Ekonomia e Rumanisë shënoi një normë rritjeje prej 7% në vitin 2017 krahasuar me një vit më parë, njëkohësisht edhe rritja më e madhe e 9 viteve të fundit
Sipas këtyre shifrave, Rumania është një prej shteteve që ka shënuar rritjen më të lartë ekonomike në Europë, madje edhe duke u konsideruar një kampione e vërtetë, por sipas disa analistëve situata shihet me shumë skepticizëm, sepse nga njëra anë kjo normë rritjeje bazohet në një konsum të fuqishëm dhe, nga ana tjetër, rritje ekonomike nuk do të thotë domosdoshmërisht edhe zhvillim më i madh.
Faktori kryesor i rritjes ishte konsumi privat, i mbështetur nga shkurtimet indirekte të taksave dhe rritjet e pagave si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat. Ndërsa investimet publike ranë ndjeshëm për të dytin vit radhazi, paralajmëroi Komisioni Europian duke vlerësuar se rritja e PBB-së parashikohet të ngadalësohet në 4.5% në 2018 dhe 4.0% në vitin 2019. Këto të dhëna janë të publikuara edhe në Parashikimin Ekonomik të Dimrit të Komisionit Europian dhe janë të ngjashme me ato të analizës së fundit nga Banka Botërore.
Dan Suciu, zëdhënësi i Bankës Kombëtare të Rumanisë, ka shpjeguar se rritja ekonomike e Rumanisë ishte në të vërtetë rezultat i një konsumi të qëndrueshëm. Ai tha se Rumania shënoi një prodhim industrial rekord, që sigurisht ishte një gjë e mirë, por niveli i lartë i konsumit nxiti rritjen e çmimeve dhe kjo është një e metë ekonomike që nuk mund të balancohet, thotë më tej Dan Suciu.
Sipas tij, rritja e pagave është një gjë e mirë, por duhet të rritet edhe produktiviteti, në mënyrë që të parandalohen ngritje të tilla artificiale.
Dan Suciu beson se, përveç konsumit dhe prodhimit industrial, investimet publike mund të jenë një motor i tretë i rëndësishëm i rritjes ekonomike. Në të vërtetë, ekonomia e Rumanisë ka potencial të madh për rritje, por nuk është kapitalizuar plotësisht, thotë më tej zëdhënësi i Bankës Kombëtare.
Fakti se konsumi ishte motori kryesor i rritjes ekonomike të Rumanisë pati efekte negative në deficitin tregtar, i cili u rrit me 30% në vitin 2017, u shpreh Guvernatori i Bankës Kombëtare të Rumanisë, Mugur Isaresku, pas prezantimit të raportit të fundit mbi inflacionin.
Sipas tij, ekonomia e Rumanisë është përballur me një sërë problemesh strukturore, midis të cilave edhe rritja e deficitit tregtar dhe ndërmarrja e një mase të rëndësishme në këtë drejtim do të ishte zhvillimi i tregut të brendshëm, sesa përqendrimi në rritjen e eksporteve, duke dhënë si shembull bujqësisë dhe industrinë ushqimore.
Analisti financiar, Aurelian Dochia, tha se për sa i përket plotësimit të nevojave të konsumit të rumunëve, ka disa sektorë ekonomikë që nuk korrespondojnë dhe nuk përmbushin në mënyrë të kënaqshme kërkesën. Shembulli më i mirë është industria bujqësore dhe ushqimore, sepse Rumania ka një potencial të madh për prodhim.
Një tjetër shembull konkret i përmendur nga Guvernatori ishte prodhimi i frutave, sidomos i mollëve. “Për fat të keq, edhe pse në shtetin tonë ka shumë zona që merren me kultivimin e një peme të tillë frutore, mollët rumune nuk arrijnë kurrë në raftet e supermarketeve, kryesisht për shkak të dështimit të prodhuesve për t’u organizuar siç duhet”.
Një tjetër problem strukturor i vënë në dukje nga guvernatori Mugur Isaresku lidhet me tensionin e akumuluar dhe mangësitë në tregun e punës.
Por cilat janë pasojat e kësaj situate?
Z. Dochia shprehet se “ne kemi qenë të pranishëm në një rritje të tensionit në tregun e punës, sepse kërkesa e kompanive nuk mund të plotësohet, si në aspektin e numrit të punëtorëve ashtu edhe të strukturës. Kjo padyshim ka ndikim negativ në kostot e fuqisë punëtore dhe në strukturën e prodhimit.
Ne nuk mund të presim të zhvillojmë ekonominë në sektorë me një vlerë të shtuar, si sektorë të caktuar të prodhimit industrial apo të industrisë së shërbimeve, pa pasur forcën e nevojshme të punës për këta sektorë. Nëse ne nuk arrijnë ta zgjidhim këtë problem, rrezikojmë të mbetemi në një zonë prodhimi të ekonomisë me një vlerë të vogël të shtuar, që do të thotë, një nivel zhvillimi dhe të ardhura për frymë shumë më të ulëta se niveli mesatar i BE-së.
Guvernatori Mugur Isaresku vuri në dukje se Rumania shënoi një nga rritjet më të shpejta të normës së inflacionit në Europë në gjysmën e dytë të vitit 2017, e cila u rrit nga 0.9% në 3.3% në vetëm 6 muaj.