Nëse robotët nuk do të na i zënë të gjitha vendet e punës

12/10/2019 10:02 PM 0 komente

Rreziku i vërtetë për prosperitetin e ardhshëm mund të jetë pakësimi i numrit të robotëve dhe jo rritja e tyre. Një skenar imagjinar nga viti 2030

 

Sot (2030) është e vështirë të besohet se pak më shumë se një dekadë më parë, njerëzit ishin vërtet të shqetësuar se robotët do t’i zëvendësonin ata në pjesën më të madhe të vendeve të punës, shkruan The Economist. Nëse do të rikthehemi pas në 2018, Kryeekonomisti i Bankës së Anglisë, Andy Haldane, paralajmëroi se një numër i madh njerëzish do të mbeteshin të papunë si pasojë e zhvillimit të teknologjisë.

Sipas tij, “revolucioni i katërt industrial” i automatizimit dhe Inteligjencës Artificiale (IA) do t’i krijonte më shumë probleme jetës së njerëzve në krahasim me tre revolucionet industriale të së kaluarës. Robotët do të merrnin kontrollin mbi gjithçka. Nuk do të kishte më kohë të lirë por papunësi masive. Paralajmërime të ngjashme u bënë edhe në takimin e Forumit Ekonomik Botëror të po atij viti të Davos.

Disa prej librave më të shitur të atyre viteve flisnin për një shoqëri të ardhshme e cila do të ishte ndarë në botën e të pasurve dhe të varfërve dhe pjesa tjetër do të ishte e përbërë nga klasa e varfër e papunë e qeverisur nga qeveri shtypëse, të cilat do të ishin gjithmonë në përpjekje për të frenuar pakënaqësitë sociale. Por robotët nuk i morën të gjitha punët, dhe sot në vitin 2030, shumica e botës po përballet me një problem tjetër, plakjen e popullsisë dhe zvogëlimin e fuqisë punëtore. Por çfarë ndodhi me marshimin e supozuar dhe të paepur të “makinerive teknologjike”?

Në kulmin e shqetësimit mbi apokalipsin e ardhshëm të vendeve të punës, në fund të viteve 2010, njerëzit më të rrezikuar mendohej të ishin punëtorët e moshuar dhe ata të pakualifikuar. Në vitin 2017, Instituti Global McKinsey, pjesë e një konsulence biznesi, parashikoi se 800 milionë njerëz në 46 shtete, ose afërsisht një e treta e fuqisë punëtore, mund të humbisnin vendet e punës dhe të zëvendësoheshin nga makineritë deri në vitin 2030. Punëtorët e moshuar mendohej se ishin veçanërisht të rrezikuar, sepse ata ishin të angazhuar në industritë prodhuese, lloji i punës që ishte edhe pikërisht më i lehtë për t’u automatizuar.

Në 2018, Mercer, një tjetër firmë konsulence, përdori një indeks të riskut të zhvilluar nga Carl Frey dhe Michael Osborne nga Shkolla Oxford Martin për të llogaritur se tre të katërtat e punëtorëve kinezë mbi moshën 50 vjeç rrezikoheshin të zëvendësoheshin nga robotët. Në Amerikë, pak më shumë se gjysma e punëtorëve të moshuar, prekeshin nga ky rrezik, ndërsa në Gjermani dhe Itali, rrezikoheshin rreth 60% e punëtorëve të moshuar.

Por këto parashikime të tmerrshme nuk ndodhën për dy arsye kryesore. E para ka të bëjë me faktin se Inteligjenca Artificiale arriti të avanconte me hapa aq të shpejtë sesa mendonin njerëzit se do të ndodhte. Në vitin 2018, Rodney Brooks, një profesor në Institutin e Teknologjisë të Masaçusetsit (MIT), parashikonte se kategoria e shoferëve do të mbetej e papunë deri në fillim të viteve 2030 për shkak se të gjitha makinat tradicionale me shofer do të zëvendësoheshin nga makinat me vetëdrejtim. Disa vite më parë parashikimi i tij edhe mund të kishte rezultuar të ishte i vërtetë.

