Intervistë me z. Aldo Spahiu, Drejtor Ekzekutiv i Bordi i Mbikëqyrjes Publike
Katër vjet më parë, Bordi i Mbikëqyrjes Publike, nisi një reformë që synonte të vendoste themelet në të cilat duhet të kryhet veprimtaria e profesionit kontabël, si dhe organizatave profesionale, ku këta profesionistë janë anëtarë.
Tashmë, z. Aldo Spahiu, Drejtor Ekzekutiv i Bordit të Mbikëqyrjes Publike, pohon se krijimi i një federate kombëtare të profesionistëve kontabël, apo edhe një federate rajonale, do të ishte një nga hapat më të rëndësishëm për të ndikuar në përmirësimin e cilësisë, jo vetëm të anëtarëve të organizatave profesionale të kontabilistëve, apo organizatës profesionale të audituesve, por edhe vetë organizatave profesionale në tërësi.
Spahiu thotë se krijimi i një titulli profesional për Kontabilistët dhe Audituesit për të gjithë rajonin do të ndikonte ndjeshëm në përmirësimin e cilësisë, qëndrueshmërisë financiare, por edhe mbikëqyrjes së tyre.
Një titull rajonal ka në themel gjithë filozofinë e proceseve të integrimit dhe do të ishte një vlerë e shtuar, e cila do të ndikonte jo vetëm në përmirësimin e cilësisë së ofrimit të shërbimeve, por edhe forcimit të kapaciteteve teknike të subjekteve që ofrojnë këto shërbime. Një titull i tillë do të rriste jo vetëm eficiencën, por edhe efektivitetin e ofrimit të këtyre shërbimeve, veçanërisht për ato njësi ekonomike që operojnë në disa vende të rajonit.
Procesi i verifikimit të Kontabilistëve të Miratuar në tërësinë e vet ka përfunduar, megjithatë kuadri rregullator ka parashikuar disa dispozita tranzitore për të gjithë ata profesionistë që kanë aplikuar me vonesë për të kryer procesin e verifikimit, apo që janë në proces përmbushje të detyrimeve ligjore, në mënyrë që të ushtrojnë normalisht veprimtarinë.
Sfidat më të mëdha në implementimin e plotë të kësaj reforme janë të ndërlidhura me bashkërendimin dhe ndërmarrjen e hapave të mëtejshme nga disa grupe interesi. Më konkretisht, në mënyrë që të arrihet në realizimin e plotë të qëllimit të kësaj reforme, është i nevojshëm një rol më pro aktiv i organizatave profesionale të kontabilistëve të miratuar.
Secila organizatë duhet të ndjekë dhe monitorojë veprimtarinë e anëtarëve të vet, por edhe të çdo subjekti që mund të ofrojë këto shërbime, pa qenë anëtarë i këtyre organizatave, apo që mund të kenë problematika të ndryshme.
Gjithashtu, rol të rëndësishëm kanë edhe vetë bizneset, të cilat angazhojnë këta profesionistë. Bizneset duhet të ndërgjegjësohen, por edhe të ndërmarrin hapa konkretë në procedurat e emërimit apo angazhimit të këtyre profesionistëve, duke verifikuar licencën dhe duke kërkuar informacion të mëtejshëm në regjistrin publik lidhur me të drejtën e ushtrimit të profesionit nga këta profesionistë.
Ministria e Drejtësisë, në mënyrë të vijueshme, verifikon listën e ekspertëve të përfshirë në regjistrin e saj, duke kërkuar informacion për të gjithë profesionistët kontabël, subjekt i mbikëqyrjes së Bordit të Mbikëqyrjes Publike. Kjo veprimtari e Ministrisë së Drejtësisë i jep një vlerë të shtuar kësaj reforme, duke dhënë inkurajimin e nevojshëm që hapa të tjerë do ndiqen edhe nga institucione apo organizata të tjera.
Vlen gjithashtu për t’u vlerësuar edhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, e cila kryen verifikimet e nevojshme të këtyre profesionistëve kontabël, por edhe gatishmëria që ka treguar për të informuar apo dhënë informacionin e nevojshëm për Bordin e Mbikëqyrjes Publike për të gjithë ato subjekte që kanë qenë në proces investigimi nga Bordi i Mbikëqyrjes Publike.
Në raport me bashkërendimin për shkëmbimin e informacionit, ne vlerësojmë edhe rolin e Qendrës Kombëtare të Biznesit, megjithatë organizimi i takimeve të përbashkëta dhe ndërtimi i një plani veprimi të përbashkët është një nga objektivat që Bordi i Mbikëqyrjes Publike ka për të ardhmen, në mënyrë që në një periudhë afatmesme, ushtrimi i profesionit nga profesionistët, të cilët janë ushtrues dhe të publikuar në regjistër publik, të jenë të konsoliduar përfundimisht.
