Ecuria relative e ekonomisëA është ekonomia në gjendje më të mirë apo më të keqe se 10 vjet më parë? “Indeksi i mizerjes” (që llogaritet si shumë e normave të papunësisë dhe të inflacionit) është ana tjetër e medaljes së gjendjes ekonomike. Sa më i lartë rezultati aq më e thellë mizerja ekonomike. Shpikësi i këtij indeksi është Arthur Okun, një ekonomist amerikan. Ai e ndërtoi këtë indeks menjëherë pas krizës së naftës së viteve 70, krizë e cila shkaktoi një rritje të menjëhershme si në papunësi edhe në inflacion. Xhimi Karter e popullarizoi indeksin e mizerjes gjatë fushatës së tij të suksesshme presidenciale në vitin 1976.Indeksi klasik i mizerjes e paraqet ekonominë amerikane në një gjendje mjaft të mirë, krahasuar si me disa dekada të kaluara ashtu edhe me ekonominë e pjesës më të madhe të Europës, e ngarkuar me norma më të larta papunësie. Nëse flasim për mizerje në Shqipëri sigurisht që mendja nga shkon drejtpërdrejt në shkallën e përhapur të varfërisë në vend, sidomos në faktin që 25% e popullsisë jeton me më pak se 2 dollarë amerikanë në ditë që përbën pragun e varfërisë absolute.Por në këtë rast ne do të trajtojmë indeksin e mizerjes në kuptimin që i ka dhënë këtij treguesi Arthur Okun, pra si shumë e normës së inflacionit dhe normës së papunësisë. Për periudhën 14-vjeçare të marrë në studim indeksi mesatar vjetor i mizerjes është 43.6. Niveli më i lartë është shënuar në vitin 1992 me 263.1 dhe më i ulëti në vitin 2004 me 16.6. Pra në rreth 14 vjet indeksi është reduktuar me rreth 240 pikë përqindjeje. Megjithatë, nëse nga kjo seri të dhënash ne përjashtojmë indekset e viteve 1992 dhe viteve 1997, atëherë rezulton se indeksi mesatar vjetor i mizerjes është 24.15.Për periudhën 14 vjeçare, 1992-2005 treguesi i mizerjes ka patur një tendencë të fortë në rënie si pasojë e reduktimit të të dy treguesve përbërës të tij. Kështu norma e papunësisë është reduktuar gradualisht nga rreth 27% në rreth 13-14%. Por ndikimin më të ndjeshëm e ka dhënë reduktimi i lartë i normës së inflacionit nga mbi 250% në vitin 1992 në rreth 3% në vitet e fundit. Vetëm në vitin 1997, si pasojë e çrregullimeve dhe situatës problematike, u devijua prej ekuilibrave makroekonomikë të vendosur. Për pasojë kemi rritje të indeksit të mizerjes. Pra në përgjithësi, qëndrueshmëria makroekonomike dhe rezultatet positive të arritura pasqyrohen edhe në tendencën rënëse të indeksit të mizerjes. Madje ekonomia shqiptare, nisur nga ky tregues, duket në një gjendje më të mirë se dy fqinjët Maqedoni dhe Serbi, por më keq se dy fqinjët e vet Itali dhe Greqi. Por kujdes! Mos e ngatërroni me varfërinë.Treguesit për Shqipërinë janë llogaritur nga “MONITOR”.Ekonomistët e Merrill Lynch kanë ndërtuar një indeks ndërkombëtar me më shumë elementë. Përveç papunësisë dhe inflacionit, në indeks shtohen normat e interesit dhe bilancet e llogarisë korente dhe të buxhetit, prej të cilave zbritet rritja e PBB-së (një gjë e mirë). Me fjalë të tjera ky indeks jo vetëm pasqyron sa e gëzueshme ndihet sot ekonomia, por, duke shtuar bilancet e llogarisë korente dhe të buxhetit, evidentohet edhe aftësia e vendit për të mbështetur gëzimin e tij. Për shembull një deficit buxhetor i lartë ndoshta do të thotë taksa më të larta në të ardhmen.Indeksi i ri në fakt mund ta ngrijë buzëqeshjen në fytyrat e harbuara amerikane. SHBA ka rezultatin më të lartë që do të thotë se ka ekonominë më të dobët midis ekonomive të mëdha të G7, si pasojë e deficiteve të supermëdha. Në të kundërt në vitet 90, përpara se të shpërthenin deficitet, indeksi për SHBA ishte një nga më të ulëtit. SHBA është i vetmi vend që ka përjetuar një rritje të lartë në indeksin e mizerjes në dekadën e kaluar. Në fakt të gjitha vendet e G7, përfshi Europën, kanë përjetuar përmirësime të ndjeshme.Ndërsa Japonia është kthyer në gjendjen e 1994. megjithatë, indeksi i mizerjes në Japoni është disi çorientues, meqenëse, në fakt, trajton deflacionin si një gjë të mirë jo të keqe. Ylli i shndritshëm që e meriton të buzëqeshë është Kanadaja. Në dekadën e kaluar Kanadaja ka përjetuar rënien më të madhe në indeksin e vet të mizerjes në krahasim me çdo ekonomi tjetër të G7. Është i vetmi vend që ka teprica si në llogarinë korente dhe buxhetore, në ndryshim për mirë nga fqinji i vet jugor.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.