Ministrat e Financave të G7 janë mbledhur në brigjet e Lago Maggiore në Itali, për të diskutuar përfitimet nga rezervat e pamobilizuara ruse për Ukrainën.
SHBA-ja ka nxitur emetimin e borxhit për Ukrainën, të mbështetur nga vlera e ardhshme e fitimeve, që dalin nga rezervat ruse të bllokuara nga sanksionet e Perëndimit. Anëtarët e Bashkimit Europian të G7 dhe Japonia, mund të jenë dakord me planin, si një mënyrë për të siguruar ndihmë për Kievin, përpara zgjedhjeve në SHBA në nëntor.
Sekretarja e Thesarit e SHBA-së, Janet Yellen, tha për FT, se ajo shpresonte se ministrat e Financave do ta mbështesnin idenë.
“Nëse ka mbështetje me bazë të gjerë këtu, për këtë qasje të përgjithshme, si një qasje konstruktive, ne do të përpiqemi të punojmë në disa nga detajet kryesore, gjatë disa javëve të ardhshme,” tha Yellen. Udhëheqësit e G7, do të takohen në mes të qershorit, kur mund të arrihet një marrëveshje përfundimtare.
Por, detajet kryesore ende duhet të zgjidhen, thanë zyrtarët. Këto përfshijnë, kush do të emetonte borxhin – vetëm SHBA-ja apo G7; si do të mbështetej – nëpërmjet garancive shtetërore, ose nëpërmjet aseteve bazë; dhe si do të paguhet, në rast se fitimet e ardhshme nuk materializohen.
Yellen pranoi, se jo gjithçka ishte ende e qartë, përfshirë këtu se ku do të shkonin fondet. Ajo tha, se nuk do të shkonin direkt në Ukrainë, por në një strukturë europiane ose në Bankën Botërore, përpara se të transferoheshin në Kiev.
Edhe shumat dhe afati, janë ende të paqarta, pasi kjo do të varej shumë nga zhvillimi i normave të interesit. SHBA ka thënë se një skemë e tillë, mund të shohë 50 miliardë dollarë të disbursuara në Ukrainë deri në verë.
Zyrtarët europianë, janë gjithashtu skeptikë në lidhje me mundësitë e emetimit të borxhit, përpara vjeshtës, duke përfshirë sepse skema do të kërkonte mbështetje unanime nga të gjitha vendet e BE-së.
Gjendja është përgjithësisht optimiste dhe ka konsensus, mbi nevojën për të mobilizuar fonde për Ukrainën. “Është e rëndësishme, që Rusia të kuptojë, se ne nuk do të pengohemi të mbështesim Ukrainën për mungesë burimesh”, tha Yellen.
Lindjet në BE, ranë në nivele, që ishin parashikuar të ndodhnin pas dy dekadave, duke sugjeruar se kulmi i popullsisë së Europës, mund të goditet vitin e ardhshëm.
“Kupola e Hekurt” e BE-së
Kryeministrat e Polonisë dhe Greqisë, kanë bërë thirrje, që BE të zhvillojë dhe financojë një “mburojë europiane të mbrojtjes ajrore” të përbashkët.
Pushtimi në shkallë të plotë i Ukrainës nga Rusia, ka shkaktuar një ndryshim rrënjësor në mendimin e mbrojtjes së BE-së, duke përfshirë financimin e BE-së për armët e dërguara në Kiev, financimin e përbashkët për projektet europiane të mbrojtjes dhe bisedimet, se si të integrohen më mirë platformat ushtarake.
Në një letër drejtuar presidentes së Komisionit Europian Ursula von der Leyen, kryeministri polak Donald Tusk dhe kolegu i tij grek Kyriakos Mitsotakis, kërkuan “një sistem gjithëpërfshirës të mbrojtjes ajrore, për të mbrojtur hapësirën tonë të përbashkët ajrore të BE-së, kundër të gjitha kërcënimeve që vijnë”.
Bombardimet e përditshme të Rusisë ndaj qyteteve dhe infrastrukturës kritike të Ukrainës, e kanë bërë mbrojtjen ajrore kundër bombave, raketave dhe avionëve, një kërkesë kyçe për planifikuesit ushtarakë, por sistemet janë të shtrenjta, të ngadalta në prodhim dhe pak vende të BE-së zotërojnë sasi të konsiderueshme.
Duke e përshkruar mungesën e një mburoje ajrore të bashkuar, si një “vulnerabilitet të madh në sigurinë tonë”, të dy udhëheqësit thanë se një projekt i tillë, “do të dërgonte një sinjal të qartë, se Europa ishte e bashkuar dhe e vendosur, për të vepruar në vetëmbrojtje”.
“Në këtë epokë të re gjeopolitike, bashkimi ynë ekonomik dhe monetar, duhet të shoqërohet nga një bashkim i fortë mbrojtës,” shkruajnë ata.
Von der Leyen, e cila kandidon për një mandat të dytë si presidente, tha se ajo “do të advokonte për shembull, për një mburojë të mbrojtjes ajrore, si një projekt i përbashkët europian”.
Propozimi, duhet të diskutohet në një samit të krerëve të BE muajin e ardhshëm, sugjeruan Tusk dhe Mitsotakis. / FT