Një aktivitet në shenjë pakënaqësie do të zhvillohet sot nga gastronomët, bizneset dhe zejet e Kosovës. Në ora 12:00 të gjitha këto lokale do të mbyllen për një orë dhe simbolikisht çelësat do t’ia dorëzojnë Qeverisë së Kosovës.
Nëse nuk hiqen kufizimet ndaj bizneseve të gastronomisë, sot në orën 12:00 në Kosovë të gjithë këto biznese do të mbyllen në mënyrë simbolike, në shenjë të pakënaqësisë.
Kafiteritë e restoratet, në fakt e gjithë gastronomia po këmbëngulin të iu zgjatet orari i punës, sepse ndryshe do të falimentojnë.
Ditë më parë përfaqësuesit e sektorit të gastronomisë, kanë organizuar një mbledhje për të diskutuar rreth ndikimit të kufizimit të qarkullimit dhe efektin e masave të fundit për bizneset.
Në këtë takim u theksua se mungesa e qytetarëve nga diaspora tashmë po ndikon në ekonominë e vendit dhe se zbatimi i kufizimit të qarkullimit dhe masave të tjera po ka ndikim negativ në ekonomi e veçanërisht në sektorin e gastronomisë.
“Dëshirojmë t’ju informojmë se në qoftë se nuk do të hiqen kufizimet, në bazë të kërkesës së anëtarëve dhe të përfaqësueseve të sektorit të gastronomisë në mbledhje, u vendos që me datën 27.07.2020 (e hënë) në ora 12:00 që bizneset e sektorit të gastronomisë në mënyrë simbolike të mbyllin lokalet e tyre”, thuhej në njoftim.
“Në lidhje me këtë temë, kryetari Varis Xhejlani, bashkë me disa përfaqësues të sektorit të gastronomisë do të realizojë një mbledhje me Odën Ekonomike të Kosovës”, thuhej në fund të një njoftimit të bërë publik nga SHBZ “Esnaf”.
Përfaqësuesi i gastronomeve të Gjakovës, Epikad Hoxha, ka treguar se situata është në atë nivel ku nuk mban më, prandaj duhet urgjentisht që të ketë reflektim nga ana e autoriteteve shtetërore.
“Është si simbolikë, duke marrë parasysh këto masa që janë marrë ndaj nesh, mendojmë qe i ka ardhur fundi dhe ne si gastronomë të Gjakovës iu kemi bashkëngjitë gastronomeve të tjerë të Kosovës që do të marrin pjesë të hënën në protestë në Prishtinë. Do të jetë një protestë simbolike ku do t’i dorëzojmë çelësat e lokaleve si shenjë proteste. Arsyeja e kësaj simbolike që kemi ndërmarrë është që përveç të na lejojnë të punojmë edhe pas orës 21:00, do me thënë deri në ora 00:00 por edhe ora 01:00 por të kemi lehtësira në qasje në mjete financiare, te kemi edhe riproraim të kësteve të kredisë, të kemi lehtësira edhe në taksa të ndryshme si të tarasave dhe të tatimeve”.
Gastronomet pretendojnë se nga masat e reja janë duke pësuar rreth 4,000 biznese të kësaj kategorie dhe më shumë se 14 mijë të punësuar, pa përmendur sipas tyre, efektet zinxhirore që kanë te bizneset e tjera të lidhura ngushtë me mbarëvajtjen e gastronomisë.
“Dëmet janë të mëdha duke marrë parasysh që jemi duke punuar me 10 % të kapaciteteve që ne mundemi të punojmë, këto kufizimet që tash kanë ardhur të pa menduara mirë sipas nesh, pasi që gjithë lokalet e gastronomisë janë duke iu përmbush masave çfarë ka kërkuar Qeveria e Kosovës. Ky vendimi të mbyllen lokalet është i pakuptueshëm”.
Aksioni simbolik i gastronomeve të Kosovës para Qeverisë dhe Parlamentit të Kosovës do të fillojë prej orës 12:00, ndërsa lokalet do të qëndrojnë të mbyllura rreth një orë në të gjithë Kosovën.
E tashmë kundër vendimeve të fundit të Qeverisë Hoti kanë dalë edhe përfaqësues të politikës. Madje jo vetëm nga opozita, por kundërshtime po bëjnë edhe ata të partive nga koalicioni qeverisës.
Kundër vendimeve të Qeverisë Hoti, duke ngritur shqetësimin e tyre dhe të partisë lidhur me sektorin e gastronomisë, janë edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), parti kjo e dyta më e madhe në koalicionin qeverisës.
Nga ky subjekt thonë se presin nga Qeveria e vendit që të angazhohet në rimëkëmbjen ekonomike, si dhe të trajtoj me seriozitet situatën aktuale, sepse sektori privat, veçmas Gastronomia është në prag të falimentimit, e Kosova nuk ka kapacitete ta përballojë këtë situatë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.