Flet Ida Shehu, Drejtore e Përgjithshme e Raiffeisen Leasing Sh.a.
Shqiptarët po orientohen gjatë 2018-s drejt makinave të shtrenjta të luksit dhe kjo ka rritur mesataren e financimit nga institucionet që operojnë aktualisht në tregun e qirasë financiare (leasing). Ky është edhe ndryshimi me vitin 2017 që nënvizon Drejtorja e Përgjithshme e Raiffeisen Leasing Sh.a., Ida Shehu.
Sipas saj, ka një ulje të kërkesave të individëve në vitin paraardhës dhe atë aktual, që është zëvendësuar nga kategoria biznes. Ka pasur gjithashtu një rritje kërkese nga klientët mikro, e nisur vitin e kaluar që po vijon. Ndërkohë sektori i ndërtimit, falë rigjallërimit, ka rritur praninë në këtë treg.
Si ka qenë ecuria e këtij tregu gjatë vitit 2018 nga të dhënat që keni paraprakisht?
Aktualisht, në treg operojnë 5 kompani leasing dhe 2 banka të cilat në produktet e tyre kanë dhe qiranë financiare (leasing). Tregu i leasing, edhe për 2018, vazhdon të dominohet nga Raiffeisen Leasing, që zë 40% të totalit të disbursuar nga të gjitha kompanitë së bashku. Në krahasim me vitin e kaluar, ecuria ka qenë pothuajse e njëjtë për sa i përket numrit të kërkesave. Në ndryshim me vitin e kaluar, është rritur mesatarja e financimit, pasi klientët janë orientuar nga makinat e shtrenjta.
Si e shihni qasjen e dy kategorive kryesore, bizneseve dhe individëve për të përfituar nga produktet që ofron tregu i qirasë financiare në vend?
Pas kaq vitesh, klientët kanë krijuar një qasje pozitive ndaj produktit të leasing. Kur një kompani ose individ interesohet për blerje automjetesh, pajisjesh ose makineri dhe ka nevojë për burime financiare, leasing është gjëja e parë që ju shkon ndër mend. Interesat konkurrues, procedurat e miratimit të shpejta, pa pasur nevojë për kolaterale shtesë, e bëjnë leasing-un një nga produktet e financimit më tërheqës në treg. Për 2018-n është vënë re një ulje e theksuar e kërkesave të individëve, e cila është zëvendësuar nga rritja e kërkesës nga kategoria biznes.
Si e cilësoni ecurinë e tregut gjatë vitit 2017 dhe çfarë tendencash u vunë re në të, qoftë dhe anemike?
Gjatë 2017-s, tregu i automjeteve pati rritje të lehtë në raport me 2016. Ajo që u vu re në 2017 krahasuar me 2016 ishte se pati një kërkesë në rritje për automjetet e luksit. Kërkesa për automjete pune dhe automjete për shërbime transporti pasagjerësh, të cilat janë dhe fokusi kryesor i yni, ka qenë shumë e ulët.
Të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë tregojnë se ka një rritje me rreth 4 milionë USD të portofolit të qirasë financiare në vitin 2017 ndikuar nga mjete transporti personale dhe pune? Si e shpjegoni këtë?
Rritja e portofolit lidhet me zgjedhjet e klientëve, siç e përmendëm në fillim. Me rritjen e kërkesës për mjete luksi është rritur ndjeshëm dhe mesatarja e financimit, e cila ka ndikuar ndjeshëm në rritjen e portofolit të qirasë financiare gjatë 2017. Ka pasur kërkesa për mjete pune, por jo që kanë ndikuar në rritjen e portofolit krahasuar me vitet e kaluara.
Si shfaqet pjesa e problematikave në këtë treg e lidhur kjo me aftësinë paguese të përfituesve, flasim këtu për kreditorët problematikë?
Kryesisht portofoli i leasing nuk paraqet probleme për sa i përket aftësisë paguese të klientëve. Kjo pasi pjesa më e madhe e përfituesve e konsiderojnë leasing-un si një shërbim, më tepër si një plotësim i nevojave të tyre.
Në kuadër të nismës së deeurozimit, edhe pse kjo nuk përfshin leasing, a ka një tendencë për të shkuar drejt produkteve që ofrohen në lekë dhe jo në euro? Ka ndonjë zhvillim në këtë treg?
Në lidhje me këtë pikë, nuk kemi pasur probleme, pasi ne operojmë në monedhën euro, duke qenë se dhe partnerët tanë, në rastin konkret koncesionarët, operojnë në të njëjtën monedhë. Edhe klientët pagesat e tyre i kryejnë në të njëjtën monedhë.
Cilët janë sektorët që kanë pasur edhe kërkesën më të lartë sa u përket mjeteve të transportit të punës apo pajisje pune dhe linja prodhimi?
Gjatë 2017-s u vu re rritje e kërkesave nga klientë mikro, e cila po vazhdon edhe këtë vit. Ka një rënie të theksuar të klientëve individë. Kryesisht kërkesa nga kategoria biznes janë vetëm për automjete pasagjerësh. Kemi kërkesa në rritje për mjete transporti dhe makineri ndërtimi, për shkak për sa u përmend më sipër të riaktivizimit të industrisë së ndërtimit në sektorin privat.
Çfarë mund të bëhet për të nxitur më tej rritjen e këtij tregu në vend?
Tregu i leasing ndërvepron me tregun e automjeteve të reja dhe zhvillimi i tij është i varur nga subjektet që operojnë në këtë fushë, kryesisht kompanitë koncesionare të automjeteve, pajisjeve dhe makinerive që operojnë në këtë vend. U takon kompanive koncesionare që të ndërmarrin hapa në zhvillimin e një sjellje konsumatore që e orienton individin te blerja e automjeteve të reja. Një konsumator i informuar padyshim që i shërben rritjes.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.