Lidhur me veprimtarinë e organizatave profesionale, edhe në kushtet e pandemisë gjatë vitit 2020, ato kanë luajtur një rol pozitiv në përmbushjen e kërkesave të kuadrit të ri rregullator, duke mundësuar realizimin e trajnimeve për edukimin e vijueshëm të anëtareve të tyre, por edhe në sensibilizimin e të gjithë zotëruesve të titullit Kontabël i Miratuar që kanë qenë në proces verifikimi për të përmbushur kërkesat e kuadrit rregullator.
Ka pasur ndërgjegjësim dhe angazhim të organizatës profesionale të audituesve ligjorë (IEKA), për të ndërmarrë të gjithë hapat e duhur, të cilët lidhen me përmirësimet e nevojshme të kuadrit rregullator që prek veprimtarinë e organizatës, por edhe angazhimin e saj për të dhënë kontributin në implementimin e kërkesave të kuadrit ligjor dhe rregullator në fuqi, si dhe bashkërendimin e veprimtarisë për të bërë përmirësime të mëtejshme në kuadrin aktual rregullator, edhe pse nevojiten hapa dhe vendime të mëtejshme konkrete, që do të mundësonin realizimin e qëllimit të mbikëqyrjes dhe mbrojtjen e interesit të publikut.
Meqenëse jemi te profesioni dhe organizatat profesionale, a mendoni se krijimi i një federate kombëtare të profesionistëve kontabël do të ndihmonte profesionin dhe cilësinë e shërbimeve, si dhe rritjen e rolit të këtyre profesionistëve si faktor vendimmarrës?
Krijimi i një federate kombëtare të profesionistëve kontabël, apo edhe një federate rajonale, do të ishte një nga hapat më të rëndësishëm për të ndikuar në përmirësimin e cilësisë, jo vetëm të anëtarëve të organizatave profesionale të kontabilistëve, apo organizatës profesionale të audituesve, por edhe vetë organizatave profesionale në tërësi.
Një nga problematikat që Bordi i Mbikëqyrjes Publike është përpjekur të rregullojë, është edhe lëvizja e anëtarëve nga një organizatë në tjetrën, veçanërisht kur një nga këta anëtarë është përzgjedhur subjekt i kontrollit të cilësisë apo investigimit, ose në rastet kur është subjekt i masave disiplinore, apo edhe në rastet kur nuk ka përmbushur detyrimet ndaj organizatës në të cilën është anëtar.
Krijimi i një federate të kontabilistëve të miratuar do të ndihmonte jo vetëm profesionistët kontabël, por vetë organizatat të cilat do të ishin anëtare të kësaj federate, duke mundësuar adaptimin dhe zbatimin e standardeve më të larta profesionale, por edhe bashkërendimin e disa aktiviteteve që ndërlidhen me njëra-tjetrën. Më konkretisht, një federatë e tillë do të ndihmonte në përmirësimin dhe konsolidimin e veprimtarive të lidhura me:
a) Kontrollin e cilësisë;
b) Investigimin;
c) Hartimin e programeve të provimeve të aftësive profesionale;
d) Përgatitjen dhe unifikimin e materialeve dhe teksteve për kandidatët që duan të futen në provimet teorike apo ato profesionale;
e) Bashkërendimin e procesit të funksioneve të Sekretarisë Teknike lidhur me procesin e provimeve;
f) Vendosjen e standardeve të funksionimit të një organizate që kërkon të jetë pjesë e federatës, duke mbështetur në këtë mënyrë edhe Bordin e Mbikëqyrjes Publike në proceset e vlerësimit dhe njohjes së organizatave profesionale;
g) Rritjen e cilësisë në ofrimin e shërbimeve nga anëtarët e organizatave anëtare, duke i mbështetur me materialet e nevojshme, praktikat e aplikueshme dhe interpretimin dhe asistencën në zbatimin e standardeve profesionale, apo kërkesave të legjislacionit në fuqi;
h) Krijimin e programeve apo certifikimeve të përbashkëta vetërregulluese;
i) Mbrojtjen e interesave të anëtarësisë së secilës organizatë, por edhe shkëmbimin e kapaciteteve teknike për të rritur objektivitetin në proceset e secilës organizatë;
j) Krijimin e një grupi ekspertësh apo lektorësh të përbashkët, të cilët do të angazhohen në proceset e trajnimit të profesionistëve kontabël;
k) Konsolidimin në një zë të vetëm, në raport me propozimet e nevojshme për ndryshime ligjore, apo përmirësimin e kuadrit rregullator.
