Ndërkohë, në vështirësi për para cash, shumë biznese po i drejtohen tregut informal për likuiditet…
Lista e borxhlinjve të këqij në tatime u shtua nga fillimi i këtij viti deri më 8 prill edhe me 2038 subjekte, një ritëm rritje shumë më i lartë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas shifrave zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, lista e bizneseve ndaj të cilëve ka nisur grumbullimi i detyrimeve me forcë ka arritur në 15133, nga 13095 që ishin në fund të vitit 2014. Rritja me 15% e subjekteve të përfshirë në listën e zezë të tatimorëve është një tregues i likuiditeteve të përkeqësuara për shkak se bizneset nuk kanë arritur të shlyejnë në kohë detyrimet e papaguara tatimore.
Lista e tatimpaguesve me detyrime të papaguara në afat, ndaj të cilëve administrata tatimore, në zbatim të nenit 91 të Ligjit nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për Procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, tregon se, ndaj këtyre bizneseve janë marrë masat e sigurimit mbi të gjithë pasuritë për ekzekutimin e detyrimeve dhe se ka filluar procedura e mbledhjes me forcë të tyre.
Tatimorët e publikojnë listën e zezë në mënyrë që personat e tretë të marrin dijeni për fillimin e këtyre procedurave dhe që organet apo institucionet të cilët kanë bëre regjistrime të pasurive të luajtshme apo të paluajtshme të tatimpaguesve debitorë, të regjistrojnë detyrimin tatimor të papaguar si barrë mbi këtë pasuri dhe të mos lejojnë kryerjen e transaksioneve për transferimin e tyre deri kur detyrimi tatimor të jetë paguar.
Mungesa e likuiditetit zgjeron kredinë informale
Në vështirësi për para cash, shumë biznese po i drejtohen tregut informal për likuiditet. Nga ana tjetër, qytetarët janë të demotivuar të mbajnë kursimet në banka për shkak të interesave të ulëta të depozitave, jo më shumë se 1.5% në vit. Në shkurt të këtij viti, paraja jashtë bankave arriti në 217 miliardë lekë ose 13% më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo para që po del nga bankat janë kursimet e individëve, të cilët po i tërheqin nga llogaritë bankare për t’i investuar në forma të tjera me fitim më të lartë, pasi kërkesa në treg për cash është e madhe dhe jepet interes shumë i lartë.
Noterët e pyetur nga “Monitor” konfirmojnë se kontratat e huas ku palët japin dhe marrin para me interes janë rritur dukshëm, të paktën 30% në krahasim me një vit më parë. Sipas një vëzhgimi që “Monitor” bëri në disa kontrata huaje u pa se, interesat në huadhënien jashtë bankave janë të larta dhe me përllogaritje mujore dhe jo vjetore. Interesi mujor varion nga 2-5% sipas rastit. Për një borxh 5 mijë euro, për tre muaj, kërkohen 6500 euro. Nëse shuma nuk kthehet në kohë, fillon një penalitet ditor më shumë se 50 euro dhe, nëse edhe pas një muaji penalitetesh, përsëri shuma nuk ka mundur të likuidohet nga huamarrësi, atëherë palët shkojnë në gjykatë. Po të llogariten me bazë vjetore interesat e huave në tregun e zi variojnë nga 30 deri mbi 60%.
Por bizneset e ndërtimit thanë se tregu ka marrë përmasa të mëdha edhe nga vlerat e financimit. Hajredin Fratari, biznesmen në veprimtari në ndërtim pohon se ka raste që borxhet e marra në tregun informal janë deri në 300 mijë euro. Kjo mënyrë financimi, sipas tij, është një rrezik jo vetëm për stabilitetin financiar të këtyre bizneseve, pasi jeta e tyre vihet në rrezik në rast se nuk arrijnë të shlyejnë në kohë detyrimet.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.