Një shefe e re në krye të BQE-së

19/07/2019 10:04 PM 0 komente

Një ndryshim drejtimi nën udhëheqjen e Christine Lagarde ka pak gjasa të ndodhë

 

Kur Christine Lagarde u pyet vitin e kaluar nëse ishte e interesuar për një pozicion pune në Europë, liderja e FMN-së, u shpreh e painteresuar, duke dhënë një përgjigje të prerë: Jo, Jo, Jo! “Unë jam në krye të një institucioni shumë të rëndësishëm dhe mbi të gjitha, bëj një punë të cilën e pëlqej dhe nuk dua ta lë drejtimin e anijes sime dhe të përballem me situata të paparashikuara”, shkruan The Economist.

Por, ecuria politike është aq e paparashikueshme, sa që në 2 korrik ajo u zgjodh si kandidatja kryesore për të zëvendësuar Mario Draghi në Bankën Qendrore Europiane (BQE), si pjesë e paketës për plotësimin e vendeve të lira, në disa prej pozicioneve më të larta drejtuese në BE. Vendimi ishte befasues edhe për vëzhguesit e bankave. Emri i znj. Lagarde ka qenë që në fillim një nga kandidaturat e mundshme, por refuzimi nga ana e saj dhe mungesa e bagazhit ekonomik e kishin përjashtuar atë si një kandidate të mundshme.

Ashtu si Jerome Powell, kreu i Rezervës Federale të Amerikës, edhe znj. Lagarde është avokate me profesion. Por ndryshe nga z. Powell, ajo nuk ka asnjë përvojë në sektorin bankar, ndonëse ka mbajtur poste të ndryshme ministrore në Francë, madje edhe postin e ministres së Financave, përpara se të emërohej në krye të FMN-së. Përvojat e mëparshme të punës nënkuptojnë se në krye të Bankës Qendrore Europiane do të vendoset një person me aftësi të forta politike dhe komunikuese. Por, kur krahasohet me personat e tjerë në krye të këtij institucioni të rëndësishëm, mendohet edhe fakti se emërimi i saj do të thotë se Banka do të humbasë ekspertizën teknike, gjë që mund të jetë një kërcënim për ekonominë europiane.

Në mënyrë të pazakontë, zgjedhja e kreut të ri të BQE-së (mandati i z. Draghi përfundon në tetor) përkoi me zgjedhjet parlamentare europiane pesëvjeçare, duke lënë të lirë edhe një pjesë të madhe të posteve në institucionet më të rëndësishme europiane. Znj. Lagarde ka të drejtë të shqetësohet për ujërat e turbullta rreth anijes së saj të re dhe për situatat e papritura dhe të vështira, me të cilat duhet të përballet. Ekonomia e Eurozonës është goditur nga ngadalësimi në tregtinë globale dhe kërcënim i vazhdueshëm i shpërthimit të një lufte tregtare.

Edhe pse z. Draghi është përpjekur që situata të përmirësohet, normat e interesit gjithsesi janë në nivele negative dhe lehtësimi sasior është afër kufijve që vetë banka ka vendosur. Rritja e kërkesës në mënyrë të konsiderueshme do të thotë ose zgjerimin e mjeteve monetare, ose bindjen e qeverive, veçanërisht të veriorëve kursimtarë, për të zbatuar stimulin fiskal. Disa bankierë qendrorë, si Olli Rehn, kreu i Bankës Qendrore Finlandeze dhe anëtar i bordit vendimmarrës të BQE-së, mendojnë se duke u mbështetur në situatën aktuale, do të ishte i nevojshëm rishikimi i strukturës së politikës monetare të BQE-së.

Fatmirësisht, znj. Lagarde njihet për gatishmërinë për të dëgjuar opinione të ndryshme dhe admirohet për aftësinë për të vendosur mirëkuptim midis anëtarëve të FMN-së. Ndoshta, dy sfidat e saj më të mëdha në tetë vitet e qeverisjes në FMN ishin kriza e borxhit sovran në Greqi dhe, së fundmi, huaja e lartë për Argjentinën. Sipas Andrew Benito, nga banka e investimeve Goldman Sachs, qëndrimi i znj. Lagarde gjatë viteve në krye të FMN-së të bën të mendosh se ajo do të ndjekë thuajse të njëjtin rrugëtim me atë të z. Draghi. Ajo e mbështeti angazhimin e tij për të bërë “gjithçka që duhet” për të ruajtur euron dhe mbi të gjitha, në drejtim të mbështetjes ndaj lehtësimit sasior. Por a do të mundet znj. Lagarde të jetë po aq e suksesshme sa z. Draghi?

Nëse roli i znj. Lagarde në krye të FMN-së kishte një sfond më të gjerë, ku ajo diskutonte që nga çështjet që kishin lidhje me pabarazinë globale, e deri te ngacmimet seksuale, roli i saj në krye të BQE-së është më i ndryshëm, dhe mbi të gjitha më teknik. Veprimet dhe masat e ndërmarra nga z. Draghi mund të kenë qenë të guximshme dhe, mbi të gjitha, të suksesshme, sepse ai i njihte shumë mirë tregjet, por edhe ekonominë. E gjithë kjo e vendos ekipin e BQE-së në një pozicion të rëndësishëm.

Ekipi i ri përbëhet thuajse nga një numër i njëjtë avokatësh dhe ekonomistësh. Ashtu si ajo, Luis de Guindos, zëvendëskryetari i ri, i cili iu bashkua BQE-së vitin e kaluar, është një ish-ministër pa përvojë në politikën monetare. Benoît Cœuré, francezi në krye të operacioneve të tregut, largohet në dhjetor. Philip Lane, kryeekonomisti dhe një ish-akademik, mund ta gjejë veten duke marrë nën kontroll situatën.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of