Gjatë viteve 2020, robotët u përhapën në shumë industri, duke ndryshuar shumë prej tyre dhe duke zëvendësuar një pjesë të madhe të proceseve të punës mekanike. Por rezultoi që kostoja e tyre të mos ishte aspak e lirë dhe ata nuk mund të zëvendësonin njerëzit në punë si ato të infermierëve, mjekëve apo të kujdestarëve socialë, në të cilat ndjeshmëria njerëzore luan një rol shumë të rëndësishëm.

Së dyti, vitet 2020 treguan se niveli i punësimit nuk kërcënohej vetëm nga punësimi, por edhe nga plakja e popullsisë dhe emigracioni. Teksa popullatat po plakeshin, shtetet e pasura vunë re se fuqia e tyre punëtore po tkurrej shumë. Shumë prej këtyre shteteve investuan duke rritur numrin e robotëve dhe duke lënë më shumë emigrantë të hynin në shtetet e tyre, duke plotësuar numrin e vendeve të punës të lira si pasojë e mungesës së fuqisë punëtore dhe duke rritur produktivitetin.

 

Ndihma ishte e domosdoshme

Britania ishte një shembull ekstrem. Në vitet 2020, ekonomia e saj po vuante ende goditjen tregtare të Brexit dhe sistemi i saj politik ishte i paqëndrueshëm. Problemet afatgjata ishin ato demografike, të përkeqësuara nga vështirësia në rritje e punësimit të emigrantëve. Mes viteve 2000 dhe 2015, popullsia britanike u shtua me 11% dhe fuqia punëtore u rrit me 14%, falë një fluksi të punëtorëve të lindur jashtë vendit. Gjatë 15 viteve të ardhshme, këto tendenca ndryshuan tërësisht. Teksa ndikimi i plakjes së popullsisë filloi të ishte gjithnjë e më i madh, popullsia u rrit me vetëm 6.5% midis 2016 dhe 2030, ndërsa migrimi neto ra në disa mijëra persona në vit. Fuqia punëtore u rrit me vetëm 1% në total gjatë kësaj periudhe.

Por problemi i mësipërm nuk ishte pakapërcyeshëm. Në fund të fundit, fuqia punëtore, edhe pse në nivele të ulëta, ishte në rritje, ndryshe nga Japonia apo Kina. Por Britania tashmë po vuante nga mungesa e punëtorëve, situatë e cila u përkeqësua papritmas. Në vitin 2015, 35% e punonjësve në fushën e mjekësisë dhe kujdesit social, një nga punëdhënësit më të mëdhenj të Britanisë, ishin mbi 50 vjeç, 18% e të cilëve me origjinë të huaj. Një sondazh i kryer në vitin 2015 zbuloi se një e treta e mjekëve në Shërbimin Kombëtar të Shëndetit do të dilnin në pension në vitin 2020. Prandaj, kur mjekët të dilnin në pension dhe infermieret spanjolle të ktheheshin në atdhe, shteti do ta kishte gjithnjë e më të vështirë për t’i zëvendësuar ata, duke krijuar një seri skandalesh dhe duke dëmtuar më shumë reputacionin të shkatërruar të shërbimit shëndetësor.

Në mënyrë të ngjashme edhe premtimet e qeverive të njëpasnjëshme për të ndërtuar më shumë shtëpi, u përballën me problemin e mungesës së fuqisë punëtore. Në vitin 2018, dy të tretat e firmave të vogla dhe të mesme të ndërtimit thanë se nuk mund të gjenin mjaftueshëm muratorë dhe marangozë. Ndërkohë, Brexit nënkuptonte që mundësitë për të importuar punëtorë të huaj, të zhdukeshin krejtësisht në vitet 2020. Nëse Britania do të kishte investuar më shumë në automatizim, ajo mund të kishte qenë në gjendje për ta përballuar më mirë situatën. Sipas një studimi të Daron Acemoglu nga Instituti i Teknologjisë të Masaçusetsit (MIT), dhe Pascual Restrepo nga Universiteti i Bostonit, të kryer në 2018, popullsia e shteteve, e cila ka probabilitet të lartë për t’u plakur duhet të investojnë më shumë në drejtim të robotikës, duke mundësuar vazhdimin e rritjes së PBB-së, në nivele shumë më të larta se gjithkush mund të mendonte.

