Të paktën katër procedurë që parashikojnë ndërhyrjet në disa fshatra me potencial turizmi janë ankimuar në Komisionin e Prokurimit Publik.
Bëhet fjalë për procedura të hapura pak kohë më parë nga ana e Fondit Shqiptar të Zhvillimit si pjesë e një projekti më vete dhe ku për secilin prej procedurave është parashikuar një fond limit 187.5 milionë lekë. Procedurat në fjalë janë në pjesë të ndryshme të vendit dhe disa fshatra janë pjesë e listës 100 fshatra të nisur si nismë pak vite me parë.
Procedura e parë e ankimuar është “Ndërhyrja Rigjenerimi Urban në Fshtra me potencial Turistik (Qytezë, Arrëz, Sinicë, Rehovë, Leus, Sotirë” me një fond limit 187.5 milionë lekë.
Procedura e dytë është ajo për ndërhyrja Rigjenerim Urban në Fshatra me potencial Turistik (Fushë-Studën, Sutaj, Seferan).
Procedura e tretë “Ndërhyrja rigjenerimi urban në fshatra me potencial turistik (Vermosh, Lëpushë, Curraj i Epërm, Shishtavec, Radomir dhe Rabdish” ku edhe në këtë rast fondi limit i procedurës ka qenë 187.5 milionë lekë.
Procedura e katërt është “Ndërhyrja Rigjenerimi Urban në Fshatra me potencial Turistik (Hekal, Klos, Vajze, Plloçë, Tragjas, Kuç”.
Në total fondi limit për të katër procedurat llogaritet në 750 milionë lekë apo mbi 6.1 milionë euro. Tenderët u hapën në fund të qershorit dhe paraqitja e ofertave ishte parashikuar në datën 17 korrik. Tashmë që ankimimi nga një operator ka mbërritur në KPP për të katërta procedurat do të thotë se ka kaluar fazën e parë të ankimimit në autoritetin kontraktor.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit njoftoi në fillim të qershorit zbatimin e dy projekteve të tjera ku parashikohej që përmes tyre të riparohen shtresat asfaltike të rrugëve në zonat që ishin në listën e 100 fshatrave si dhe të përmirësohen fasadat në disa zona urbane.
Procedurat që u hapën në atë kohë kishin një fond limit të parashikuar prej 1.6 miliardë lekë apo rreth 13 milionë euro./N.Maho
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.