Sa herë flasim për turizëm vetvetiu atë e identifikojmë me disa pika popullore siç është bregdeti i Jugut, Valbona, Apolonia apo Kruja por jo vetëm kaq. Në draft strategjinë e fundit për turizmin identifikohen disa zona që kanë pikërisht këtë pikë të fortë, potencialin e zhvillimit turistik. Referuar dokumentit lista e zonave të identifikuara me përparësi turizmin, përfshin: Brezin bregdetar, Parkun e Alpeve, Parkun e Bunës, Parkun e Vjosës, të gjitha njësitë administrative (në kufijtë e ish-komunave dhe ish-bashkive) me dalje në det, rrjedhat lumore dhe zona buferike rreth tyre, itineraret turistike dhe zona buferike përreth tyre dhe ishujt.
E njëjta strategji identifikon edhe disa itinerare që mund të ndahen në turistike, kulinare liqenore. “Turistiket identifikohen me Via Egnatia, Via Skënderbeg, Itinerari alpino – liqenor që lidhet përtej kufirit me itinerarin turistik të maleve Dinarike, Itinerari vozitës përgjatë liqeneve artificiale Koman – Fierzë, Itinerari kulinar – agroturistik” thuhet në dokument.
Po kështu janë marrë në analizë edhe akset rrugore panoramike dhe zonat e tyre buferike ku përfshihet aksi Përmet – Ersekë, Aksi Gjirokastër – Sarandë, Aksi e Qafë-Kërrabës, aksin Elbasan – Librazhd.
Në grupin e zonave me përparësi turizmin janë identifikuar disa zona në brendësi të territorit si Tërbufi, Mali i Dajtit, Liqenet e Lurës, Liqenet e Belshit, Liqeni i Shkodrës, Liqeni i Ohrit dhe i Prespës, Dardha, Voskopoja, Gjinari dhe Mali i Lënies, në afërsi të Rehovës.
Të fundit ndër kategoritë e përmendura në strategji janë sitet e UNESCO ekzistuese dhe të propozuara që nisin nga Gjirokastra dhe vijojnë me Beratin, Butrintin, Apoloninë, Varrezat e Selcës së Poshtme, zona natyrore dhe kulturore të Ohrit dhe Amfiteatri i Durrësit.
Zhvillimi i një pjese të këtyre zonave të identifikuara parashikohet që të mbështetet edhe me programe të tjera. Zona e Alpeve vetë si dhe Bregdeti kanë secila nga një plan të integruar për zhvillimin, kurse në mënyrë më periferike pritet që një ndikim të ketë edhe ndërhyrja përmes projektit “100 fshatrat”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.