Konsolidimi i profesionistëve në një federatë është vlerë e shtuar për profesionin dhe është një element që ka munguar në tërësinë e vet në Shqipëri. Nëse u referohemi praktikave ndërkombëtare në raport me funksionimin e federatave ndërkombëtare apo rajonale, por edhe forumeve, ajo që vihet re është vendosja e disa standardeve të larta për të qenë anëtar i këtyre organizatave, e cila më pas shoqërohet me një rritje të ndjeshme të imazhit dhe ndikimit të këtyre organizatave, qoftë në raport me veprimtarinë e anëtarëve të tyre, por edhe në raport me propozimin apo adaptimin e kuadrit rregullator.
Krijimi i kushteve për të promovuar një mjedis të përbërë nga profesionistë dhe një pikë referuese në të cilën lehtësisht mund të mbështeten edhe institucionet kombëtare apo ndërkombëtare në raport me vendimmarrjen e tyre, do të ishte një element pozitiv në zhvillimin e profesionit kontabël në Shqipëri.
Në ambiciet tuaja ka qenë fokus edhe Bordi Rajonal? Cilat janë hapat e ndjekura, vështirësitë dhe kur synohet të nisë një hap i tillë?
Në të vërtetë, krijimi i një Bordi Rajonal, do të ishte një hap tjetër mjaft i rëndësishëm në zhvillimin e profesionit kontabël. Një Bord Rajonal, apo një Forum Rajonal i Bordeve të Mbikëqyrjes Publike, do të krijonte një sinergji mjaft të rëndësishme në proceset e lidhura me kontrollin e cilësisë, por edhe rritjen e perceptimit publik në raport me ekspertizën rajonale. Dëshira jonë ka qenë mjaft e madhe në raport me këtë objektiv, por si rrjedhojë e shumë sfidave vendore, por edhe kushteve të pandemisë gjatë vitit të shkuar, kanë ngadalësuar dukshëm këtë proces.
Në të vërtetë, të gjithë mbikëqyrësit e rajonit takohen të paktën dy herë në vit në disa evente të lidhura me proceset e mbikëqyrjes dhe kontrollit të cilësisë të organizuar nga Banka Botërore. Ka qenë pikërisht këtu ku ka lindur edhe ideja, por edhe dëshira për të konsoliduar bashkërendimin e veprimtarisë së institucioneve tona, duke e bërë më të gjallë dhe më të prekshme këtë përvojë. Dëshira dhe vullneti për të rritur bashkëveprimin dhe bashkërendimin e veprimtarive ka qenë e madhe nga të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Ne kemi nisur procese diskutimi parimore me të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor përpara periudhës së pandemisë; me rregullatorët e Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi lidhur me bashkëpunimin në shkëmbimin e personelit në proceset e kontrollit të cilësisë, bashkëpunimin në proceset e lehtësimit dhe standardizimit të ushtrimit të profesionit midis profesionistëve të këtyre vendeve, por edhe pse jo, krijimin e një strukture solide në formën e një organizmi funksional, i cili do të shërbente si pikë qendrore për të ndërlidhur dhe për të konsoliduar bashkërendimin e rregullatorëve vendorë.
Për fatin jo të mirë, kushtet e pandemisë, por edhe mjaft sfida lokale që thuajse ngadalësuan shumë procese gjatë dy viteve të fundit, benë të pamundur arritjen e këtij objektivi brenda vitit 2020. Megjithatë, ky objektiv është ende i fortë në ambiciet tona dhe shpresojmë që të realizohet në vijim.
A mendoni se krijimi i një titulli profesional për Kontabilistët dhe Audituesit për të gjithë rajonin do të ndikonte ndjeshëm në përmirësimin e cilësisë, qëndrueshmërisë financiare, por edhe mbikëqyrjes së tyre?
Një titull rajonal ka në themel gjithë filozofinë e proceseve të integrimit dhe do të ishte një vlerë e shtuar, e cila do të ndikonte jo vetëm në përmirësimin e cilësisë së ofrimit të shërbimeve, por edhe forcimit të kapaciteteve teknike të subjekteve që ofrojnë këto shërbime. Një titull i tillë do të rriste jo vetëm eficiencën, por edhe efektivitetin e ofrimit të këtyre shërbimeve, veçanërisht për ato njësi ekonomike që operojnë në disa vende të rajonit.
Për më tepër, një titull i tillë do të ishte finalizimi i hallkave të diskutuara më sipër, që prekin krijimin e një federate kontabilistësh dhe më pas, të një Bordi Rajonal. Imagjinoni sa do ndikonte në imazhin ndërkombëtar një titull i tillë dhe sa atraktiv do të ishte për profesionistët jashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor marrja e një titulli të tillë dhe lehtësimi që u krijohet për të depërtuar në këtë treg.
Ky titull do të jepte edhe ndikimin e vet pozitiv në qëndrueshmërinë financiare, jo vetëm të këtyre organizmave rajonalë, por edhe të vetë organizmave kombëtarë, pasi një organizëm i tillë do ta ekspozonte këtë titull në nivel ndërkombëtar, ashtu sikurse janë titujt e ngjashëm si ACCA në fushën e auditimit ligjor, por edhe CFA në fushën e ekspertizës financiare.
