Sipërmarrësit e kompanisë tregtare të prodhimeve bujqësore, “Agro Koni”, i kanë kaluar pritshmëritë e shitjes. Pavarësisht se kanë më shumë se një dekadë në treg dhe kanë ngritur një rrjet grumbullimi shitjeje në të gjithë vendin, pak kohë më parë ata po synonin të bëheshin pjesë e rrjeteve të shitjes me pakicë. Sot ata janë furnitorët kryesorë të zinxhirëve më të mëdhenj të shitjes me pakicë. Ndërsa arritën të marrin tregun e importit të fruta-perimeve, për prodhuesit vendas po rriten edhe mundësitë e eksportit përmes kompanive të huaja të shitjes me pakicë.
Ruzhdi Koni, sipërmarrësi i kësaj kompanie tregon se, “supermarketet po paraqesin interes për të blerë prodhimet bujqësore, jo vetëm që të furnizojnë tregun tonë, por edhe tregjet e klientëve të tyre”. Një kamion provë u nis vitin e kaluar për t´u tregtuar në supermarketet e “Conad”-it në Jug të Italisë. Një tjetër zinxhir i shitjes me pakicë pritet të rrisë mundësinë e tregtisë së prodhimeve bujqësore shqiptare në vendet e rajonit të Ballkanit, por edhe në Europën Perëndimore.
Ky është një shans i ri që vë për herë të parë në provë fermerët shqiptarë, pasi të tria kompanitë që administrojnë supermarketet ushqimore në vend janë vënë në gjueti të prodhimeve të mira e të lira bujqësore, për t´i tregtuar ato në tregje të tjera. Përfaqësuesja e marketingut të “Mercator”, Iris Ballkamaja, tregon se vitin e kaluar, kompania eksportoi 140 tonë fruta-perime të prodhuara në Shqipëri. Prodhimet që shkuan më së shumti në tregun slloven duket se janë pëlqyer, pasi planet e eksportit për këtë vit janë shumë më të mëdha. Drejtuesit e “Mercator” kanë vlerësuar si shumë të mira prodhimet shqiptare ndaj Bakllamaja, tregon se “kemi një plan ambicioz për zgjerimin e eksportit të prodhimit shqiptar në sektorin e frutave perimeve. Ne parashikojmë të arrijmë të eksportojmë rreth 2000 tonë”.
Sipas ekspertëve të tregtisë, ky është një shans shumë i mirë për fermerët shqiptarë, të cilët kanë nivele të ulëta prodhimi dhe nuk arrijnë të dalin të vetëm në eksporte.
Eksportet bujqësore nga “Mercator”
-
140 tonë
-
2000 tonë (parashikim)
Zinxhirët e shitjes nxisin kooperimin
Fermat e vogla ishin pengesa e parë që hasën drejtuesit e rrjeteve të shitjes me pakicë. Ndaj, përfaqësuesja e “Mercator” tregon se po punojnë me fermerët kryesorë të zonave të ndryshme të vendit, të cilët kooperojnë edhe me fermerët e tjerë të zonës. Që të fitojnë nga kjo mundësi shitjeje, fermerët po ndihmohen nga dy projekte të huaja, ai i USAID: Programi i konkurrueshmërisë për Bujqësinë Shqiptare, dhe projekti zviceran për prodhimet organike “Sasa”. Siç vlerësojnë edhe ekspertët e tregtisë, fermerët gjenden para një mundësie që do të duhej ta shfrytëzonin më së miri. Kjo nënkupton rritjen e prodhimit për të plotësuar sasitë e kërkuara, ndërkohë që do të duhej të ulin sa më shumë kostot e prodhimit. Ekspertët e tregtisë tregojnë në kushtet aktuale në të cilat gjenden fermerët shqiptarë (prodhim i pakët, nivel i ulët bashkëpunimi me fermerët) gjasat për të fituar nga kjo mundësi janë të pakta. Ekspertët e tregtisë vlerësojnë se çdo vështirësi të tepërt, tregtarët do ta vlerësojnë si kosto për fermerin, ndaj ajo çka mund t´u ofrohet prodhuesve është një çmim sa më i ulët. Ndërsa drejtuesit e zinxhirëve ushqimorë të shitjes vlerësojnë cilësinë e prodhimit, ekspertët në fushën e tregtisë thonë se blerjet e fermerëve bëhen me çmime shumë të ulëta. Sipas tyre, për sa kohë ata nuk sigurojnë sasitë e duhura dhe një prodhim e paketim standard, do të jenë të detyruar të shesin me çmimet më të ulëta të mundshme. Vitin e kaluar, drejtuesit e një prej rrjeteve më të reja të shitjes së ushqimeve në vend, tregojnë se vjet pati interes të madh për produktin e shalqirit nga Sllovenia, por nuk arritëm t´i furnizojmë në mënyrë konstante me prodhimin shqiptar. Këtë vit, ata parashikojnë t´i përgjigjen më mirë kërkesës së huaj, pasi tregojnë se kanë punuar më shumë me fermerët për të planifikuar prodhimin dhe kanë realizuar kontratat e shitjes.
