Biznesi vendas ka ndalur investimet, duke pritur “kohë më të mira”. Të dhënat nga disa organizata biznesi në vend konfirmojnë stepjen e pjesës më të madhe të sipërmarrjeve vendase për të ndërmarrë financime, qoftë për zgjerimin e sipërmarrjeve aktuale, qoftë për ngritjen e të rejave.
Klima negative e ekonomisë dhe efekti i fortë i krizës në vend, kreditimi minimal nga bankat, si dhe mungesa e likuiditeteve kanë shtuar pesimizmin e biznesit, duke ulur “hovin” e investimeve.
Kjo konfirmohet edhe nga të dhënat e Bankës së Shqipërisë, ku vërehet se 67% e kredisë për biznes në vitin 2011 është marrë në overdrafte dhe kredi për kapital qarkullues, në një vlerë prej rreth 50 miliardë lekësh.
Në vitin 2011, në mungesë të projekteve të shëndetshme për investime të reja, kërkesa e bizneseve për kredi është dominuar nga ajo për financimin e kapitalit qarkullues. Zgjerimi i kapitalit qarkullues rezulton rreth 40% më i lartë se në vitin 2010. Me gjithë interesat e larta të overdrafteve, që arrijnë deri në 20%, biznesi e ka parë si mjet të shpejtë financimi, duke e çuar këtë lloj huamarrje në nivelin e 15 miliardë lekëve.
Drejtori i “Biznes Albania”, Bardhi Sejdarasi, tregon se në fund të vitit 2011, realizuan një sondazh me 500 kompani në të gjithë vendin, përfshirë pothuajse të gjithë sektorët e ekonomisë.
“Më shumë se gjysma e të pyeturve deklaruan se nuk do të ndryshonin asgjë nga plani i tyre i investimeve krahasuar me një vit më parë. Mbi 30% deklaruan se do të ngurtësonin investimet, në pritje të një situate më të favorshme pas krize. Treguesit realë të tremujorit të parë të vitit, edhe pse jo të plotë, flasin për nivel të ulët të investimeve private”, thotë Sejdarasi.
Në këtë situatë, shoqatat e bizneseve i kanë bërë thirrje bankave që të rishikojnë kushtet e kredive, duke synuar një rigjallërim të investimeve dhe ekonomisë në tërësi.
Në fund të vitit 2011, raporti i kredisë në sektorin privat ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto ishte 40%, me rritje më pak se 2 pikë përqindje.
Bankat kanë konfirmuar ndërkohë në deklaratat e tyre (botuar në “Monitor”) se këtë vit do të ketë ritme mw tw ulwta rritjeje në kreditim për të gjithë sektorët.
Nga ana tjetër, edhe pse sektori privat ka shënuar rritje të lehtë të numrit të të punësuarve, vihet re “stanjacion” në sektorët prodhues, si industria që vijon të ruajë të njëjtën peshë në totalin e punësimit në vend. Rritje kanë regjistruar shërbimet dhe transporti e telekomunikacionet.
Pse nuk investohet?
Rreth 95% e bizneseve në vend janë subjekte të vogla dhe ku tregtia, bashkë me riparimin e makinave dhe pjesët e këmbimit zënë peshën kryesore, një tregues për konkurrueshmërinë e ulët që ka ekonomia shqiptare dhe që vazhdon të dominohet nga sektorë që nuk sjellin prodhim të brendshëm, por më së shumti rritje të importeve.
Ndërtimi, dikur një nga sektorët më potencialë, sot mund të jetë një nga “zonat” me risk për të investuar. Hajredin Fratari, kryetar i Konfindustrisë Shqiptare, tregon se në ndërtim sot është shumë e vështirë të shesësh, ndaj dhe ngritja e komplekseve të banimit do të ishte një investim me rrezik.
“Sot është e gabuar të ngresh pallate. Jemi në një periudhë që nuk ka fuqi blerëse dhe si pasojë, nuk ke se ku të shesësh”, thotë Fratari.
