Përfundon afati për të marrë kartën e naftës falas, ku mbi 20 mijë fermerë aplikuan nga e gjithë Shqipëria.
“Në vetëm 75 ditë që nga data e çeljes së aplikimeve e deri në mbylljen e tyre, si asnjëherë tjetër 20 mijë e 561 fermerë, aplikuan për t’u bërë pjesë e skemës mbështetëse për karburantin”, shkruan në postimin e saj në facebook, Drejtoresha e përgjithshme e AKSHI-t, Linda Karçanaj.
Skema Kombëtare Mbështetëse me Karburant u shtri në të gjithë vendin, në datat 15 janar-31 mars.
Për herë të parë, fermerët patën mundësi të aplikonin online nga kompjuteri i shtëpisë apo smartfoni i tyre deri në fshatin më të largët të Shqipërisë, pa asnjë burokraci, duke u dhënë një mundësi të gjithëve, të bëheshin pjesë e një prej skemave, që mbështesin direkt bujqësinë.
Në platformën e-Albania kanë nisur gjithashtu aplikimet për një skemë që ka përsëri në fokus fermerët.
Skema Kombëtare të Mbështetjes për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural u jep mundësi të gjithë fermerëve të aplikojnë online në e-Albania për të përfituar direkt nga mbështetja financiare e Qeverisë Shqiptare. Aplikimet nisën në datën 24 mars dhe përfundojnë më 15 prill, si një hapësirë e re që falë teknologjisë do të jetë gjithëpërfshirëse, duke rritur prodhimin vendas dhe formalizuar tregun.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.