Flasin Alessia Rizelli dhe Matteo Pietricola, nomadë dixhitalë në Tiranë
Çifti italian, Alessia Rizelli dhe Matteo Pietricola, prej më shumë se 7 muajsh jetojnë në Tiranë. Ata u mësuan tashmë me trafikun, zhurmën dhe ritmin e jetës, por edhe pozitivitetin e njerëzve, ndryshe nga Italia.
Planet e tyre për të vijuar rrugëtimin si nomadë dixhitalë projektojnë disa vite në vijim. Ata punojnë për veten, vendosin vetë oraret e tyre dhe prandaj kanë mundësinë t’i kushtojnë kohë zbulimit të Shqipërisë.
Çfarë ju tërhoqi më shumë në jetën në Shqipëri dhe pse zgjodhët të jetoni këtu?
Këtu jetojnë disa miq tanë, na treguan përvojën e tyre dhe qyteti na pëlqeu që kur erdhëm për t’i vizituar: zhvillimi është i dukshëm dhe kjo ishte një shenjë pozitive për ne.
Për më tepër, afërsia me Italinë dhe si rrjedhojë mundësia për t’u kthyer shpesh në familjet tona ishte një fakt i rëndësishëm për ne. Gjithashtu, kostot e jetesës më të ulëta dhe natyra e bukur e këtij vendi ishin një pjesë tjetër e motivimit tonë për të zgjedhur të jetonim këtu.
Si ka ndryshuar këndvështrimi juaj për jetën e përditshme, duke jetuar në një qytet si Tirana, në krahasim me vendin tuaj?
Në Itali ne në fakt ndiejmë shumë negativitet te njerëzit. Këtë nuk e vërejmë këtu, përkundrazi! Për më tepër, është një qytet plot me të rinj dhe gjëra për të bërë!
Jetesa në një qytet si Tirana ka sjellë shumë ndryshime në këndvështrimin tonë për jetën e përditshme.
Në krahasim me vendin tonë të mëparshëm, ka pasur një ndryshim të madh në dinamikën e qytetit, trafikun, zhurmën dhe ritmin e jetës. Ne kemi mësuar të jetojmë me këto elemente të reja dhe t’i përshtatemi ritmit të jetës së qytetit.
Gjithashtu, jeta sociale në një qytet të madh ka sjellë njohje të reja dhe mundësi për të zbuluar kulturën dhe aktivitetet e qytetit në mënyra të reja dhe interesante.
Cilat janë sfidat dhe përfitimet e të jetuarit si nomad dixhital në Shqipëri?
Sfida sigurisht është të dish të diferencosh veten në një qytet plot me sipërmarrës, por ne jemi të sigurt për projektet tona!
Taksimi është sigurisht një avantazh këtu, sidomos për ne që vijmë nga një vend ku është i lartë. Gjithashtu sfidë është infrastruktura e internetit në zona jashtë kryeqytetit, përshtatja kulturore, logjistika dhe organizimi.
Ndërsa te përfitimet do përmendja bukuria natyrore dhe aventurat e pasura, shpenzimet më të ulëta të jetesës, eksplorimi i kulturës dhe gastronomisë lokale, përvoja e njohjes së një realiteti të ri.
Si u përshtatet me kulturën dhe jetën shoqërore shqiptare?
Gjetëm njerëz që ishin shumë të lidhur me tokën e tyre dhe kjo është e këndshme, vërtet ndiejmë rëndësinë që shqiptarët i japin kuptimit të “familjes” dhe personalisht na pëlqen zakoni i tyre për të shijuar kohën para një kafeje pa furi!
Gjithashtu jemi përpjekur të ndërtojmë marrëdhënie dhe komunikim me komunitetin lokal, gjë e cila na ka ndihmuar të integrohemi më mirë në jetën shoqërore.
Përfshirja në aktivitete sociale dhe përshtatja në ritmin e jetës së shoqërisë shqiptare kanë qenë gjithashtu thelbësore për integrimin tonë.
