Milan, humbje rekord, bilanc negativ 145 mln euro në 2019

17/10/2019 5:15 PM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Në llogaritë e Milan ndihen ende efektet negative të keqmenaxhimit të ish-pronarit kinez Yonghong Li (i cili ndërkohë është zhdukur nga qarkullimi dhe është nën hetim nga Prokuroria e Milanos). Por edhe pas blerjes së klubit të Milan nga Fondi Elliott (me drejtues Paul Singer), që e shpëtoi klubin nga falimentimi, dhe ardhjes së Ivan Gazidis – jo gjithçka shkon fjollë.

Sezoni bëhet edhe më zhgënjyes me mosarritjen e objektivave në Champions League dhe përjashtimin nga Europa League për shkak të financial fair play, duke i shtuar këtu edhe ndryshimin e trajnerit (Stefano Pioli pritet të debutojë të dielën në mbrëmje përballë Leçes në “San Siro”).
Klubi kuqezi e mbylli bilancin e vitit 2019 me humbje 145,9 milionë euro, me një përkeqësim rreth 20 milionë krahasuar me sezonin e kaluar. Ky është bilanci më negativ në historinë e klubit të Milanit.

Më në detaje, të ardhurat ranë në 241,1 milionë euro, me një tkurrje 6,1% (-14,7 milionë) krahasuar me 255,8 milionë euro në sezonin 2017/18. Në veçanti të ardhurat nga menaxhimi i futbollistëve (player trading – nga 42 në 25,5 milionë), të ardhurat nga sponsorët (nga 44,7 milionë në 38 milionë euro) dhe ato nga ndeshjet (nga 35,3 në 34,1 milionë euro). Ndërkohë janë rritur të ardhurat nga zëri i të drejtave televizive (nga 109,3 milionë në 113,8 milionë).

Të ardhurat nga sponsorët u tkurrën me 6,7 milionë, nga të cilat 4 milionë mungojnë nga rinovimi i kontratës me Telekom. Puma ka derdhur në arkat e Milan 10,9 milionë, Emirates, 14 milionë, kurse 12,5 milionë euro vijnë nga marrëveshje të tjera sponsorizuese. Plusvalencat zbritën nga 35,9 milionë në 12,6 milionë euro, të lidhura kryesisht me shitjen e mesfushorit Locatelli tek Sassuolo për 11,9 milionë euro.

Kostot e klubit u rritën në 373 milionë euro (në rritje me 5,1%); në veçanti u rritën të ardhurat që lidhen me personelin (+34,4 milionë, nga 150,4 në 184,8 milionë, nga të cilat 141,5 milionë lidhen me shpërblimet kontraktuale të lojtarëve) dhe kostot e lojtarëve të dhënë në huazim (13,1 milionë, nga të cilat 10,2 milionë për Higuain dhe 2,9 për Bakayoko).

Rritje shënuan edhe amortizimet (nga 86,4 në 89,1 milionë), ndërsa bien zhvlerësimet (nga 21,8 në 1,9 milionë) për shkak të zhvlerësimit të vlerës së futbollistëve në bilancin e vitit të kaluar, më 30 qershor 2018.

 

Burimi: Il Sole 24 Ore dhe Calcio e Finanza

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of