Sektori i ndërtimit zë 13% në Prodhimin e Brendshëm Bruto, ose mbi 1.2 miliardë dollarë dhe borxhet në këtë sektor përllogariten të kenë arritur në rreth 100 milionë dollarë. Shoqata e Ndërtuesve rendit disa faktorë që rrezikojnë sektorin dhe çojnë shumë firma drejt falimentit, kryesisht për shkak të borxheve të mëdha dhe barrës së taksave, apo kostot e fshehta që lidhen me procedurat burokratike. Duke nisur me apartamentet që nuk po shiten, firmat e rrugëve të zhytura në borxhe, për shkak se qeveria nuk likuidon faturat, me taksat e larta (parapagimi i tatimfitimit), mungesa e lejeve dhe e planeve rregulluese, si dhe kriteret përjashtuese në tenderë, janë faktorët që rëndojnë gjithnjë e më shumë në aktivitetin e ndërtimit, ku dhe numri i të punësuarve është më i madhi në vend.
“Deficitet e ndjeshme në pagesat për firmat që kanë punuar në realizimin e punëve publike, bashkuar kjo dhe me pagesat për kreditë e marra nga bankat për këtë qëllim, kanë sjellë një vështirësi të madhe për këto firma”, thotë kryetari i bordit të shoqatës, Luigj Aleksi.
Kjo ka çuar në mungesa të mëdha të likuiditetit në fushën e investimeve të infrastrukturës dhe për kompanitë e ndërtimit atyre që janë të lidhura me këtë sektor. Kompanitë e infrastrukturës nuk mund të pranojnë deklarimet zyrtare të shlyerjes së preventivëve, për shkak se punimet e realizuara janë shumë më tepër se sa grafiku i deklaruar dhe kjo bëhet për të qenë pjesë e tenderëve të radhës, për shkak të investimeve kolosale në inventarin e makinerive e pajisjeve të ndërtimit të infrastrukturës.
E njëjta situatë është edhe në sektorë të tjerë të vendit, ku bizneset shprehen të rezervuara në realizimin e investimeve të reja.
“Në fazën aktuale, ‘Balfin Group’ nuk ka shtyrë asnjë nga investimet e planifikuara, por duke konsideruar situatën e përgjithshme ekonomike, trendet e segmenteve të tregut në sektorë specifikë, ‘Balfin Group’ është më konservativ në analizat e projekteve dhe kthimin e investimit. Kjo metodë është aplikuar edhe në vitin e kaluar dhe si rrjedhojë nuk kemi projekte të cilat do të shtyhen në kohë”, thotë Edlira Muka, zv/presidente e një prej kompanive më të mëdha në vend, “Balfin Group”.
Çfarë propozohet
Për përfaqësuesit e organizatave të biznesit, sot ajo që i është këshilluar sipërmarrësve është të shikojnë mundësi të reja investimi, si në bujqësi apo në industri përpunuese, ku ka kërkesë të lartë dhe ofertë të ulët nga vendi.
“Nuk mund të themi që biznesi nuk ka para, sepse edhe shifrat zyrtare të Bankës së Shqipërisë flasin për rritje të kursimeve. Sot jo vetëm është një periudhë në të cilën bizneset kanë frikë të investojnë, por edhe hapësirat se ku mund të investosh janë tepër të limituara”, thotë Fratari.
Pas masave të fundit të vlerësuara të qeverisë, si p.sh. heqja e TVSH në importin e makinerive e pajisjeve, sipërmarrësit shohin si mundësi të mëdha për investime të reja, sektorin e regjimit të përpunimit aktiv, të industrisë së përpunimit të drurit, të agropërpunimit, të ndërtimit të rrugëve etj. Por nuk duhen përjashtuar edhe investimet në proces në fushën e hidrokarbureve, të biokarburanteve, të mineraleve etj.
“Në momentin aktual, kur vendi ynë po lëkundet për të qenë konkurrent në rajon, pasi shumë nga vendet fqinje po përdorin dhe zbatojnë politika fiskale për të tërhequr investitorë të rinj e të fuqishëm që u larguan nga Lindja problematike, ky është një hap për të marrë në konsideratë këtë biznes nga qeveria. Është momenti kur Shqipëria duhet të hedhë hapin e një standardi më të lartë kualitativ, kundrejt klientëve të saj aktualë italianë e grekë, por dhe të tërheqë më shumë francezë e gjermanë e pse jo dhe të ndonjë vendi tjetër”, thotë Lindita Legisi, presidente e Dhomës Kombëtare të Prodhuesve të Veshjeve, organizatë që përfaqëson interesat e biznesit të fasonit në vend.
Por ndërkohë biznesi thotë se duhet ndërhyrë te bankat, që kanë ngritur barriera të pakapërcyeshme nga biznesi, përpos edhe interesave jokonkurruese të kredive.
