Flet Sybi Hida, ekspert ekonomie
1. Si i vlerësoni lëvizjet e fundit të qeverisë për ndryshimet në buxhet (ulja e shpenzimeve me 16 miliardë lekë, në kushtet kur mosrealizimi i të ardhurave deri në fund të vitit pritet të jetë rreth 40 miliardë lekë dhe rritja e kufirit të borxhit me rreth 22-24 miliardë lekë)?
Rishikimi i buxhetit të shtetit në mesin e vitit është bërë një procedurë normale për financat publike të vendit tonë. Mendoj që ndërhyrja e tanishme është e nevojshme, pasi duhet të reflektojë si situatën aktuale të këtij viti, ashtu edhe përgatitjen për zbatimin e programit të qeverisë së re. Pritshmëritë për ulje të të ardhurave të buxhetit detyrojnë Ministrinë e Financave (MF) të rishikojë nivelin e shpenzimeve, duke i shkurtuar ato ose duke ruajtur nivelin e tyre me rritje të nivelit të borxhit publik. Bazuar në të dhënat e pyetjes dhe në informacionet mediatike, MF parashikon të balancojë uljen e të ardhurave me kursime në disa zëra të shpenzimeve, me reduktim të shpenzimeve në disa zëra të tjerë dhe me rritje të nivelit të borxhit, ku një pjesë e rritjes së borxhit publik do të shkojë edhe për shlyerjen e detyrimeve ndaj biznesit. Rritja e borxhit publik me rreth 24 miliardë lekë është një rritje e madhe dhe, për të analizuar atë, duhet të dimë nëse ai do të huazohet në tregun e brendshëm apo edhe nga huamarrja e jashtme, e cila mendoj që duhet të jetë mbështetje buxhetore nga institucionet ndërkombëtare (kuptohet nëse ato pranojnë). E shikoj të vështirë në këtë moment që qeveria të huazojë në tregun e kapitaleve. Në vlerësimet e mia, duke u bazuar edhe në likuiditetin e sektorit bankar, mendoj që huazimi nga tregu i brendshëm prej një borxhi rreth 12-14 miliardë lekë, nuk do të kërcënonte stabilitetin makroekonomik, madje do të ndihmonte si biznesin ashtu edhe sektorin bankar.
2. Ministri i Financave ka deklaruar se borxhi deri në fund të vitit mund të arrijë deri në 72% të PBB-së. Sa të rrezikshëm e gjykoni këtë nivel?
Mendoj që është herët të dalim me një tregues të saktë për nivelin e borxhit publik për vitin 2013, edhe pse treguesi që i referoheni më duket shumë i lartë. Megjithatë, duke pritur një rritje ekonomike më të ulët se ajo e parashikuar, dhe kthimin e një pjese të detyrimit që ka qeveria ndaj biznesit që ka kryer punë publike, sigurisht që borxhi publik do jetë më i lartë se ai i miratuar në ligjin e buxhetit. Megjithatë duhet të dimë se sa pjesë e këtyre “detyrimeve” janë pjesë e borxhit të vitit 2013. Duhet bërë një kujdes i madh për sa i përket dallimit midis detyrimeve buxhetore dhe angazhimeve të buxhetit. Detyrimi i përket së kaluarës, kurse angazhimi i përket së ardhmes. Detyrimet duhet të jenë pjesë e borxhit, kurse angazhimet duhet të përfshihen në borxh vetëm kur ato bëhen detyrime. Kjo mund të ilustrohet me një shembull të një projekti që kushton 5 milionë euro dhe përfundimi i tij zgjat tre vjet, ku kontrata parashikon një buxhetim 1 milion euro vitin e parë dhe nga 2 milionë euro për 2 vitet e tjera. Në këtë rast, nëse projekti ka filluar dhe janë kryer punimet për vitin e parë, por kontraktuesi nuk ka marrë pagesën, detyrimi është 1 milion euro dhe jo 5 milionë euro. Dhe rritja e borxhit për këtë vit nga ky projekt duhet të llogaritet vetëm me 1 milion euro dhe jo 4 milionë euro (angazhimi). Këto të fundit duhet të përshihen tek borxhi i vitit të dytë dhe të tretë. Megjithatë, duke mos mbetur tek shifra por tek informacioni që borxhi publik është mbi atë të parashikuarin, mendoj që përsëri nuk kemi një kërcënim të qëndrueshmërisë së borxhit publik, por një sinjal për një kujdes të madh për financat publike në vendin tonë. Çdo politikë që prek treguesit e buxhetit duhet të kalojë në një vlerësim maksimal përpara se ajo të zbatohet.
3. Mes rritjes së borxhit për të nxitur rritjen ekonomike dhe masave shtrënguese me synim uljen e borxhit, cila politikë do të ishte më e përshtatshme në kushtet aktuale të ekonomisë shqiptare. Në çfarë niveli e konsideroni borxhin të përshtatshëm për të nxitur rritjen dhe për të mos cenuar stabilitetin makroekonomik?
