Në Tiranë është hapur zyra e parë moderne e punës. Në ceremoninë e inagurimit mori pjesë kryeministri Edi Rama, ambasadori i BE-së në Tiranë Ettore Sequi, ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë Erion Veliaj.
Në fjalën e tij, ministri Veliaj u shpreh se nëpërmjet kësaj zyre do të bëhet e mundur rritja e punësit që do të bëjë të mundur edhe rritjen ekonomike.
Zyra e punës e cila është ngritur në bashkëpunim mes Agjencisë gjermane të punës dhe Shërbimit Kombëtar të Punësimit dhe do të jetë tek ish-Lidhja e Shkrimtarëve.
Gjithashtu ka nisur të funksionojë dhe një portal online modern për punëkërkuesit dhe punëdhënësit, që sipas ministrit Veliaj deri më tani ka publikuar 2180 vende pune.
Në fjalën e tij, kryeministri Edi Rama theksoi se punësimi është një nga objektivat më të rëndësishme të qeverisë.
Sipas tij, zyra e shërbimit të punësimit është shëmbëlltyra e parë e cilësisë së re të marrëdhënies mes shtetit me qytetarit.
“Ngritja e zyrave për shërbimet e punësimit meriton vlerësimin më të lartë. Plaga e papunësisë sidoms tek të rinjtë është e thellë dhe dhimbjet e saj janë shumë të forta në trupin e brishte të shoqërisë sonë. Hapja e vendeve të reja të punës është prioriteti ynë më i madh që ka të bëjë me ndryshimin e modelit të zhvillimit ekonomik të vendit” tha Rama.
Shefi i qeverisë shtoi se hapja e kësaj zyre moderne shpreh vendosshmërinë e qeverisë për të transformuar dhe modernizuar vendin.
“Jam pothuajse i sigurtë për rrugën e transformimit dhe modernizimit të shtetit. Hapja e zyrës është shprehja e vendosshmërisë së qeverisë. U deshën 20 vjet për të hapur një zyrë të tillë dhe ne e realizuam në 100 ditët e para të qeverisjes sonë.Kjo zyrë do të na vlejë të gjithëve edhe si një eksperiencë, për çfarë mund të bëjnë më mire, qeveria, punëndhënësi dhe punëkërkuesi. Kjo zyrë do t’i vlejë edhe Agjencisë federale të Punësimit për të thënë çfarë mund të bëjmë më mirë ne shqiptarët” shtoi Rama.
Nga ana e tij ambasadori i BE-së Ettore Sequi tha se BE ka dhënë 16 milionë euro në këtë sektor vitet e fundit dhe 4.5 milionë euro janë parashikuar t’i jepet mbështetje arsimit profesional dhe trajtimeve profesionale.
“Duam që Europa dhe Shqipëria të shikojnë drejt së ardhmes me shpresë e jo frikë. E ardhmja i përket atyre që suksesi është rezultat jo i koincidencave por ndryshimit “- tha Sequi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.