Shoqata e Gastronomëve të Kosovës, ka kërkuar urgjentisht që të hiqet kufizimi i lëvizjes, për shkak që sipas tyre, ky kufizim nuk e ka ulur numrin e rasteve me koronavirus. Edhe Oda e Afarizmit të Kosovës ka kërkuar që të largohet ora policore dhe kufizimet në orar.
Shoqata e Gastronomëve i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që urgjentisht të largohen masat e vendosura që lidhen me këtë sektor, pasi masat e vendosura janë treguar joefektive.
Gastronomët me anë të një reagimi publik, kanë thënë se, Qeveria as të mos mendoj mbylljen totale pa ndonjë plan për mbështetjen financiare.
“Nëse kjo atmosferë e shkaktuar ekonomike vazhdon edhe më tutje, bizneset nuk mund ta mbijetojnë këtë situatë dhe 56 për qind e tyre kanë raportuar që do të largojnë edhe më shumë staf nga puna. Në këto rrethana, urgjentisht ju bëjmë thirrje që këto masa të hiqen, si jo efektive, e aq më pak të mendohet mbyllja totale pa ndonjë plan për mbështetjen financiare në ekonomi”, thuhet në reagimin e shoqatës.
Gastronomët kanë thënë se përhapja më e madhe e infeksionit ndodhë në hapësirat e institucioneve publike.
“Për më tepër rreth COVID-19, mos të harrojmë që përhapja më e madhe e infeksionit ndodhë në hapësirat e institucioneve publike të cilat nuk i respektojnë masat parandaluese, nuk inspektojnë hapësirat e tyre të brendshme, por që kanë fokus primar dënimin e bizneseve private dhe këmbësorëve, duke shkaktuar papunësi të madhe në sektorin privat, derisa bëjnë çmos për të garantuar që pagat dhe mëditjet e tyre të mos u preken”.
Edhe Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK), ka kërkuar që të largohet ora policore dhe kufizimet në orar dhe të shtohen masat gjatë 24 orëve.
“Arsyeja qëndron se gjatë gjithë ditës jemi duke parë qarkullim masiv të qytetarëve në shitore, rrugë dhe kafene ku nuk është duke u respektuar pothuajse asnjë rregull si numri i kufizuar në bazë të metrave katrore në një shitore apo market, numri i kufizuar në lokale dhe largësia 2 metra nga tavolina apo numri maksimal prej 5 personave që lejohen të jenë në një tavolinë. OAK rikërkon heqjen e menjëhershme të orës policore dhe kufizimeve ose mbështetje direkte për bizneset dhe punëtorët për humbjet që po u shkakton ky vendim duke i’u ndaluar të drejtën e punës, kërkesë kjo e dalë nga takimet që OAK që mbanë në vazhdimësi me bizneset. OAK kërkon sërish që çdo vendim që merret për mbyllje të biznesit duhet të shoqërohet me përkrahje financiare, në mënyrë që të ofrohet përkrahje në këtë drejtim. Ritheksojmë se ne jemi të vetëdijshëm se bëhet fjalë për shëndetin tonë, mirëpo krahas shëndetit duhet të mendohet edhe për rimëkëmbjen e ekonomisë. Andaj, OAK rikërkon largimin e kufizimeve të deritanishme të vëna nga Qeveria e Kosovës dhe respektimin në mënyrë restriktive të masave të parapara nga IKSHPK-ja”, thuhet në reagim.
Kujtojmë se ditë më parë, Qeveria e Kosovës kishte vendosur masa kundër përhapjes së COVID-19, siç janë shkurtimi i orarit të punës për bizneset dhe vendosja e orës policore për ato qytetet që kanë numër të lartë të infektimeve nga kjo sëmundje.
Kurse, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka bërë të ditur se të hënën (sot) do mbajnë takim me Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, me ç’rast do të vendosin nëse do të marrin masa shtesë anti-COVID, duke parë se numri i vdekjeve është i lartë dhe personave të infektuar po ashtu.
“Të hënën pasdite do të ulemi të bisedojmë me IKSHP dhe Bordin dhe nëse është e nevojshme që të ndërmarrim edhe ndonjë masë që e ul infeksionin dhe zbrit rastet spitalore që janë shqetësimi më i madh”, ka thënë dje Zemaj.
Prej 13 marsit, kur janë regjistruar rastet e para me koronavirus në Kosovë, autoritetet shëndetësore kanë raportuar për 39,057 të prekur nga sëmundja Covid-19, që shkakton koronavirusi. Prej tyre 1,005 pacientë kanë vdekur.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.