Edhe qeveria duhet të ofrojë incentiva më favorizuese për kompani e subjekte të huaja, duke u bazuar edhe te shembujt pozitivë të rajonit.
“Duhet këmbëngulur për të stimuluar bankat tregtare të fillojnë të kreditojnë më mirë e më shpejt ekonominë, pavarësisht faktit të rritjes së frikshme të kredive të këqija. Banka e Shqipërisë duhet të gjejë mekanizma direkte e indirekte për të transmetuar më mirë e më shpejt politikat e saj monetare te sistemi bankar”, thotë Bardhi Sejdarasi i “Biznes Albania”.
Po dështojmë tek investimet e huaja
Por duket se edhe investitorët e huaj nuk kanë gjetur një klimë të mirë në Shqipëri për bizneset e tyre. Shifrat zyrtare të Bankës së Shqipërisë konfirmojnë 430 milionë euro investime të huaja gjatë 9 muajve të parë të 2011-s, 26% më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Me gjithë përpjekjet e qeverisë për të joshur investitorët përmes taksës së sheshtë, reduktimit të burokracive në licencim, regjistrim etj., apo dhe incentivave për investime, ku hapi më i fundit ishte heqja e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për importin e makinerive, vendet e rajonit janë duke tejkaluar Shqipërinë. Një nga shembujt më pozitivë është Serbia, e cila po e kthen krizën në Eurozonë në favor të saj, duke “joshur” kompani të mëdha multinacionale që të kryejnë investime. Në 2011-n, Serbia përllogaritet të ketë thithur rreth 2 miliardë dollarë investime të huaja, më shumë se dyfishi i Shqipërisë dhe ka arritur të tërheqë kompani si “Michelin”, “Benetton”, “Boschm”, etj., duke ngritur industri prodhuese dhe duke rritur ndjeshëm numrin e të punësuarve.
Ndërkohë që Shqipëria po josh investitorët kryesisht në energjetikë apo riciklim (shih intervistën e Eneida Guria, AIDA), Serbia e Maqedonia janë duke nxitur investime të brendshme dhe të huaja, duke mbuluar kosto për të punësuarit, duke i ofruar kompanive fonde, ku qeveria paguan deri në 13,000 dollarë për çdo vend të ri pune ose deri në 20% të totalit të investimit në investimet kapitale.
Biznesi shqiptar sugjeron se kjo do të ishte mënyra më efikase për të rritur investimet e brendshme dhe të huaja në vend dhe duke garantuar një rritje të ndjeshme të punësimit.
“Shumë kompani të mëdha të veshjeve, si ‘Benetton’, ‘Calzedonia’ etj. kanë shpërngulur investimet e tyre në Serbi, duke na rrëmbyer një shans shumë të mirë për sektorin”, thonë fasonistët.
Ndërkohë, edhe Turqia, që në 2011-n ka regjistruar një rritje të PBB-së në nivelin e 8% ka hartuar një skemë tërësisht të re për investimet, me synimin për të rritur investimet e brendshme dhe të huaja, në rajonet më të varfra të vendit.
INTERVISTA/ Flet Eneida Guria, drejtore e Agjencisë së Zhvillimit të Investimeve (AIDA)
Interes në energjetikë dhe riciklim
Cilët janë investitorët e mëdhenj dhe sektorët me interes për të investuar në Shqipëri?
Të dhënat e fundit të publikuara nga Banka e Shqipërisë tregojnë se sektorët ku ka pasur nivel më të lartë investimesh në Shqipëri kanë qenë ai i industrisë përpunuese, minerare dhe transporti e telekomunikacioni. Sektor me interes për investitorët e huaj mbetet ai i prodhimit të energjisë, kryesisht asaj të rinovueshme hidro, por edhe format e tjera si energjia diellore apo e përpunimit të mbetjeve për të prodhuar energji (waste to energy), ku kemi parë një numër në rritje të interesit të kompanive të huaja që kontaktojnë me agjencinë.
Si po pozicionohet Shqipëria për investimet e huaja në rajon, duke pasur parasysh rritjen e ndjeshme të investimeve të huaja në Serbi?
