Ekonomia e Greqisë performoi më mirë se të tjerët në Eurozonë në tremujorin e parë, por efektet nga masat kufizuese të koronavirusit do të jenë “dramatike” në tremujorin e dytë dhe të tretë, tha kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis këtë të premte në parlament.
Kreu i qeverisë njoftoi një paketë të re me vlerë 3.5 miliardë euro për të mbështetur bizneset e dëmtuara nga pandemia e Covid-19.
“Ne jemi të vetëdijshëm se ndikimi në rritje në tremujorin e dytë dhe të tretë do të jetë dramatik,” tha Mitsotakis, duke shtuar se qëllimi i tij ishte të lehtësonte atë ndikim sa më shumë që të jetë e mundur.
Shteti do të zgjasë disa masa për lehtësimin e taksave për bizneset që humbën më shumë se 35 për qind të xhiros së tyre në gjysmën e parë të vitit, tha Mitsotakis.
Ai gjithashtu do të mbulojë kontributet e sigurimeve shoqërore deri në tetor dhe do të ofrojë mbështetje të likuiditetit për bizneset e prekura.
Greqia doli nga një krizë dhjetëvjeçare e borxhit në vitin 2018 dhe po shpresonte për një rritje të fortë në vitin 2020. Por, bllokimi mbarëkombëtar në Mars i ka thyer këto pritshmëri./Reuters