Pas shpërthimit të krizës financiare, Bashkimi Europian nisi një shtrëngim të kuadrit rregullator për bankat dhe veçanërisht adoptoi një qasje më konservatore në vlerësimin e aktiveve që këto grupe bankare kishin jashtë Eurozonës.
Vlerësimi i aktiveve janë Eurozonës me koeficientë më të lartë rreziku u përkthye në kërkesa më të larta kapitalizimi për grupet dhe ishte një ndër faktorët përcaktues që solli largimin e disa prej grupeve të rëndëësishem bankare europiane prej shumë tregjeve të Europës Lindore.
Një tendencë e tillë e largimit të grupeve bankare europiane preku pjesërisht edhe tregun shqiptar. Kuadri rregullator parashikon që aktivet e grupeve bankare të BE në vendet jashtë hapësirës komunitare do të trajtohen në këtë mënyrë, deri në momentin kur për secilin treg së të jetë certifikuar ekuivalenca e plotë e mbikëqyrjes me kuadrin e BE-së. Për Shqipërinë ky certifikim nuk është kryer ende dhe në fillim të vitit 2022, BSH-ja ka kërkuar nga Komisioni Europian të konsiderojë vlerësimin e ekuivalencës për Shqipërinë, sipas Rregullores Evropiane nr. 575/2015.
Megjithatë, vitin e kaluar Banka e Shqipërisë ka kryer një vlerësimi të pavarur të ekuivalencës së kuadrit mbikëqyrës dhe rregullativ, sipas metodologjisë së publikuar nga Autoriteti Bankar Europian (EBA). Ky vlerësim ka si qëllim të sigurojë një bashkëpunimin efektiv ndërkufitar nën një qasje prudente ndërmjet institucioneve financiare evropiane dhe atyre në vende të treta (jashtë BE-së), për sa kohë këto të fundit synojnë aderimin e plotë në BE dhe adoptimin e standardeve të njëjta me standardet në fuqi në vendet anëtare. Për rrjedhojë, njohja dhe ekuivalentimi i kuadrit rregullativ mbikëqyrës siguron avantazhe të përbashkëta jo vetëm për institucionet bankare e financiare që veprojnë në BE, por edhe për institucionet bankare e financiare në vende të tjera jashtë saj.
Gjatë vitit 2021, me asistencën teknike të Bankës Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim (EBRD) dhe PricewaterhouseCooper (PwC), u krye një vlerësim i pavarur i kuadrit mbikëqyrës aktual nën një qasje gjithëpërfshirëse, duke u mbështetur në metodologjinë dhe pyetësorin e hartuar nga EBA për këtë qëllim. Kjo analizë, e cila përfundoi në dhjetor të vitit 2021, doli në përfundimin se kuadri rregullativ e procedurial, si dhe praktikat mbikëqyrëse, janë në një nivel të lartë ekuivalente dhe të përafruara me standardet e aplikueshme në vendet e BE-së. Ky përafrim vlerësohet veçanërisht i lartë në drejtim të kërkesave për kapital, teknikave të zbutjes të aplikuara, ekspozimeve të mëdha, të likuiditetit, levës financiare, të mbikëqyrjes makro-prudenciale, sekretit profesional dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
Ceritifikimi i ekuivalencës së mbikëqyrjes në teori mund ta bëjë më tërheqës tregun shqiptar për investime të reja nga grupet bankare të Eurozonës, por mund të ndikojë pozitivisht edhe strategjitë e biznesit të grupeve bankare ekzistuese në treg.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.