Gjermania ka alokuar një fond shtesë prej 10.5 milionë eurosh për bashkëpunimin ekonomik dhe teknik mes dy vendeve për periudhën 2020-2021, në mbështetje të Shqipërisë së prekur nga pandemia e COVID-19.
Fondi është i përqendruar veçanërisht në mbështetjen ndaj SME-ve, zhvillimit dhe promovimit të tyre, por edhe zonave rurale dhe arsimit profesional. Këtë deklaroi ambasadori gjerman Peter Zingraf, gjatë takimit me ministren e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj, ku u diskutua mbi intensifikimin e bashkëpunimit shqiptaro – gjerman gjatë vitit 2020.
“Rritja e angazhimit dhe mbështetja në situatat e tërmetit dhe pandemisë janë dëshmi e bashkëpunimit të fortë dypalësh/ Prioritetet e përbashkëta dhe orientimi i punës së Qeverisë dhe partnerëve gjermanë në sektorët më me peshë në ekonomi dhe në jetën e qytetarëve kanë qenë kyç në bashkëpunimin e vazhduar.” theksoi Ministrja Denaj.
Denaj, nga ana e saj, informoi Ambasadorin dhe përfaqësuesit e Ambasadës Gjermane për vendimet e fundit të qeverisë mbi programet e punësimit dhe nxitjen e riintegrimit në tregun e punës të qytetarëve të larguar, si pasojë e COVID-19 dhe mbi nismat fiskale në mbështetje të sektorit privat, me fokus biznesin e vogël. Ajo solli në vëmendje përpjekjet dhe angazhimin e Qeverisë dhe të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për mbarëvajtjen e financave publike, pavarësisht situatave të krijuara nga tërmeti dhe pandemia.
Ministrja Denaj dhe Ambasadori Zingraf diskutuan edhe mbi klimën e biznesit dhe nevojën e përhershme të dialogut publik-privat.
Denaj shprehu gatishmërinë e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për të trajtuar çdo sugjerim të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë në vend, dhe për çdo propozim të mëtejshëm në raport me rritjen e investimeve të huaja direkte në vend.
Së fundmi, palët vlerësuan ecurinë e reformave që po ndërmerren në kuadër të integrimit të Shqipërisë në BE edhe gjatë Presidencës së Gjermanisë në Këshillin e Bashkimit Europian.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.