Milionat e diellit, si do të ndahet torta

02/05/2018 11:32 AM 0 komente

Një vit nga miratimi i ligjit për burimet e energjisë së rinovueshme, qeveria ka avancuar vetëm me projektet e parqeve fotovoltaikë deri në 2 MW. Deri më tani janë dhënë 10 licenca që parashikojnë një vlerë investimi rreth 20 milionë euro. Aktorët e tregut pohojnë rritje të interesit për sektorin. Bankat gjithashtu kanë reflektuar, duke zgjeruar portofolin me produkte të reja për t’ju përshtatur zhvillimeve të tregut.

 

Nga Nertila Maho

Nëse ju do të kishit instaluar një impiant fotovoltaik 60 kwp, nga janari i vitit të kaluar e deri në mes të prillit 2018, do të kishit prodhuar 74.88 megavat/orë energji që, në vlerë monetare, me një çmim referencë prej 14 lekë/kwh, do të ishte 1.1 milionë lekë. Kjo do të thotë që çdo muaj, fatura juaj do të zvogëlohej me 68,750 lekë. Shembulli në fjalë është një rast konkret i një fabrike që ka instaluar mbi çatinë e saj me panele diellore. Si ky rast, në Tiranë ka me dhjetëra, por deri më tani situata ka qenë disi e vështirë.

Së pari, nuk ishte përfunduar ende net-metering që mundëson matjen me dy kahe (tashmë i mbyllur në prill) si dhe nuk është përcaktuar një çmim për këtë kategori (ende në diskutim). Por grupi i prodhuesve konsumatorë është vetëm njëri prej atyre që mund të përfitojnë nga biznesi i diellit. Të tjerët janë individët, investitorët në parqe me kapacitet deri në 2 MW, si dhe ata mbi këtë fuqi të instaluar. Qeveria vendosi në Planin Kombëtar për Burimet e Energjisë së Rinovueshme, që torta e fotovoltaikëve të rritet edhe me 70 MW të tjera kapacitet, duke e çuar totalin e kësaj kategorie në 120 MW.

 

Ku ndodhemi sot një vit pas miratimit të ligjit

Një vit nga miratimi i ligjit për burimet e rinovueshme të energjisë, tregu ka përjetuar fazat e tij dinamike. Së pari, një lloj ngurrimi, pastaj një dyndje me projekte të llojllojshme dhe më pas, me një qëndrueshmëri dhe maturim të kërkesave. Ajo që u shfaq si më tipike përgjatë vitit 2017 dhe 2018 ishte kërkesa për parqe fotovoltaikë deri në 2 MW, me vlera investimi nga 1-2 milionë euro. Aq shumë kërkesa u bënë për zonën e Fierit dhe Lushnjës, sa të dy rajonet mund të mbuloheshin me panele pa asnjë problem. Por nga ato dhjetëra kërkesa, provën e kanë kaluar shumë pak. Ministria për Infrastrukturën dhe Energjinë bën me dije se, deri më tani, janë dhënë 10 licenca për parqe fotovoltaikë nga 2 megavat dhe me një vlerë investimi prej rreth 20 milionë eurosh. Kjo do të thotë që kapaciteti prej 20 MW është ezauruar tashmë, ndërkohë që mbeten për t’u dhënë edhe 70 MW.

Me shumë gjasa do të kemi dy projekte të mëdhenj centralesh që do të kalojnë tek privati përmes ankandit. “Plani parashikon që dhe këto kapacitete, në bazë të kushteve teknike dhe të studimeve të fizibilitetit, të ndahen me urdhër të ministrit, pra sa megavat do të mbeten për të vegjlit dhe sa për ankandet e mëdha. Për ankandet e mëdha, ideale do ishte që të ishin dy projekte të mëdha, duke marrë në konsideratë kryesisht përdorimin e tokës dhe zonat e identifikuara që kanë rrezatimin më të madh dhe që përshtatet me bonitetin (prodhueshmërinë) e ulët. Fieri dhe Vlora janë dy zona të tilla. Sigurisht që do të shihen mundësitë e OSHEE për gjendjen e rrjetit në bazë të të cilit do të bëhet studimi për të tërhequr energjinë nga ato nën 2 MW”, – shprehet Entela Çipa, Këshilltare për Energjinë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Sipas saj, energjia nga dielli ka tërhequr një vëmendje të konsiderueshme dhe donatorët janë shprehur pozitivë për të qenë pjesë e këtij zhvillimi në tregun shqiptar. Aktualisht, pjesa më e rëndësishme e këtij viti do të jetë procedura e ankandit për centralet e mëdhenj që po asistohet nga BERZH. “Lidhur me projektet që do të jepen përmes ankandit, ne jemi në fazë përfundimi dhe ndoshta do të jenë ankande për projekte deri në 30 megavat. Ne po përgatisim terrenin që kur të shpallet ankandi, gjithçka të jetë e qartë. Sigurisht që do të ketë shumë rëndësi projekti dhe kushtet e tjera bazë që duhet të plotësojnë operatorët që do marrin pjesë dhe kjo lidhet me përvojën dhe garancinë financiare. Janë projekte që mund të shkojnë në vlera të konsiderueshme, ndaj duan siguri financiare. Mendoj që do t’i prezantojmë para qershor-korrik, në mënyrë që deri në vjeshtë të kemi një projekt fitues”, shprehet ajo.

 

Prodhoni energji tepër, OSHEE do t’ua blejë energjinë aq sa ua shet

Të gjithë ata që kanë instaluar një impiant fotovoltaik deri më tani nuk mund të hidhnin energji në rrjet, pasi mungesa e ‘net metering’ i bënte ata që edhe energjinë e konsumuar dhe atë të prodhuar ta paguanin. Me përfundimin e instalimit të ‘net metering’ në muajin prill, i jepet zgjidhje edhe këtij problemi, por mbetet ende në diskutim çmimi.