A e keni gjetur komunitetin nomad dixhital në Tiranë dhe çfarë përfitimesh ka pasur për ju ky komunitet?
Gjetëm shumë italianë në përgjithësi dhe kjo sigurisht që na e bëri më të lehtë krijimin e marrëdhënieve pa e ditur gjuhën shqipe. Por këtu shumë flasin italisht dhe mbi të gjitha bëjnë gjithçka munden për t’ju kuptuar!
Edhe me të tjerë që kemi takuar, kemi pasur mundësitë e rrjetëzimit, pra mundësinë për të lidhur me njerëz të ndryshëm në industrinë tonë të punës, duke hapur dritare për bashkëpunime të reja dhe mundësi të biznesit.
Cili është profili i punës suaj?
Në rolin tonë si nomadë dixhitalë, punojmë në fusha të ndryshme të teknologjisë dhe krijimit të përmbajtjes në internet. Profili ynë i punës përfshin marketingun dixhital dhe konsulencën në këtë fushë. Kemi përvojë të gjerë në punën në distancë dhe në menaxhimin e projekteve të largëta.
Kjo na ka lejuar të sigurojmë fleksibilitet në punë dhe të përfitojmë nga mundësitë për të udhëtuar dhe për të eksploruar në kohë të lirë.
Përmendët koston më të ulët të jetesës këtu, a keni bërë një llogaritje sa kurseni në kosto nga zhvendosja juaj këtu?
Kostot e jetesës në Shqipëri mund të jenë shumë më të ulëta krahasuar me Italinë, veçanërisht në qytetet më të mëdha si Milano, Roma apo Firence. Kostot e qirave në Shqipëri janë shumë më të ulëta krahasuar me qiratë e qyteteve të mëdha italiane.
Në Tiranë kemi gjetur një apartament me kosto shumë më të ulët se në Milano dhe me vendndodhje shumë të mirë. Nuk përdorim mjete transporti brenda qytetit, ecim dhe është lehtësisht e arritshme.
Gjithashtu, ushqimi është i lirë, veçanërisht në tregjet lokale dhe dyqanet e vogla. Produktet bazë ushqimore si fruta, perime, mish dhe peshk janë më të lira në Shqipëri krahasuar me Italinë.
Kostot e shërbimeve të tjera si energjia elektrike, interneti dhe telefonia janë gjithashtu më të ulëta këtu.
Si e organizoni kohën tuaj ndërmjet punës dhe eksplorimit të kulturës lokale?
Duke qenë nomadë dixhitalë, ne punojmë për veten, vendosim vetë oraret tona dhe prandaj kemi mundësinë t’i kushtojmë kohë zbulimit të Shqipërisë! Kur kemi kohë të lirë, përpiqemi të organizojmë aktivitete të shumta për të zbuluar kulturën lokale.
Përfshirja në ngjarje kulturore, vizitimi i atraksioneve historike dhe provimi i ushqimeve lokale janë disa prej aktiviteteve. Duke pasur mundësinë për të punuar në distancë, kemi fleksibilitet të mjaftueshëm për të rregulluar oraret tona të punës sipas interesave dhe aktiviteteve lokale. Kjo na lejon të përfitojmë nga koha e lirë në momente të ndryshme të ditës për të eksploruar.
A keni hasur në ndonjë sfidë në lidhje me infrastrukturën dixhitale në Shqipëri?
Në realitet, siç thamë edhe më parë, zhvillimi mund të ndihet këtu! Në fakt, praktikisht të gjitha vendet ofrojnë Wi-Fi, priza dhe kjo e bën shumë më të lehtë për ne. Megjithatë, në raste të rralla, ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike që kanë ndikuar në punën tonë.
Sa i përket një teme tjetër, asaj të sigurisë kibernetike, dëgjojmë që ka rreziqe por nuk kemi hasur probleme deri më tani. Kemi investuar në programe antivirus dhe mjete të tjera për të mbrojtur të dhënat tona nga sulmet dixhitale.
