Fabrika e qymyrit Bobov Dol në Bullgari, simbolizon pikërisht llojin e industrisë që BE synon të eliminojë – dhe pengesat me të cilat ajo përballet në tranzicionin e gjelbër.
Çështjet mjedisore pothuajse nuk u përmendën fare në periudhën e fushatës zgjedhore, ndërsa kritikët kanë frikë se 10 miliardë euro (11.8 miliardë dollarë) në fondet e tranzicionit të gjelbër të BE-së, mund të bien pre e korrupsionit mjaft të përhapur në Bullgari.
Ambientalistët thonë se Bashkimi Europian duhet të eliminojë qymyrin deri në vitin 2030 për të përmbushur objektivat mbi klimën. Blloku synon të ulë emetimet me 55% deri atëherë. Njëmbëdhjetë kombe të BE-së janë zotuar të heqin dorë nga energjia elektrike me qymyr deri në vitin 2030. Bullgaria, e cila lëshon 4.3 herë më shumë gazra serë për njësi të PBB-së se mesatarja e BE-së, nuk është zotuar aspak për një gjë të tillë.
Vendi përdor qymyrin për të ngrohur shtëpitë, dhe 60% e prodhimit të energjisë elektrike në dimër gjenerohet nga kjo lëndë ndotëse.
Bobov Dol ka funksionuar që nga vitet 1970, punëson 850 persona dhe përbën rreth 4% të energjisë së Bullgarisë. “Ne jemi të shqetësuar për mbylljen e impiantit”, tha Lyubomir Spasov, CEO i Bobov Dol, duke shtuar se qëllimi i tij është të “ruajë sasinë maksimale të vendeve të punës”.
Prioriteti i tij është të mbajë të hapur punishten 630 megavat pranë Sofjes, dhe për këtë qëllim, ai po mendon të shmangë qymyrin dhe të shfrytëzojë gazin natyror, apo edhe të përfshijë një impiant hidrogjeni që funksionon me energji diellore. Fabrika do të paraqesë një aplikim këtë vit, për një pjesë të 10 miliardë eurove në fondet e BE-së të caktuara nga Brukseli për projekte të gjelbra.
‘Të këqijat’ e korrupsionit
Kryeministri Bojko Borisov, partia e të cilit GERB, mbështet Marrëveshjen e Gjelbër të BE-së, por ka bërë thirrje për më shumë ndihmë për vendet e Europës Lindore që varen nga qymyri.
Megjithatë, GERB nuk e bëri këtë një temë të spikatur në fushatën e saj zgjedhore, edhe pse një sondazh i kohëve të fundit zbuloi se dy të tretat e bullgarëve mbështesin mbylljen e impianteve të qymyrit. Tre të katërtat e votuesve nuk ishin në dijeni të pozicioneve të partive për tranzicionin e gjelbër.
Zyrtarët bullgarë i druhen kësaj teme, tha Maria Trifonova, asistente profesore në departamentin e ekonomisë industriale dhe menaxhimit në Universitetin e Sofjes. Pas një valë të madhe protestash antikorrupsion verën e kaluar, lufta ndaj korrupsionit ka qenë një çështje shumë më e rëndësishme.
OJQ Transparency International e rendit Bullgarinë si shtetin më të korruptuar në BE. Hristo Ivanov, udhëheqësi i partisë së vogël opozitare “Da, Bulgaria!” është i shqetësuar se subvencionet e gjelbra të BE-së mund të përfundojnë në xhepat e oligarkëve të Bullgarisë.
“60% e fondeve të BE-së duhet të investohen në infrastrukturën publike, sektori që vuan më shumë nga korrupsioni”, tha Ivanov, ish-ministër i Drejtësisë, i cili dha dorëheqjen në vitin 2014 dhe që atëherë është bërë një nga aktivistët më të njohur kundër korrupsionit në vend. Ivanov vuri në dukje se një termocentral që ka aplikuar për financim nga BE për tranzicionin e gjelbër, është në pronësi të një oligarku të shquar bullgar me lidhje të forta politike.
Lumenj të ndotur
Aktivistët e mjedisit thonë se tranzicioni larg burimeve ndotëse të energjisë është i vonuar. Desislava Mikova nga Greenpeace Bulgaria tha se Bobov Dol ka ndotur tashmë lumenj lokalë dhe janë regjistruar nivele të larta tymrash që mund të shkaktojnë shi acid.
“Makina ime është e ndotur në mëngjes, edhe nëse e laj një ditë më parë”, tha një fshatar i cili kërkoi të mbetej anonim, nga frika e ndonjë ndëshkimi.”Nuk është e drejtë që në shekullin XXI, të kesh një ndotës të tillë në oborrin e shtëpisë tënde”.