Flet Ilir Linza, administrator i FPM, Bestseller
Në autostradën Tiranë-Durrës, Ilir Linza hapi në fillim të viteve 2000 një fabrikë për prodhimin e mobilierive në tregun vendas. Gjërat nuk do të shkonin ashtu siç i kishte parashikuar.
Tregu vendas pësoi tkurrje dhe shpëtimin e gjeti në tregjet europiane, ndonëse iu desh të përmirësonte standardet në prodhim. Sot, pjesa më e madhe e prodhimit të kompanisë FPM ka si destinacion vendet europiane, kryesisht Italinë dhe Rumaninë. Ndërsa synim i administratorit është të rrisë praninë në tregun vendas.
Pjesa më e madhe e prodhimit tuaj është e destinuar për tregjet europiane. Si arritët të depërtonin në tregjet e BE-së dhe si e shikoni tregun shqiptar?
Pasi nisëm prodhimin në vitin 2001, tregu ynë i parë ishte Shqipëria, ku rreth 95% të prodhimit e shisnim në vend dhe 5% të tij ishte e destinuar për eksport në vendet e rajonit si Maqedonia dhe Kosova. Deri në 2009-n, kur shpërtheu kriza financiare në botë, e cila përkoi me krizë në vendin tonë, çdo gjë shkonte mirë. Na u desh që më pas të ndërronim të gjithë strukturën e shitjeve në Shqipëri, strukturën e modeleve, cilësinë e produkteve, pasi cilësia nuk është në standardin e kërkuar, mobilierët nuk përdorin as ambalazhim për pjesët e mobilieve. Europa këtë standard nuk e pranon.
Prandaj në 2009-n, ne ndërruam cilësinë dhe mënyrën e operimit për të shkuar jashtë shtetit. Nisëm eksportet dhe me të njëjtin ritëm që rriteshin eksportet, binte në përqindje shitja në Shqipëri, pasi filloi konkurrenca e ashpër me zdrukthëtaritë e palicencuara. Vetëm në Tiranë përllogariten të jetë 3000 mobilierë, pjesa më e madhe e të cilëve janë të paregjistruar. Këtë shifër e kemi të matur nga furnitorët me lëndë të parë. Prej këtyre, 1000 janë të regjistruar, ndërsa 2000 punojnë në informalitet.
Si është situata me informalitetin aktualisht?
Në sektorin që ne operojmë, fenomeni i informalitetit është më i prekshëm. Prodhimi në shtëpi nga pjesë informale të sektorit, iu jep atyre mundësinë që të shmangin disa kosto, të cilat kur mblidhen u jep mundësinë që të shesin me çmim më të ulët. Duke qenë se shisnin më ulët, dyqanet që merrnin furnizim konkurroheshin në çmim prej tyre.
Ju keni filluar të operoni sërish në tregun vendas. Cilat janë objektivat?
Kjo situatë ishte deri në 2017-‘18, kur ne morëm vendimin që të hapnim dyqanet tona për të shitur direkt te klienti. Sot, kemi tre dyqane, një në Vlorë, një në Elbasan dhe një në Tiranë, të cilat po ecin mirë. Ishte bërë e domosdoshme që të kishim kontakt direkt me klientin final, duke eliminuar tregtarët.
Kishim filluar që të humbnisim kontaktet me klientin në Shqipëri, ndërkohë që eksportet në Europë vijonin të zgjeroheshin. Me dyqanet e hapura me arritëm të mbyllim ciklin. Nga 100% eksport, ne kërkojmë që tani të arrijmë rreth 30% të shitjeve në vend dhe 70% të shitjeve në eksport. Këtë vit parashikojmë se rreth 15-20% e xhiros do të realizohet brenda vendit.
Si e gjykoni kërkesën për mobilie në vend?
Duke qenë se në treg faturojmë në mënyrë të rregullt, klienti ka mundësi që ta paguajë me këste arredimin e shtëpisë, apo të marrë një kredi konsumatore për të pajisur shtëpinë me mobilie. Arredimi kushton, dhe jo të gjithë individët kanë mundësi që të paguajnë me para në dorë për një dhomë gjumi, shkojnë në bankë, çojnë faturën. Kjo na favorizon. Vite më parë shumë pak njerëz kishin mundësi apo akses për të marrë një kredi në mënyrë që të paguanin me këste arredimin e shtëpisë.
Për më tepër, në ato vite edhe informaliteti ishte më i lartë dhe individët nuk e kishin të deklaruar pagën në shumicën e rasteve. Informaliteti është tkurrur ndjeshëm në krahasim me 10 vite më parë. Edhe pse konsumi në përgjithësi është në rënie, ne jemi të kënaqur me çfarë po shesim nëpërmjet bankave që japin kredi konsumatore për klientët. Aktualisht kemi vënë re se pasiguria politike dhe protestat po ndikojnë te shitjet. Bllokimi i trafikut, veçanërisht te zona e Astirit, na ka stepur konsumatorët.
Çfarë ndikimi ka pasur nënçmimi i euros te kompania juaj, duke qenë se pjesa më e madhe e prodhimit është për eksport?
Nënçmimi i euros na ka rritur kostot. Ne rrisim pagat thuajse çdo vit dhe ato i mbajnë në monedhën vendase. Pra shpenzimet kryesore i kemi në lekë. Forcimi i lekut ka rritur shpenzimet. Por duke u bërë leku më i fortë është rritur aftësia blerëse e konsumatorëve në Shqipëri, që për ne është e rëndësishme. Ne i mbajmë çmimet kryesisht në euro. Për mua si prodhues ka një minus se më rriten kostot.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.