Në disa raste, shërbimet bankare online mund të jenë të kufizuara. Kjo mund të sjellë sfida në menaxhimin e financave tona por i kemi menaxhuar.
Cilat janë vendet tuaja të parapëlqyera për të punuar në mënyrë dixhitale në Tiranë dhe pse?
Ne punojmë shumë nga shtëpia për lehtësi, por gjëja e mrekullueshme është se këtu ka shumë respekt të ndërsjellë dhe të punosh jashtë ose në bar është gjithashtu e mundur! Kemi gjetur shumë ambiente kafesh që ofrojnë një mjedis të rehatshëm dhe tërheqës për të punuar.
Gjithashtu ka disa hapësira të përbashkëta të punës në Tiranë, të cilat ofrojnë mjedise të qeta dhe të përshtatshme për punën në distancë.
Çfarë do t’u këshillonit atyre që janë të interesuar të ndjekin të njëjtën rrugë si ju dhe të fillojnë një jetë si nomad dixhital në Shqipëri?
Për ata që janë të interesuar të ndjekin rrugën tonë dhe të nisin një jetë si nomadë dixhitalë në Shqipëri, do të jepnim disa këshilla dhe udhëzime të rëndësishme:
– Bëni një plan të detajuar për udhëtimin tuaj, duke përfshirë financat, akomodimin, punën dhe eksplorimin e kulturës. Planifikimi i mirë do t’ju ndihmojë të përshtateni më lehtë me jetën si nomad dixhital.
-Mësoni gjuhën: Nëse nuk e njihni gjuhën shqipe, mësoni të paktën disa fjalë dhe fraza të zakonshme për të komunikuar më lehtë me vendasit. Këtu flasin shumë italisht por disa fjalë shqip ju duhet t’ mësoni.
-Lidhuni me komunitetin: Kërkoni dhe bashkohuni me komunitete të tjera të nomadëve dixhitalë në Shqipëri. Kjo do t’ju ofrojë mbështetje dhe mundësi për të ndarë përvoja dhe këshilla me njerëz të ngjashëm.
-Mësoni nga përvojat: Jeta si nomad dixhital do të sjellë përvoja të reja dhe sfida. Mësoni nga këto përvoja dhe përdorini ato për të rritur dhe për të përmbushur qëllimet tuaja.
Dhe e fundit, por jo nga rëndësia. Ne do t’ju këshillonim të ndiqnit instinktet tuaja, të mos ndikoheni nga paragjykimet sepse perceptimi i disa vendeve është i ndryshëm nga realiteti! Kjo vlen edhe për Shqipërinë.
Keni planifikuar të qëndroni në Shqipëri për një periudhë të caktuar apo keni plane afatgjata për këtë aventurë nomade dixhitale?
Për momentin, Shqipëria është vendi ku jemi të vendosur dhe ku po përjetojmë jetën tonë si nomadë dixhitalë. Megjithatë, ne nuk e përjashtojmë mundësinë për të ndryshuar vendndodhje në të ardhmen ose për të eksploruar vende të tjera në të njëjtën mënyrë.
Fleksibiliteti është një prej përparësive të jetës sonë dhe ne jemi të hapur për të ndjekur rrugën që na çon drejt aventurave të reja dhe eksperiencave të paharrueshme. Megjithatë, në planet tona është që të qëndrojmë këtu për të paktën disa vjet.
Lexoni edhe:
Nomadizmi dixhital, si po bëhet Shqipëria shtëpia e shumë të huajve
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Para nje muaj e gjysem , ne fund te muajit shkurt – 2024, ne qender te qytetit te Xhenovas ne Itali , mishi i viçit i therur i cilesise se pare ishte 7.8 euro per kg ose rreth 800 leke te reja /kg ; nderkohe qe ne Tirane e njejta cilesi mishi , ishte 11.8 euro ose 1200 leke per kg peshe te therur …
Pra ne nje nga qytetet e medha te veriut te shtrenjte italian , çmimi i mishit te viçit ishte rreth 35 % me i lire se ne qytetin e Tiranes ……???!!!