Mundësitë, për një treg mbi 100 milionë konsumatorë
Krahasuar me mundësinë e prodhimit vendas, shanset për eksporte janë shumë më të mëdha. Rrjeti i “Conad”-it hap mundësinë e eksportit në Itali. Ndërsa kompania e fundit e futur në këtë tregun shqiptar, “Mercator”, do të krijonte mundësinë e tregtimit të prodhimeve bujqësore në gjashtë tregje të tjera. Prej vitit të kaluar, kompania ka rritur interesin për t´u futur në tregun kroat, krahas tregut slloven, serb, boshnjak dhe bullgar e malazez. Tre zinxhirët e shitjes së bashku numërojnë një treg mbi 100 milionë konsumatorë në gati dhjetë vende të Europës. Sigurisht që ky duket një treg i madh. Por ekspertët e tregtisë vlerësojnë se një vend i vogël, me pak në dispozicion për të prodhuar, mundësia më e mirë e konkurrimit është ajo e prodhimit bio. Produktet bio kanë një vlerë gati 3 herë më të lartë se prodhimet në ferma të pacertifikuara organike. Në tregun shqiptar, prodhimet bio janë rritur, por kanë ende një peshë të ulët krahasuar me totalin e prodhimeve bujqësore. Pavarësisht se një pjesë e mirë kultivohet në kushte natyrale, fermat që kanë marrë përsipër të shpenzojnë për t´u certifikuar si organike mbeten të pakta.
2010: Prodhimi rritet 15%
Në prodhimet e mirëfillta bujqësore më të eksportuarat janë perimet. Pas disa vitesh eksporte sporadike, vitin e kaluar, fermerët e Divjakës së Lushnjës eksportuan në mënyrë të vazhdueshme. Josif Gorea, një prej tregtarëve kryesorë të kësaj zone, tregon se vjet rriti eksportet e perimeve me rreth 30%. Vitin që kaloi, të gjitha kushtet për të eksportuar ishin të favorshme, duke filluar që nga moti me shira deri te kursi i këmbimit. Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, prodhimi i perimeve u rrit 15% vitin e kaluar, duke i kaluar 800 mijë tonë. Shanset e eksportit nuk janë aq të këndshme në një këndvështrim të ngushtë për konsumatorin vendas. Pavarësisht se prodhimi është rritur, çmimet në treg ishin shumë më të larta edhe gjatë dimrit të fundit. Vetë tregtarët e mëdhenj të produkteve bujqësore tregojnë se kanë preferuar të eksportojnë me një çmim të arsyeshëm, por që “ka hequr” gjithë prodhimin, sa të pësojnë humbjet e shitjeve për disa ditë në tregjet e prodhimeve të freskëta në vend. Kjo ndodhi me lulelakrën, lakrën e bardhë, preshin etj.
Nga Albana MUçAJ
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.