Në fund të javës së parë të qershorit hynë në fuqi një seri vendimesh të reja të lidhura me markat. Përmes rregullores së re, Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale (DPPI) do të ndjekë një seri procedurash, për mënyrën sesi do të trajtohen markat rast pas rasti. Fillimisht kjo rregullore qartëson kategoritë nëse ato janë marka: fjalë, figurë, markat formë apo të pozicionit, si dhe markat me elemente përsëritëse apo që konsistojnë në ngjyrë apo kombinim ngjyrash.
Rregullorja kërkon që, në varësi të llojit të markës, për të cilën është kërkuar regjistrimi në aplikim, duhet të bëhet shoqërimi me paraqitjen grafike të markës, e cila duhet të jetë e qartë, e saktë, lehtësisht e disponueshme, e qëndrueshme dhe objektive.
Regjistrimi i markës bëhet pas plotësimit të disa kushteve ku përveç dokumentacionit të nevojshëm shoqërues, kërkohet edhe pagesa e tarifës për llogari të Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale.
Rregullorja për markat trajton mënyrën sesi procedohet kur ka kundërshtim për regjistrimin e një marke, kur nuk ka ripërtëritje të një marke ekzistuese, si dhe rastet e prioritetit për disa mallra.
Rregullorja përfshin gjithashtu regjistrin e markave duke përcaktuar saktë të dhënat që përmban, ai duke nisur nga numri i aplikimit, data e depozitimit të aplikimit, të dhënat e përfaqësuesit të autorizuar, të dhënat mbi prioritetin, pamja e markës. Përshkrimi, kategoria e saj, data e mbarimit të regjistrimit e disa dhjetëra elemente të tjera. Por në buletinin periodik të markave, DPPI publikon vetëm një pjesë të elementeve që ka regjistri.
I njëjti dokument trajton mënyrën sesi zgjidhen kundërshtimet dhe korrigjimet në aplikimet ekzistuese. Por jo në të gjitha rastet mund të bëhen ndërhyrje.
Përfaqësimi (pamja) i një marke nuk mund të ndryshohet (korrigjohet), me përjashtim të rastit kur ai përmban emrin dhe adresën e aplikantit. Në këtë rast, me kërkesë të aplikantit dhe kundrejt pagesës përkatëse, pamja mund të ndryshohet (korrigjohet), por pa prekur thelbin e pamjes së markës së aplikuar”, thuhet në rregullore.
Tarifat për patentat dhe markat
E njëjta rregullore përfshin disa lidhje të rëndësishme të lidhura me çmimet që aplikohen nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale. Kështu tarifa e depozitimit të një aplikimi për patentë ka një tarifë 7 mijë lekë dhe po kaq edhe një depozitim aplikimi PTC, apo rivendosja në afat e të drejtave.
Tarifa për korrigjimin e gabimeve në aplikimin e patentës është 2 mijë lekë, kurse tarifa për çdo pretendim mbi pretendimin e 10-të të patentës është 500 lekë. Në total, lista me tarifa shkon në 47 zëra, duke parashikuar tarifa të ndryshme për secilën procedurë që i nënshtrohet subjekti.
Lidhur me markat, tarifa për depozitimin e aplikimit për markë individuale është 7 mijë lekë, kurse tarifa për depozitimin e aplikimit për markë kolektive është 8 mijë lekë. Për çdo klasë shtesë, aplikohet një tarifë 2.5 mijë lekë, kurse për kufizimin e listës së mallrave 5 mijë lekë. Tarifat më të larta prej 10 mijë lekësh janë për apelimin në Bordin e Apelit të vendimit lidhur me kërkesën për shfuqizim/zhvlerësim.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.