Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, e ka vlerësuar të pakënaqshme gjendjen e bizneseve që u goditën nga pandemia. Sipas tij, 80 për qind e bizneseve janë të pakënaqura.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, e ka vlerësuar të pakënaqshme gjendjen e bizneseve që u goditën nga pandemia.
Sipas tij, 80 për qind e bizneseve janë të pakënaqshme.
“Do të prezantojmë të dhënat që i publikojmë rregullisht sa i përket klimës së bizneseve por kësaj radhe të dhënat janë më interesante për shkak të kohës së pandemisë. Na japin një pasqyrë më të qartë për të katër sektorët që i përcjellim siç janë tregtia, prodhimi, ndërtimtaria dhe shërbimet. Për tremujorin e dyte të 2020-s është një ndër gjendjet më të pakënaqshme që nga paslufta. 80 për qind e bizneseve e kanë vlerësuar gjendjen e tyre të pakënaqshme. Nëse e krahasojmë me tremujorin e parë të këtij viti është një pakënaqësi 47 për qind më e lartë”, tha Rukiqi.
Pritjet për punësim të bizneseve, sipas Rukiqit, janë vetëm 35 për qind e bizneseve që presin ta rrisin punësimin.
“Ky është bilanci më negativ pasi që shumica e kompanive nuk presin të hapin vende të reja të punës. Pjesa më e madhe e kompanive në 6 muajt e ardhshëm presin që situata biznesore të përkeqësohet. Për Indikatorin e konfidencës është tre mujori më negativ, ka rënie shqetësuese”, tha Rukiqi.
Kurse, ministrja e Financave Hykmete Bajrami ka raportuar në Komisioni për Buxhet dhe Transfere për masat fiskale të marra për t’iu përgjigjur situatës me Pandeminë dhe për gjendjen e borxhit publik.
Bajrami gjatë raportimit në komision ka thënë se deri më tani nga fondi për rimëkëmbje ekonomike janë ndarë 245 milionë euro.
“Janë shpenzuar gjithsej 245 milionë, dhe në rishikim të buxhetit ne kemi ndarë fondin për rimëkëmbje ekonomike dhe deri më tani janë ndarë 245 milionë euro. Qeveria ka marr një sërë masash duke filluar nga ato të natyrë shëndetësore, mbështetjes së institucioneve. Sa i përket shpenzimeve të pandemisë në kuadër të përballjes me pandeminë janë shpenzuar mbi 143 milionë euro”.
Ajo ka thënë se janë përfitues të 60 milionëshit të ndarë për bizneset janë mbi 36 mijë biznese, ku vlera për një të punësuar do të jetë 291 euro.
Kosova deri më tani ka zbatuar Pakon Emergjente Fiskale, në vlerë të rreth 180 milionë eurove. Kjo Pako, e cila kishte për qëllim të zbuste problemet ekonomike dhe sociale, ishte miratuar në muajin mars, pas konfirmimit të rasteve të para me COVID-19, nga Qeveria e udhëhequr nga ish-kryeministri Albin Kurti.
Kurse, disa nga masat e saj janë duke u zbatuar pas ardhjes së Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Avdullah Hoti.
Kuvendi i Kosovës me 64 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, ka votuar në lexim të parë Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike. Me anë të këtij Projektligji parashihet zbatimin e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike në vlerë prej 365 milionë euro.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.