Sa lekë do ta blejë shteti një kilovat/orë tepër që prodhon një biznes konsumator. Pra një biznes që prodhon më shumë sesa ka konsumin. Është lakuar se metodologjia do të synojë nxjerrjen e një çmimi stimulues, por pak a shume duket se është e qartë skema.

OSHEE, me shumë gjasa, do ta blejë energjinë nga ju aq sa ua shet. “Ne mendojmë që, në këtë fazë, është e rëndësishme të gjejmë një skemë të thjeshtë që është e kuptueshme dhe për biznesin dhe për OSHEE. Ndaj pa përfshirë shumë elemente, të paktën fillimisht mund të përdoret i njëjti çmim me të cilin e blejnë sot energjinë nga OSHEE. Pra e blejnë 14 lekë dhe do ta shesin 14 lekë. Duhet thënë që kjo kategori që e blejnë 14 lekë/kah, është e konsiderueshme dhe përfshin të gjithë ata të lidhur në 0.4 kv, që nisin nga prodhuesit e vegjël, tek agrikultura, turizmi, fasonët. Për të gjithë këto kategori, shfrytëzimi i energjisë diellore është i rekomandueshëm”, – nënvizon Çipa.

 

Kujt i leverdis të investojë në panele fotovoltaike

Ka gjithmonë një kufi që ndan fizibilitetin ose jo të një projekti, pra nëse ia vlen të investoni apo jo. Për biznesin që kërkon të ulë koston e energjisë në aktivitetin e tij, ky kufi i artë është kur çmimi që i paguan OSHEE-së është 14 lekë. Elton Çekrezi, administrator i kompanisë Euro Elektra, nënvizon se investimi te kjo kategori biznesi, që paguajnë këtë nivel tarife, është i leverdishëm. Jo se te grupet e tjera nuk ka leverdi, por kthimi sipas tij është më afatgjatë.

“Investimin në fotovoltaik do t’ia rekomandoja çdo biznesi që sot paguan tarifën 14 lekë pa TVSH, sepse llogaria është e thjeshtë. Për shembull, nëse gjatë gjithë vitit paguan një faturë prej 100 mijë lekësh çdo muaj, me një total 1.2 milionë lekë në vit, për një periudhë 5-vjeçare, vlera arrin një total prej 6 milionë lekësh. Me një llogari të thjeshtë, ti mund të reduktosh faturën tënde aktuale dhe të investosh tek vetja. Me kthimin që ka ky investim, ty të duhen 5-7 vjet dhe pastaj mund të kesh energjinë “falas”. Prodhimi i energjisë nga panelet fotovoltaike e redukton tarifën në masën 6-8 lekë/kwh. Ndërsa për target-grupin që energjinë e paguan me 9 lekë, periudha e kthimit nga investimi shkon 8-9 vite dhe është më e lartë se periudha e kthimit të investimit të kategorisë së mëparshme”, shprehet Çekrezi.

 

Bankat për fotovoltaikët, rritet stoku i kredisë, produkte të dedikuara në treg

Potenciali që shfaq Shqipëria në shfrytëzimin e energjisë diellore është i konsiderueshëm. Sektori bankar duket se gjykon pikërisht mbi këtë potencial duke ju përshtatur dinamikës dhe duke i kushtuar produkte specifike.

“Kredia për Panele Fotovoltaike është një produkt kreditor që financon nevojat e bizneseve për investime në blerjen dhe instalimin e paneleve diellore për prodhimin e energjisë elektrike, me qëllim përdorimin vetjak të biznesit. Panelet Fotovoltaike kanë jetëgjatësi të lartë, amortizimi i tyre shkon deri në 25 vjet, ndërsa kthimi i investimit shkon në 6-7 vite pune. Ky investim është me shumë përfitim, pasi shoqëria do të paguajë këstin e kredisë me ato çfarë do të kursejë nga pagesa e faturës së energjisë për vitet e kredisë, ndërsa pas shlyerjes së kredisë do të kursehet totalisht pagesa e energjisë pasi shoqëria do ta prodhojë vetë atë”, shprehet Bledar Çergani, zëvendësdrejtor i Departamentit të Shitjes për Biznesin, Union Bank.

Fokusi tek energjia në disa dimensione të saj, qoftë tek eficenca, qoftë ato miqësore me mjedisin prej kohësh është pjesë e strategjive të bankave. Ardiola Hristic, Anëtare e Drejtorisë Ekzekutive e ProCredit Bank Shqipëri, shpjegon se stoku i kredisë që përfshin investimet EKO ka vite që është në rritje, duke regjistruar një vlerë prej 50 milionë eurosh. Sipas saj, interesi për projektet e parqeve fotovoltaikë ka ardhur edhe si efekt i çmimit 100 euro MW, që është përcaktuar nga Enti Rregullator i Energjisë.

“Për sa i përket shprehjes së interesit për ndërtimin e parqeve fotovoltaike, interesi ka qenë i lartë, sidomos në investime në parqe fotovoltaike deri në 2 MW, pasi tarifa 100 euro/MW për blerjen e energjisë nga impiantet fotovoltike është realisht një tarifë e leverdishme. Një avantazh tjetër është edhe çmimi i paneleve fotovoltaike, i cili ka rënë ndjeshëm dy vitet e fundit, gjë që bën të mundur kthimin e investimit në një periudhë prej 7 vitesh, nga 25 vjet që e ka jetëgjatësinë vetë parku”, – pohon Hristic.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of