Shteti i Kosovës në korrik të këtij viti ka shënuar deficit më të ulët tregtar në krahasim me korrikun e vitit 2019. Të dhënat nga Tregtia e Jashtme e Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të ulët për (-11.0%), gjegjësisht në vlerë prej 263.7 milionë Eurosh, krahasuar me deficitin prej 296.4 milionë Eurosh, sa ishte në vitin 2019.
Kosova arriti të eksportojë mallra në korrik të vitit 2020 në vlerë 42.6 milionë euro, kurse importoi 306.3 milionë euro, sipas të dhënave të ASK.
Sipas këtyre shifrave, eksporti ka shënuar rritje për 5.4%, kurse importi për 9.1% në krahasim me korrikun e vitit të kaluar.
Eksporti i mallrave në muajin korrik 2020 kishte vlerën 42.6 milionë Euro, ndërsa importi 306.3 milionë Euro, që është një rritje prej 5.4% për eksport dhe një rënie prej (-9.1%) për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019”, thuhet në raportin e ASK.
Agjencia e Statistikave ka treguar se korriku 2020 ishte me deficit më të ulët tregtar se korriku 2019.
“Të dhënat nga Tregtia e Jashtme e Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të ulët për (-11.0%) në muajin korrik 2020, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2019, gjegjësisht në vlerë prej 263.7 milionë Eurosh, krahasuar me deficitin prej 296.4 milionë Eurosh, sa ishte në vitin 2019. Eksporti mbulon importin me 13.9%.”.
Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 32.6% të eksporteve përbëhen nga metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 12.2% të eksporteve përbëhen nga plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 10.2% të eksporteve përbëhen nga artikujt e ndryshëm të prodhuar; 9.8% të eksporteve përbëhen nga ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 7.4% të eksporteve përbëhen nga produktet bimore; 4.8% të eksporteve përbëhen nga produktet minerale; 3.8% të eksporteve përbëhen nga tekstili dhe artikujt prej tij, etj.
Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 14.5% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 12.5% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 11.6% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 10.0% e përbëjnë produktet minerale; 9.0% e përbëjnë mjetet e transportit; 8.3% e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 6.9% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre, etj.
Kush importoi e kush eksportoi gjatë korrikut në Kosovë?
Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 18.6 milionë euro, ose rreth 43.8% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 43.7%. Partnerët kryesorë, sipas ASK për eksportin e mallrave në BE janë: Italia (12.4%), Gjermania (8.9%), Austria (6.0%), Holanda (3.8%), etj.
Kurse, importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 141.4 milionë euro, ose 46.2% e importeve të përgjithshme, me një rënie prej 13.3%. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (13.0%), Italia (5.8%), Greqia (4.0%), Polonia (3.1%), etj.
Në muajin korrik 2020, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 17.0 milionë Euro, ose 40.0% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 2.2%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s janë: Shqipëria (17.5%), Maqedonia (9.7%), Serbia (8.9%), dhe Mali i Zi (2.1%).
Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s, në muajin korrik 2020, arritën në 65.0 milionë Euro, ose 21.2% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 32.0%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Shqipëria (6.6%), Maqedonia (6.3%), dhe Serbia (6.2%).
Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 6.8 milionë Euro, ose 16.1%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmendet Zvicra (7.8%).
Kurse, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 99.8 milionë Euro, ose 32.6%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (13.2%) dhe Kina (9.6%).
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.