U deshën rreth 10 ditë për të kuptuar se çfarë kërkonte Banka Botërore si kushte për akordimin e kredisë dhe po aq, ndoshta për të bindur qeverinë të plotësonte kriteret. Palët janë ndarë në pritje të arritjes së marrëveshjes, vlera e së cilës nis “nga 1 dollar, deri në 300 milionë”, kufiri maksimal i financimit.
“Ekipi i Bankës Botërore qëndroi më shumë se një javë në zyrat tona. Pa nga afër bilancet, studiuan situatën makroekonomike, parashikimet e rritjes etj., dhe kanë ikur. Kurse ne po presim raportin e vëzhgimit, të shoqëruar me rekomandimet, kushtet dhe vlerën përkatëse të marrëveshjes. Në rast se biem dakord, atëherë do firmoset paketa, vlera e së cilës nuk dihet ende”, sqaron për “Monitor”, burimi zyrtar i Ministrisë së Financave.
Po cilat mund të jenë rekomandimet, ose thënë më troç, kushtet? Javën e kaluar, revista zbuloi pjesën kryesore të negociatave, që konsistonte në rishikimin e deficitit buxhetor, nga 3 për qind, në 2.5 për qind, në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB). Pra banka ka kërkuar që për këtë vit, deficiti të ulet me 0.5 pikë përqindje, që do të thotë ulje të shpenzimeve buxhetore për 2012-n me rreth 6-7 miliardë lekë. Për qeverinë shqiptare, ky kriter konsiderohet i fortë, ku ende pa nisur zbatimi i buxhetit vjetor, të ndërmarrë masa drastike, të kërkuara nga institucionet kompetente financiare. Ky është njëri hap i guximshëm dhe i detyrueshëm, pasi ecuria e deritanishme tregon se të ardhurat nuk janë në përputhje me planin dhe se kuadri i ri makroekonomik 2012-2014, ka ndryshuar skenarin e rritjes ekonomike, nga 4.1 për qind, në 3 për qind. Mësohet se vendimi është marrë pak ditë më parë nga Këshilli i Ministrave, ndërsa zyrtarë të financave thonë “se nuk kanë ende një material të plotë, pasi është në fazën e zbardhjes së ndryshimeve”.
Me rishikimin e rritjes ekonomike, duke e ulur atë, ndoshta si manovër për të bindur Bankën Botërore dhe duke treguar vullnetin e konsensusit, qeveria i hap rrugë një tjetër situate delikate, atë të rishikimit të buxhetit, “për herë të dytë”, gjithnjë në letër dhe teori, pas 0.5 të deficitit buxhetor.
Të forta, por të detyrueshme
Duket qartë se për zyrtarët e Ministrisë së Financave misioni i negocimit me Bankën Botërore nuk ka qenë i lehtë. Nën zë ata shprehin se kushtet e paraqitura janë të forta, e madje nuk përjashtohet mundësia e mosaprovimit. “Të ulësh deficitin buxhetor me 0.5 pikë përqindje, brenda një kohe të shkurtër nuk është e lehtë dhe me pasoja për ne”, thotë një nga negociatorët e palës shqiptare.
Në fakt ky është një nga kriteret, pasi për të përfituar nga skema e financimit, qeveria do të duhet ta ulë deficitin me 1 pikë përqindje edhe për dy vitet e tjera, në mënyrë që borxhi publik në fund të 2014-s të arrijë në 56 për qind, në raport me PBB-në, nga 58 për qind, të programuar nga qeveria.
Të realizosh planin e kërkuar duket e vështirë për qeverinë, e cila ka nisur një seri investimesh në infrastrukturë, ndërsa të bësh shkurtime shpenzimesh në vitin 2013, kur janë zgjedhjet e rëndësishme parlamentare, konsiderohet “kafshatë që s´kapërdihet”. Po ja që pala shqiptare e ka të nevojshme t´u bindet disa rregullave të ndërkombëtarëve, në kushtet kur vendi ende sundohet nga efektet e krizës globale dhe se shtetet partnere në rajon dhe Eurozonë janë të infektuara, duke mos dhënë atë nivel kontributi të mëparshëm.
Vitin 2011, buxheti e mbylli bilancin me një humbje prej 250 milionë dollarësh, madje në raport me planin e rishikuar, pasi me kuadrin e fillimvitit, dështimi do të dukej edhe më i madh.
Paketa oksigjen për ekonominë
Të marrësh në ditët e sotme kredi te Banka Botërore, po marrim mesataren e mundësisë, rreth 200 milionë dollarë dhe me interesa 2 për qind, nuk është e lehtë, sikurse nga ana tjetër konsiderohet sukses dhe nevojë për vendin e zhytur në borxhe.
Për këtë vit, Ministria e Financave parashikon të marrë rreth 41 miliardë lekë hua neto, që i bie 3 për qind e deficitit buxhetor, ku gati 19 miliardë lekë ka planifikuar t´i marrë te bankat private të nivelit të dytë në vend, kurse pjesa tjetër te bankat e zhvillimit, ku futen BERZH, BEI, apo dhe së fundmi BB-ja. Me dy institucionet e para, pala shqiptare ka siguruar paketa financimi për ndërtimin e rrugëve, me vlerë rreth 10 miliardë lekë, sikurse me Bankën Botërore është në diskutim e sipër për të realizuar disa marrëveshje financimi në projekte të ndryshme, të parashikuara kohë më parë.
Sa i takon paketës antikrizë nuk ishte planifikuar nga qeveria, të paktën katër muaj më parë, por fundi i vitit krijoi një situatë të re. Në rast se merret kredia, qeveria do ta ketë më të lehtë të menaxhojë situatën financiare, sidomos te bankat e nivelit të dytë, duke ulur presionin kreditues dhe duke i dhënë mundësi ekonomisë për financime. E gjithë shuma do të shkojë për mbështetje buxhetore, por jo për ndërtim rrugësh, sektor që BB e ka vendosur në plan të dytë, duke konsideruar prioritet shëndetësinë dhe arsimin.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.