Megjithatë, Britania ishte shumë e prapambetur sa i takon zhvillimit teknologjik. Sipas Federatës Ndërkombëtare të Robotikës, “dendësia e robotëve” (numri i robotëve industrialë për 10,000 punëtorë në industrinë prodhuese) ishte vetëm 85 në 2017, krahasuar me një mesatare prej 106 në Europë dhe 710 në Korenë e Jugut. Sindikatat britanike teknofobe bënë të mundur që Britania të mos përparonte në këtë drejtim edhe në fillim të viteve 2020. Rezultatet ishin të dhimbshme.

Teksa fuqia punëtore nuk po rritej më, tregjet e punës u tkurrën dhe pagat u rritën. Prodhimi i përgjithshëm mbeti në stanjacion dhe të ardhurat tatimore ranë, duke reduktuar fondet në dispozicion për shërbimet publike dhe sociale, në të njëjtën mënyrë siç u goditën edhe nga mungesa e forcës punëtore dhe plakja e popullsisë. Numri i nxënësve për klasë u rrit shumë pasi kishte mungesë të madhe mësuesish. Standardet e shërbimit pësuan rënie në sektorët e kujdesit shëndetësor, transport, mikpritje dhe në sektorë të tjerë. Si pasojë e një sërë grevash, u arrit me sukses të mos lejohej rritja e moshës së daljes në pension.

Ashtu siç e përmendëm edhe më sipër, rasti i Britanisë ishte një shembull ekstrem, sepse edhe shtete të tjera u përballën me probleme të ndryshme, por i menaxhuan ato më mirë. Japonia dhe Koreja e Jugut kanë parë fuqitë e tyre punëtore të tkurren në terma absolutë, por duke investuar në robotikë, të dyja këto shtete e zbutën goditjen e tranzicionit demografik duke mbajtur në nivele të larta produktivitetin. Edhe Gjermania u përball me një fuqi punëtore në plakje dhe me mungesë të forcës punëtore, por ajo përfitoi shumë nga numri i lartë i emigrantëve që pranoi në vitet 2015-‘16. Popullsia e Amerikës nuk u plak me ritme aq të shpejta sa ato në shtetet e tjera të pasura, kështu që fuqia punëtore e saj nuk u tkurr shumë.

Pas viteve të izolimit të Presidentit Trump, shteti amerikan u bë më mikpritës ndaj emigrantëve dhe vazhdoi të ruajë investimet tradicionalisht të larta në automatizim. Sa i përket Kinës, fuqia e saj punëtore u tkurr në shifra të larta, duke dëmtuar përpjekjet e Partisë Komuniste për të pasur sistemin e duhur të pensioneve dhe sigurimeve shoqërore dhe duke e bërë të vështirë gjetjen e ushtarëve të mjaftueshëm për Ushtrinë Çlirimtare Popullore. Problemet sociale dhe pakënaqësia e lartë në populli, kanë pasur ndikim shumë të lartë në ambiciet globale të Kinës. Parashikimi në fund të vitit 2010, se zhvillimi teknologjik do të jetë kërcënimi më i madh i njerëzve, duke qenë se supozohej se robotët do të zinin një pjesë të madhe të vendeve të punës së njerëzve, nuk rezultoi të ishte i vërtetë. Edhe në atë periudhë, provat për një apokalips të vendeve të punës mungonin totalisht, sepse punësimi në të gjithë botën e pasur gjatë vitit 2019 arriti nivele rekord.

Kjo sugjeron se makineritë nuk do t’i zëvendësojnë njerëzit dhe ka qenë vetëm aftësia e këtyre të fundit për të hiperbolizuar gjithçka. Nëse do të kthehemi pas në kohë, të gjithë ata që ishin të pranishëm në Davos, ishin të shqetësuar për diçka krejtësisht të gabuar. Sot (2030) po përballet me një tjetër problem shumë të rëndësishëm, krejtësisht i kundërt me atë të viteve më parë: problemin e një bote në të cilin numri i robotëve sa vjen e po pakësohet.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of