Nuk duhen planet, por aftësia për të planifikuar

24/09/2020 2:45 PM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Plani është një element statik, planifikimi një ushtrim i vazhdueshëm për menaxhimin e situatave; plani është rezultati (output), planifikimi është procesi

 

Në filmin e shumëvlerësuar me çmime, “Parasite”, babai i protagonistit, në kulmin e dëshpërimit për shkak të vështirësive dhe ndjesisë së dështimit, i përgjigjet të birit që i kërkon një plan për të dalë nga situata: “E di cili plan nuk dështon kurrë? Të mos pasurit e një plani. Ti bën një plan, por jeta nuk ecën kurrë kështu… Sa gjëra nuk janë siç i kishe planifikuar, e megjithatë, ti po i jeton ato? Kjo është arsyeja se pse njerëzit nuk duhet të bëjnë plane: pa një plan, asgjë nuk mund të shkojë keq. E nëse diçka të del jashtë kontrollit, nuk ka rëndësi…”.

Në film, këto fjalë nënvizojnë dëshpërimin dhe vullnetin për t’i jetuar gjërat, duke mos u rebeluar ndaj diçkaje nëse nuk po ecën siç do të duhej, por mund të jenë një pikënisje e vlefshme për të reflektuar se si duhet të përballemi me projektet tona, qofshin personale apo profesionale. Vite më parë, kompanitë vepronin në bazë të planeve shumëvjeçare, të cilat jepnin indikacione të qarta për të kuptuar përparësitë, investimet, rrugët e zhvillimit për biznesin dhe rrugët për rritjen profesionale të njerëzve të tyre.

Plani jepte siguri dhe qartësi, pasi realizohej në pjesën më të madhe. Me pak fjalë, në vazhdën e sukseseve, kemi mësuar gjithnjë e më mirë të ndërtojmë plane dhe të zhvillojmë teknika të ‘project management’ (menaxhimit të projekteve), të vëmë në jetë mjete dhe metoda për të ndërtuar plane dhe për t’i kontrolluar ato.

Në anën e njerëzve, në të njëjtën mënyrë, logjika e planit i ka drejtuar individët të përcaktojnë rrugëtimin profesional me hapa të saktë, duke imponuar në njëfarë mënyre kërkimin e një projekti të qartë zhvillimi. Sa prej nesh u është bërë pyetja: “Ku e shihni veten pas 3 apo 5 vitesh? Në çfarë pozicioni dhe çfarë hapash do të hidhni për të arritur aty?”.

Sot, me ndryshimet rrënjësore të kontekstit, ndryshimet e modeleve të biznesit dhe mënyrës së të punuarit, mutacionet dhe evolucionet në kontekstin social, çdo gjë është bërë më komplekse dhe e vështirë për t’u menaxhuar. Logjika lineare e marrëdhënieve shkak-efekt nuk funksionon më dhe duhet një qasje e re për të mësuar se si të menaxhojmë dhe drejtojmë gjithçka rreth nesh.

Për fat të keq, qasjen e re dhe korrekte nuk e njeh ende askush – dimë vetëm që duhet të jetë ndryshe. Ashtu siç në të njëjtën mënyrë dimë – pasi përsëritet shpesh në trajnimet për aftësitë – se vetëm 10% e profesioneve sot do të ekzistojnë ende pas 20 vitesh – por se cilat do të jenë profesionet e së ardhmes, nuk jemi në gjendje ende ta themi.

Besoj se përvoja e COVID-19 na ka mësuar shumë në këtë pikë dhe i ka dhënë një tronditje të fortë të gjithë sigurive të dobëta. Paradoksi është se në paqartësinë e qasjes që duhet të ndjekim, rreziku është të kapemi edhe më fort pas planeve, pasi shndërrohen si në një spirancë.

Dhe këtu, rreziku i rënies së protagonistit të filmit “Parasite” bëhet shumë i madh, pasi në një situatë të vështirë dhe gjithnjë e më pak të parashikueshme, plani në vetvete ka probabilitet të madh të dështojë.

Atëherë, siç këshillon personazhi i filmit, nuk duhet të bëjmë më plane? Këshilla është të bëni më pak plane, por më shumë planifikime. Mund të duket se ka një ndryshim të lehtë në gjuhësi, por nuk është kështu. Plani është një element statik, planifikimi një ushtrim i vazhdueshëm për menaxhimin e situatave; plani është rezultati (output), planifikimi është procesi.

Nevoja për qartësi na shtyn të favorizojmë të parën mbi të dytën – pasi të jetë përcaktuar një plan, ne shikojmë për realizimin e tij, duke mos vlerësuar më vlefshmërinë e tij apo supozimet mbi të cilat është ndërtuar. Ata që mbeten të përqendruar te plani, mbështeten në diçka fikse, e vështirë për t’u vënë në diskutim; ndërkohë ata që përqendrohen tek planifikimi dinë të rishikojnë vazhdimisht planet e tyre dhe mund të menaxhojnë me elasticitet dhe guxim ndryshimet gjatë rrugëtimit.

A mund të jetë një nga profesionet në 20 vitet e ardhshme “planifikuesi pa plane”?

*Giovanna Prina
Burimi: Il Sole 24 Ore

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of