Në Shqipëri numri i ndërmarrje me më shumë se 50 të punësuar përbën vetëm 1.1% të totalit. Në total, në Shqipëri kishte 1,148 biznese që kanë mbi 50 punonjës në vitin 2016, sipas të dhënave më të fundit të Anketës Strukturore të INSTAT.
Ato që dominojnë janë subjektet e vogla, që kanë më pak se 4 të punësuar, që përbëjnë 89% të totalit, ose gati 97 mijë biznese të vogla.
Bizneset me 4-9 të punësuar zënë 5.9% të totalit, apo rreth 6,351 ndërmarrje në total.
4.1% e ndërmarrjeve kanë 10-49 të punësuar në vend, ose në total 4,413.
Sipas INSTAT, gjatë 2016-s, nga vrojtimi i treguesve sipas madhësisë së ndërmarrjeve rezulton se ndërmarrjet me 50 e më shumë të punësuar përbënë 1,1 % të ndërmarrjeve aktive dhe realizuan 44,5 % të shitjeve neto. Këto ndërmarrje zunë 40,0 % të të punësuarve gjithsej dhe realizuan 47,3 % të investimeve. Ndërmarrjet me 1-4 të punësuar përbënë 89,0 % të ndërmarrjeve gjithsej. Në këto ndërmarrje u punësuan 32,7 % të të punësuarve gjithsej dhe u realizuan 15,2 % të shitjeve neto.
Nga rezultatet finale të Anketës Strukturore të Ndërmarrjeve vërehet se ndërmarrjet me 1-4 të punësuar kanë kontributin më të madh të shitjeve neto me +1,6 pikë përqindje, të ndjekura nga ndërmarrjet me 50 edhe më shumë të punësuar me +1,5 pikë përqindje në ndryshimin vjetor gjithsej të shitjeve neto.
Sektori i akomodimit dhe shërbimit ushqimor është i vetmi sektor ku ndërmarrjet me 1-4 të punësuar realizojnë përqindjen më të madhe të vlerës së shtuar (53,6%). Në sektorët e tjerë, ndërmarrjet me 50 dhe më shumë të punësuar realizojnë përqindjen më të madhe të vlerës së shtuar.
Dominanca e dobët e të vegjëlve
Shqipëria dominohet nga sipërmarrje të vogla, që kanë qenë zemra e ekonomisë, por që tani po vuajnë pasojat e rimodelimit të saj, si kalimi drejt subjekteve të mëdha (qendrave tregtare e supermarketeve), që po çojnë drejt mbylljes shumë prej tyre.
Pas viteve ‘90, e gjithë ekonomia shqiptare është e mbështetur te sipërmarrjet e vogla dhe vetëpunësimi. Hapja e një dyqani në lagje, me qira, apo në pronësi, ka qenë në vite një formë vetëpunësimi për pjesën më të madhe të shqiptarëve, që në mungesë të alternativave të tjera, i kanë dalë për zot vetes.
Treguesit për vetëpunësimin kanë qenë në rritje dhe kjo më tepër për shkak të formalizimit. Sipas sondazheve të zhvilluar nga Qendra e Kërkimit Monitor, kriza, konkurrenca e shtuar, gjobat, taksat e larta janë disa prej arsyeve që po zhysin (vetë)punësimin në krizë.
Nga rezultatet e sondazheve, 60% e bizneseve të anketuara mbi arsyet e mbylljes operonin në sektorin e tregtisë me pakicë (dyqane ushqimore apo të veshjeve) dhe në sektorin e shërbimit (bar-kafe). Nga 300 biznese shqiptare të anketuara, 62 prej tyre ishin bar-kafe, afërsisht 41% e totalit.
70% e bizneseve që mbyllen në Shqipëri japin si arsye kryesore krizën dhe 70% e bizneseve që kanë detyrime të pashlyera nuk kanë mundësi që t’i paguajnë ato.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Di une nje rast qe firma ka vetem nje punonjes megjithese ka kapital 3 milion usd, kapital ne natyre dhe paguan 5984 leke sigurime shoqerore ne VIT. Interesante apo jo?