Nëse u referohemi ekonomive të BE-së por edhe më gjerë dhe profesionistëve kontabël, çfarë mendoni se ka nevojë për adaptim më të mirë në Shqipëri, qoftë në raport me profesionet e lira jashtë vendit, por qoftë edhe me ndryshimet ligjore?
Nëse u referohemi ekonomive të BE-së, por edhe më gjerë dhe veprimtarisë së profesionit kontabël, mund të nënvizoj që profesioni kontabël në Shqipëri ka nevojë për disa përmirësime të mëtejshme, të cilat lidhen me fushën e veprimtarisë, por edhe vetë shtrirjes së mbikëqyrjes dhe rregullimit të profesioneve të tilla të ndërlidhura si kontabilisti ligjor (forensic accountant) apo kontabilisti i drejtimit apo menaxherial etj.
Për më tepër, nëse u referohemi këtyre praktikave, mendoj që kuadri ligjor ka nevojë për disa përmirësime të domosdoshme, të cilat garantojnë pavarësinë e Bordit të Mbikëqyrjes Publike, jo vetëm nga profesioni, por edhe nga institucione të tjera. Nëse u referohemi praktikave ndërkombëtare mund të gjendeshin forma hibride, ku përzgjedhja e anëtarëve të bordit (mbështetur në kërkesat e Direktivës dhe Rregullores 537, në të cilën kërkohen disa standarde të domosdoshme për kandidatët që përzgjidhen anëtarë të BMP-së), të garantojë vijimësi dhe pavarësi, si dhe një ekspertizë të njëjtë me ato të vendeve anëtare të IFIAR. Më konkretisht, një zgjidhje do të ishte që një pjesë e anëtarëve të Bordit të Mbikëqyrjes Publike të përzgjidhej nga një kombinim i disa rregullatorëve të tjerë të pavarur, Parlamentit por edhe botës akademike, të cilët kanë interes të drejtpërdrejtë nga veprimtaria e Bordit të Mbikëqyrjes Publike.
Gjithashtu, në gjykimin tim personal, mbështetur edhe në praktikat ndërkombëtare, mendoj se në perspektivë, ndryshimet ligjore duhet të konsiderojnë kalimin e realizimit të procesit të provimeve pranë organizatave profesionale dhe nga ana tjetër, kalimin e procesit të regjistrimit të audituesve ligjorë dhe profesionistëve të tjerë kontabël apo veprimtarisë së regjistrimit pranë Bordit të Mbikëqyrjes Publike.
Kjo do të mundësonte rritjen e cilësisë dhe pavarësisë së proceseve të certifikimit, ku vetë organizatat do të kishin mundësi të rrisnin jo vetëm kapacitetet e tyre teknike, por edhe qëndrueshmërinë financiare, kurse nga ana tjetër, Bordi i Mbikëqyrjes Publike do të mund të rriste rolin e vet në procesin e mbikëqyrjes, edhe nëpërmjet atributit të regjistrimit në regjistrin publik të ushtruesve të profesionit.
Një element tjetër i rëndësishëm është edhe struktura e financimit të Bordit të Mbikëqyrjes Publike, e cila përmes këtyre ndryshimeve të përmendura më lart, do të garantonte qëndrueshmëri financiare dhe të pavarur, jo vetëm për organizatat profesionale, por edhe për vetë Bordin e Mbikëqyrjes Publike.
Një element tjetër i rëndësishëm, i cili mund të sillte vlerë të shtuar do të ishte fuqizimi i rolit të komisionit të investigimit dhe krijimi i një Komisioni Apelimi Autonom, për të gjitha masat e marra, i cili mund të qëndronte, ose si hallkë e ndërmjetme, ose si hallkë e shkëputur përgjatë procesit të vendimmarrjes së masave disiplinore përpara se ato të ankimoheshin në gjykatë.
Është mjaft e rëndësishme që të garantohet përfshirja në këto procese e profesionistëve më të mirë të fushës, të cilët garantojnë zbatimin dhe implementimin, jo vetëm të kërkesave të direktivës, por të gjitha praktikave më të mira ndërkombëtare.
Provimet dhe regjistrimi i audituesve
Gjithashtu në gjykimin tim personal, mbështetur edhe në praktikat ndërkombëtare, mendoj se në perspektivë, ndryshimet ligjore duhet të konsiderojnë kalimin e realizimit të procesit të provimeve pranë organizatave profesionale dhe nga ana tjetër, kalimin e procesit të regjistrimit të audituesve ligjorë dhe profesionistëve të tjerë kontabël apo veprimtarisë së regjistrimit pranë Bordit të Mbikëqyrjes Publike
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.