Nëse i referohemi të njëjtit raport, i cili klasifikon Serbinë me nivelin më të lartë të Investime të Huaja Direkte në rajon (UNCTAD WIR 2011) po ky raport e rendit Shqipërinë të dytën në rajon për nivelin e IHD të hyra në vendin tonë në 2010-n. Duke theksuar edhe performancën ekonomike të Shqipërisë presim që i njëjti trend në rritje i investimeve të reflektohet për vitin 2011. Sidoqoftë dua të përmend se për sa i përket kushteve të ofruara për investitorët, Shqipëria ofron shumë mundësi për investime konkurruese në kushte të ngjashme apo edhe më të favorshme se vendet e rajonit. Kam parasysh këtu faktorë si lehtësia e hyrjes në tregun shqiptar, taksa e sheshtë prej 10% apo dhe kostot konkurruese të forcës punëtore. Për më tepër që Shqipëria, falë pozicionit gjeografik dhe MTL-ve me vendet e rajonit e më gjerë, mund të jetë një pikë strategjike për vendosjen e shumë projekteve që synojnë të kenë akses në një treg më të gjerë se ai vendas.
Përveç fasonit, në cilët sektorë të tjerë kemi avantazh forcën e lirë dhe të trajnuar të punës?
Ky është avantazh në të gjithë sektorët jo vetëm në fason, që për nga natyra punëson staf të pakualifikuar dhe me kosto të ulët. Paga mesatare në Shqipëri është më konkurruesja aktualisht në rajon dhe e kombinuar kjo me kualifikimet apo nivelin e arsimimit dhe numrat në rritje të studentëve përbën avantazh konkurrues për të gjithë sektorët ku kostot e stafit përbëjnë një faktor deciziv në vendosjen e një investimi në Shqipëri, por veçanërisht për të gjitha aktivitetet prodhuese apo përpunuese.
Çfarë po ndodh në rajon
Serbi
Në sajë të një politike eficiente për tërheqjen e investimeve të huaja, Serbia arriti një nivel rekord në rajon gjatë vitit të kaluar. Qeveria ndihmon kompanitë e huaja me krijimin e vendeve të punës. Serbia tërhoqi rreth 2 miliardë dollarë Investime të Huaja Direkte (IHD) në vitin 2011, bëri të ditur Dhoma e Tregtisë së vendit. Kompanitë e mëdha të huaja që hynë në Serbi në vitin 2011, përfshijnë: tregtuesin belg me pakicë “Delhaize”, kompaninë gjermane të elektronikës “Bosch”, prodhuesin italian të tekstileve “Benetton”, kompaninë amerikane të bakrit “Cooper Tires” dhe shoqërinë australiane e kristaleve, “Swarovski”. Me një ekonomi të dobët dhe nivel të lartë papunësie, që ka arritur në 24%, Serbia e ka vënë theksin në investimet e huaja, si një mënyrë për të ecur përpara dhe për të ndalur rritjen e papunësisë. Kryeministri serb, Mirko Cvetkovic, deklaroi se Serbia është bërë lideri rajonal për sa i përket Investimeve të Huaja Direkte, të tërhequra vitin e kaluar. Sipas firmës audituese KPMG, Serbia ka edhe një përparësi tjetër – taksat më të ulëta të biznesit në Europë. Qeveria paguan deri në 13,000 dollarë për çdo vend të ri pune ose deri në 20% të totalit të investimit në investimet kapitale.
“Michelin in Pirot”, në bazë të të cilit prodhuesi francez i gomave do të investojë 170 milionë euro për zgjerimin e kapaciteteve prodhuese në “Pirot” gjatë katër viteve të ardhshme. Ndërkohë, në bazë të projektit të mbështetjes së investimeve, Serbia ka miratuar 208,000 euro për “Gosa”-n, ose 4,000 euro për çdo punonjës të ri. “Gosa” do të investojë rreth 750,000 euro në zgjerimin e prodhimit në fabrikën e Zabari-t dhe vuri në dukje se kjo kompani ka aktualisht 257 punonjës dhe eksporton produktet e saj në të gjitha tregjet kryesore në Europë, kryesisht në Gjermani. Qeveria serbe po shikon një marrëveshje, që i mundëson kompanisë sllovene “Gorenje”, të ndërtojë një tjetër fabrikë në Valjevo. “Gorenje” në 16 muajt e ardhshëm do të ndërtojë një tjetër fabrikë në Valjevo, në një sipërfaqe prej 30,000 metrash katrorë dhe shtoi se vlera e investimit është 20 milionë euro, ku planifikon të marrë në punë 400 punonjës të rinj në tre vitet e ardhshme. Republika e Serbisë ka detyrimin për të mbuluar investimin me 20% të vlerës totale dhe të sigurojë infrastrukturën e biznesit.