Së pari, dua të theksoj se jam kundër idesë që mund të rrisim ekonominë me rritje të borxhit publik. Jam i mendimit që qeveria duhet të kryejë ato funksione, pra dhe shpenzime, që ulin koston e transaksionit të funksionimit të demokracisë dhe ekonomisë, dhe jo të angazhohet në ato funksione që mund të ofrohen lehtësisht nga sektori privat. Megjithatë, në rastin konkret, qeveria është e detyruar të rrisë përkohësisht borxhin publik për të pastruar detyrimet me sektorin privat dhe më pas duhet të hartojë një strategji të uljes së borxhit. Për momentin, mendoj se qeveria nuk ka luksin të ndjekë masa shtrënguese, por duhet të ndjekë disa politika që rrisin efektivitetin dhe eficencën e shpenzimeve publike. Nga ana tjetër, duhet të rishikojë si politikën sociale, ashtu edhe atë të pensioneve. Ndërsa, për sa i përket nivelit optimal të borxhit publik, do të thoja që kjo është një pyetje që çdo ekonomist do të donte të kishte përgjigje. Ajo që duhet të ketë vendi ynë është një strategji e uljes graduale të borxhit publik që, për një periudhë 10-vjeçare, ai të luhatej diku tek 50 për qind e PBB. Megjithatë ky është një tregues që, nëse nuk shoqërohet me tregues të tjerë të shëndoshë, nuk jep asnjë garanci për qëndrueshmëri makroekonomike.
4. A rrezikon Shqipëria të vuajë një krizë borxhi si Greqia dhe pse?
Fqinjësia me Greqinë është një fakt gjeografik, por jo një tregues shterues për të ngritur parashikime ekonomike e politike. Rasti i Greqisë nuk ka aspak ngjashmëri me ekonominë tonë aktuale. Kriza ekonomike në Greqi ishte rezultante e shumë faktorëve, ekonomikë e socialë, dhe jo vetëm e borxhit publik. Edhe Belgjika kishte një nivel të lartë të borxhit publik, rreth 90 për qind e PBB kur ekonomia botërore u godit nga kriza financiare e vitit 2008, por pasojat ishin krejt të ndryshme nga ato të Greqisë. Ekonomia greke kishte dhe vazhdon të ketë probleme të mëdha strukturore. Pra, nuk ka vend për krahasime me Greqinë.
5. Në afatin e mesëm, cilat mendoni se janë mënyrat më të mira për reduktimin e borxhit?
Mënyra më e mirë është rritja ekonomike. Nëse ekonomia arrin të prodhojë një rritje ekonomike të lartë, ajo krijon hapësira si për ulje të stokut të borxhit, ashtu edhe për reduktim të treguesit në raport me prodhimin e brendshëm. Pra, qëllimi i qeverisë duhet të jetë rritja ekonomike. Dhe këtu, duke iu referuar edhe disa ekonomistëve të njohur në botë, do të rekomandoja që qeveria të përcaktojë një ose dy reforma më pritoritare për t’i zbatuar në një periudhë afatmesme. Sigurisht që, përveç rritjes ekonomike, qeveria duhet të zgjidhë me shpejtësi reformën administrative (barrë për buxhetin, barrë për ekonominë), reformën e politikës sociale dhe reformën e pensioneve.
6. Sa të realizueshme i shikoni premtimet e qeverisë së re për uljen e një sërë taksash (kryesisht niveleve të TVSH), përshkallëzimin e tatimit mbi të ardhurat, rritjen e pritshme të tatimfitimit, në kuadrin e domosdoshmërisë për konsolidim fiskal?
Qeveria ka të gjitha mekanizmat—mazhorancë të kualifikuar — për t’i realizuar premtimet e saj, por duhet së pari të analizojë nëse këto premtime i përballon ekonomia apo jo. Unë do t’i sugjeroja qeverisë se duhet të dallojë qartë politikën e taksave me politikën sociale. Secila nga këto politika ka objektiva të ndryshëm dhe bashkimi i tyre në një politikë të vetme do të cenonte ndjeshëm arritjen e objektivave. Kjo do të dëmtonte ekonominë dhe nuk do të arrijë të mbështesë shtresat në nevojë. Po ashtu, nga ana tjetër, qeveria duhet të marrë parasysh gjendjen aktuale të ekonomisë, konkurrencën rajonale dhe nivelin e konkurrueshmërisë së ekonomisë tonë. Pra, sugjerimi im është që qeveria nuk duhet të nxitohet dhe të shqetësohet që biznesi më së shumti ankohet për zbatueshmërinë e ligjit sesa për politikën e taksave. Parësore është zbatimi me korrektësi i ligjit, pra lufta kundër korrupsionit dhe evazionit fiskal.
7. Si i vlerësoni deklaratat e kryeministrit që arka e shtetit është bosh?
Ajo që kuptoj nga kjo shprehje është që kryeministri është në atë detyrë për të mbushur arkën e shtetit dhe ta përdorë atë vetëm në dobi të qytetarëve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.