Bashkimi Europian do t’i jep Kosovës rreth 500 milionë euro deri në vitin 2020. Kjo është bërë e ditur gjatë prezantimit të mbështetjes që do t’i jepet Ministrisë së Financave për procesin e decentralizimit fiskal, si një proces i rëndësishëm në rrugën para anëtarësimit në BE . Ministri i Financave Besim Beçaj tha se janë marrë obligime që ky program të jetë prezent edhe në Kosovë që nga janari i vitit 2015. Një fushë e rëndësishme sipas ministrit Beçaj është përmirësimi i decentralizimit fiskal në Kosovë. “Niveli komunal ka një decentralizim por sigurisht që ky harmonizim dhe kjo përkrahje përmes këtij projekti do të na mundësojë që ne të shohim shumë më mirë menaxhimin e llogaritjes dhe menaxhimin e burimeve financiare”, tha ai. Lansimi i këtij projekti është mjaft i rëndësishëm për fazën në të cilën gjendet Kosova, tha me këtë rast përfaqësuesja e zyrës së BE-së në Kosovë, Albina Dureku-Nura. Ajo bëri të ditur se BE do t’i jep Kosovës në periudhën prej tash deri në vitin 2020, rreth 500 milionë euro. “Edhe ky projekt është vetëm njëra nga pjesët e vogla të projekteve të cilat BE do të investojë në Kosovë me qëllim që Kosova të jetë e gatshme të ballafaqohet me sfidat në rrugën tonë drejt BE-së”, tha Dureku-Nura. Elementi i ri i këtij projekti është programi ekonomik fiskal që është njëri ndër kriteret që kërkohet prej shteteve në rrugën para anëtarësimit dhe ky program është i rëndësishëm për arsye se do ta ndihmojë Kosovën që të jetë pjesë e Unionit Monetar në të ardhmen.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.