Maqedoni
Që prej 1 shkurtit, qeveria është ofruar që të mbulojë gjysmën e kësteve mujore të huave për apartamente të reja për pesë vitet e para, por vetëm për pasuri që kushtojnë nën 900 euro/m².
Qeveria shpreson që të reduktojë çmimet e pasurive të paluajtshme, duke ofruar më shumë apartamente të ndërtuara nga shteti dhe duke i nxitur sipërmarrësit që të ulin çmimet e tyre që t’i bashkohen projektit.
Grupi gjerman i prodhimit të pajisjeve të automjeteve, “Draxlmaier Group Automotive” do të investojë 30 milionë euro në një fabrikë të re në Maqedoni që pritet të punësojë rreth 4,000 punonjës. Tërheqja e kompanive ndërkombëtare të prodhimit të pjesëve të makinave ka qenë një nga prioritetet e qeverisë në kuadër të strategjisë së saj për të reduktuar papunësinë. Vitin e kaluar, sipërmarrja indiane “Samvardhana Motherson Group” (SMG) gjithashtu filloi ndërtimin e një fabrike afër Shkupit. Njësi prodhimi kanë hapur dhe prodhuesi i amerikan i pajisjeve elektronike KEMET dhe kompanitë gjermane “Krombeg” dhe “Schubert”.
Mal i Zi, investime në turizëm
Hotele dhe resorte luksoze janë në fazë ndërtimi në Mal të Zi, duke synuar ta kthejnë vendin në një destinacion të rëndësishëm turistik. Hotelet dhe resortet “Regent” janë caktuar të menaxhojnë hotelin e parë që do të ndërtohet si pjesë e projektit Porto Montenegro në Mal të Zi, i cili pritet që të hapet në 2014-n.
Kompania zvicerane “Orascom Development”, që po ndërton një resort luksoz në gadishullin Lustica afër Tivarit, ka nisur punimet përgatitore për zbatimin e projektit, duke njoftuar një investim prej rreth 8 milionë eurosh për këtë vit.
Turqi, skemë e re për investimet
Kryeministri turk, Rexhep Tajip Erdogan, njoftoi një skemë të re stimuluese për mbështetjen e investimeve vendase dhe të huaja, duke mbështetur ndërkohë rajonet e pazhvilluara. Skema synon zvogëlimin e varësisë për mallrat e importuara të ndërmjetme dhe deficitin aktual të llogarisë, si dhe të kontribuojë në reformimin strukturor të sektorit industrial të vendit dhe balancimin në dallimet midis rajoneve, tha ai. Një karakteristikë e re e skemës stimuluese është që krahinat, që renditen në krye të zhvillimit social-ekonomik, do të bien nën gjashtë grupe për sa i përket prioritetit të stimujve. Provincat në grupin e gjashtë, kryesisht krahinat më të varfra lindore dhe juglindore, do të marrin mbështetjen më të madhe të investimeve. Qeveria do të paguajë shpenzimet e sigurimit të punonjësve mbi pagën minimale për 10 vjet për investimet e bëra në këto krahina. Qeveria është duke shtuar një shtyllë në nxitjen e investimeve strategjike përmes skemës aktuale. Investime strategjike që përfshijnë transportin, arsimin, minierat dhe disa destinacione turistike do të marrin stimuj në nivelin pestë të renditjes së krahinës, pavarësisht nga provinca ku investimi strategjik është bërë. Skema e re hyri në fuqi pas 1 janarit të këtij viti. “Me sistemin e ri, ne do të ndërhyjmë për përjashtime në TVSH, taksa doganore, reduktime tatimesh dhe ulje të primeve të sigurimit që paguajnë punëdhënësit”, tha Erdogan. Masat e reja kanë për qëllim edhe tërheqjen e investitorëve të huaj. Nxitja lejon investitorët që të reduktojnë taksat për të gjitha të ardhurat e fituara gjatë periudhës së mbështetjes së investimeve. Erdogan tha se programi i ka dhënë rëndësi të veçantë investimeve strategjike në mbrojtje, aviacion dhe industritë e hapësirës si dhe në industrinë biokimike, të cilën ai tha se do të marrin stimuj në normat e caktuara për rajonin e pestë më pak të zhvilluar në vend. Renditjet e krahinave janë të bazuara në të dhënat e Institutit Statistikor turk.
nbsp;
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.