Flet prof. dr. Anastas Angjeli, deputet i Partisë Socialiste
Si i vlerësoni lëvizjet e fundit të qeverisë për ndryshimet në buxhet (ulja e shpenzimeve me 16 miliardë lekë, në kushtet kur mosrealizimi i të ardhurave deri në fund të vitit pritet të jetë rreth 40 miliardë lekë dhe rritja e kufirit të borxhit me rreth 22-24 miliardë lekë)?
Kjo është një lëvizje e pashmangshme, me “detyrim e përcaktim” do të thoja. Detyrimi buron nga Kushtetuta dhe ligji. Sa kohë që kufijtë e deficitit buxhetor janë cenuar, është e domosdoshme ndërmarrja e një veprimi ligjor për të rregulluar këtë nonsens përballë të cilit ndodhemi.
Është i përcaktuar, sepse ndryshimet që po bëhen duke qenë se janë në një akt normativ, hapësirat janë zero për të diskutuar luhatjet e ndryshme të të ardhurave, shpenzimeve, huamarrjes, deficitit etj.
Megjithatë, mendoj se përpjekjet për maksimalizimin e të ardhurave nga administrata fiskale nuk duhen reshtur. Kjo nuk do të ishte vetëm një masë që do të rikthente në buxhetin e shtetit të ardhura të munguara, por do të krijonte premisat për miradministrim në vitin 2014.
Ministri i Financave ka deklaruar se borxhi deri në fund të vitit mund të arrijë deri në 72% të PBB-së. Sa të rrezikshëm e gjykoni këtë nivel?
Nuk ka borxh “të mirë” dhe borxh “të keq”, kësisoj në kushtet dhe në gjendjen e vështirë të financave publike, rritja e borxhit nuk mund të konsiderohet tabu. Por ne ndodhemi përballë faktit të kryer dhe të situatës së trashëguar nga keqqeverisja e mëparshme. Në pamundësi të gjetjes së instrumenteve të tjerë për sigurimin e të ardhurave të nevojshme për përmbushjen e funksioneve të shtetit, është i nevojshëm miratimi i këtij akti, megjithëse me risk dhe këtë duhet ta pranojmë.
Mes rritjes së borxhit për të nxitur rritjen ekonomike dhe masave shtrënguese me synim uljen e borxhit, cila politikë do të ishte më e përshtatshme në kushtet aktuale të ekonomisë shqiptare. Në çfarë niveli e konsideroni borxhin të përshtatshëm për të nxitur rritjen dhe për të mos cenuar stabilitetin makroekonomik?
Si hap të parë dhe shumë të rëndësishëm do të konsideroja marrjen nën kontroll të situatës dhe moslejimin e përkeqësimit të saj, kjo do të lejojë qeverinë edhe të bëjë një vlerësim real të mundësive dhe pamundësive të saj për të ndërhyrë. Duke iu përgjigjur pyetjes tuaj, do të vlerësoja se ka disa rrugë që ndihmojnë në arritjen e disa objektivave afatshkurtër dhe stabilizimin afatgjatë të situatës. Një ndër to mund të jetë dhe harmonizimi tepër i kujdesshëm i masave frenuese me mekanizëm nxitës. Një frenim i menjëhershëm sjell krizë dhe mungesa e kontrollit sjell krizë. Janë këto ekuilibra që duhen rakorduar me kujdes, në mënyrë që të mos cenojnë ekuilibrin makroekonomik.
A rrezikon Shqipëria të vuajë një krizë borxhi si Greqia dhe pse?
Pse jo? Ne e kemi paralajmëruar me kohë dhe tani është e vërtetuar që situata kishte dalë jashtë kontrollit për shkak të keqmenaxhimit dhe të babëzisë elektorale. Kjo është gjendja për 2013-n. Gjithçka do të bëhet e qartë nga programi buxhetor dhe zbatimi i politikave të duhura për vitin 2014. Nëse do të zbatojmë politika të tilla që do të shfaqin shenjat e para të rritjes ekonomike dhe të frenimit të rritjes së borxhit, sigurisht do të mund të themi më të qetë që shpëtuam për shumë pak. Gjithsesi kam besim se ekonomia shqiptare do të reagojë pozitivisht, edhe për shkak të vullnetit politik për t’iu kthyer me çdo kusht normalitetit në çdo sektor jo vetëm në ekonomi.
Në afatin e mesëm, cilat mendoni se janë mënyrat më të mira për reduktimin e borxhit?
Siç e thashë dhe më sipër, e rëndësishme për momentin është vendosja e kontrollit të plotë mbi shpenzimet dhe të ardhurat dhe monitorimi nga afër i rritjes së borxhit. Në fillim të vitit 2014, kur ekonomia të shkojë më shumë se 2.5%, atëherë krijohen hapësirat për të programuar politikat e reduktimit të borxhit për ta risjellë atë nga viti në vit drejt kufijve që nuk riskojnë zhvillimin ekonomik.
Sa të realizueshme i shikoni premtimet e qeverisë së re për uljen e një sërë taksash (kryesisht niveleve të TVSH), përshkallëzimin e tatimit mbi të ardhurat, rritjen e pritshme të tatimfitimit, në kuadrin e domosdoshmërisë për konsolidim fiskal?
Qeveria do të jetë e vendosur për të ndjekur dhe për të realizuar programin e vet, jo thjesht për shkak të premtimeve elektorale por për shkak të vizionit që koalicioni kishte për rimodelimin e ekonomisë, përmes riprioritarizimit të saj duke e orientuar atë në sektorë që garantojnë më shumë rritje ekonomike, rritje të kërkesës së brendshme dhe eksportit, nxitjes së punësimit me mbështetjen e politikave të reja fiskale. Shtyrja në kohë apo rishikimi pjesor për shkak të situatës së krijuar nuk do thotë mosmbajtje të premtimeve. Qeveria ka marrë një angazhim afatgjatë dhe mendoj që ka një ankth të dukshëm për të parë ndryshimet që në ditët e para. Mendoj dhe nga eksperienca ime ku jemi ndodhur në një situatë edhe me të vështirë sesa kjo dhe qeveria jo vetëm që nuk kishte nën kontroll borxhin, por as territorin dhe institucionet ia doli të mbajë premtimet e saj në fund të mandatit të parë qeverisës. Duke folur në një nivel tjetër vlerësimi do të insistoja në më shumë inkurajim dhe motivim, më shumë përgjegjshmëri dhe angazhim të administratës fiskale, si dhe do të ftoja të gjithë t’i monitoronin veprimet e qeverisë në kompleks dhe jo të shkëputura. Vetëm në këtë rast do të kemi një gjykim dhe vlerësim real të situatës më pas të rezultateve dhe natyrisht të mbajtjes apo jo të premtimeve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.