Është miratuar në parim Projektligji për paga në sektorin publik. Sipas prezantimit të projektligjit nga ana e Qeverisë, me të zvogëlohet hendeku mes pagës më të ulët dhe më të lartë në vend. Koeficientin më të lartë të pagës do ta ketë posti i presidentit. Koeficienti më i lartë do të jetë 18 për qind, ndërsa më i ulëti do të jetë 3.78.
Me 68 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim është miratuar në lexim të parë Projektligji për pagat në sektorin publik.
Pozitë e opozitës kanë qenë pro projektligjit, megjithatë, partitë opozitare kanë kërkuar që të bëhen ndryshime në mes dy leximeve.
Të njëjtit kanë pasur kritika për renditjet dhe përcaktimet e koeficienteve. Madje, shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se askush nga të punësuarit e sektorit publik nuk e dinë vlerën e pagës me këtë projektligj.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se ky projektligj do të shqyrtohet edhe nga komisionet përkatës.
“68 deputetë kanë votuar për këtë projektligj, 68 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Kërkojmë nga komisioni funksional dhe komisionet e përhershme që ta shqyrtojnë dhe t’ia paraqesin kuvendit raportin me rekomandime”.
Kryetari i Komisionit të Administratës Publike, Valon Ramadani ka rekomanduar miratimin e projektligjit për pagat në sektorin publik.
Ai në emër të LVV-së, ka thënë se që nga paslufta nuk është arritur që të zgjidhet çështja e pagave në sektorin publik.
“Nevoja për një ligj të tillë është e madhe. Prandaj, ne si komision për Administratë Publike e proceduam me dakordim të plot këtë ligj. Dhe dëshiroj ta nis këtë fjalim duke falënderuar të gjithë anëtarët e komisionit pa dallim partie, sepse të gjithë u treguan bashkëpunues dhe votuan këtë ligj të propozuar nga qeveria”, ka thënë Ramadani.
Ndërkaq, deputeti Mërgim Lushtaku nga Partia Demokratike e Kosovës, tha se ky projektligj ka nevojë për ndryshime, por që do ta përkrahin në lexim të parë. Ai ka kritikuar përcaktimin e koeficienteve të të punësuarve në sektorin publik.
“Në komision e kemi përkrahur projektligjin e pagave, me bindje se do të arrijmë të evidentojmë shumë paqartësi gjatë periudhës mes dy leximeve dhe ligji të arrij të sigurojë përkrahjen e duhur për të punësuarit në institucionet publike. Kemi përkrahur me qëllim të mirë, sepse sistemi i pagave është dashur shumë më herët të rregullohet, por duke parë që deri më tani partia në pushtet nuk e përkrahi bash asgjë që ne opozita propozojmë, vështirë që të bëjmë edhe ndërhyrjet e domosdoshme edhe në këtë rregullim. Prandaj, menduam që të mbështesim në lexim të parë”, u shpreh Lushtaku.
E deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu tha se është vonuar sjellja e kësaj nisme ligjore para deputetëve.
“Unë jam i bindur që edhe ky propozim është në kundërshtim me parimet e sistemit të pagave, me parimin e ligjshmërisë, transparencës, e para-shikueshmërisë dhe barazisë dhe mos-diskriminimit. Raporti i koeficienteve në ligj thuhet se është 2 me 18, i shpërndarë në 136 nivele, projektligji e parasheh që paga të rritet në bazë të përvojës me shkallëzim deri në 15 vjet përvojë punë me 0-25 dhe 0,5 për të qenë çdo vit mbi 15 vite. Unë këtë nuk e kam të qartë, pse bëhet ky shkallëzim… Kërkoj që ky ligj të plotësohet dhe pastaj të shohim më tutje”, ka deklaruar Veliu.
Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri tha se projektligji për pagat në sektorin publik po shqyrtohet pas 22 muajve.
Ai tha se me këtë projektligj po bëhet renditja i koeficienteve, por askush nuk e dinë sa e ka pagën.
Sipas prezantimit të projektligji nga ana e Qeverisë, me të zvogëlohet hendeku mes pagës më të ulët dhe më të lartë në vend. Koeficientin më të lartë të pagës do ta ketë posti i presidentit.
Siç është prezantuar në Qeveri, koeficienti më i lartë do të jetë 18 për presidentin, ndërsa më i ulëti do të jetë 3.78.
Nuk është bërë e ditur vlera e koeficientit, që ishte thënë se do të caktohet në të njëjtën kohë me Ligjin për Buxhetin.
Nga opozita janë bërë disa rekomandime për ndryshime në mes të dy leximeve. Pas miratimit, Qeveria pati thënë se për të hyrë në fuqi ky ligj, duhet të kalojë një muaj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.