Ne jemi të gatshëm të presim 50 bluza të bardha nga Prishtina për të dyja dozat”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.