Popullsia e Shqipërisë pritet të shënojë ndryshime të mëdha në strukturën e saj në dekadat në vijim. Pesha e popullsisë në moshë të re pritet të ulet, ndërsa do të rritet ndjeshëm armata e të moshuarve.
Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), divizioni për popullsinë, ka publikuar profilin demografik të Shqipërisë për vitin 2020, përmes grafikëve që paraqesin popullsinë e vendit, të ndarë sipas gruposhave. Që nga viti 1990 shihet se kanë ndodhur ndryshime thelbësore, që pritet të përkeqësohen ndjeshëm deri në vitin 2100.
Grafiku i parë tregon strukturën e popullsisë në vitin 1990, ku mbizotëronin moshat e reja dhe fëmijët nga zero deri në 5 vjeç përbënin pjesën më të madhe të popullsisë.
Grafiku i dytë tregon strukturën e popullsisë shqiptare në vitin 2020. Sot, pjesën më të madhe të popullsisë e përbën grupmosha nga 25 deri në 35 vjeç, si për meshkujt, ashtu dhe për femrat (shiko grafikun e parë). Më pas renditen grupmoshat nga 15-25 vjeç.
Deri në vitin 2100, popullsia e vendit jo vetëm pritet të tkurret, por edhe piramida e popullsisë do të përmbytet tërësisht. Pjesën më të madhe të popullsisë do ta zërë grupmosha mbi 65 vjeç (shiko grafikun e tretë).
Këto ndryshime drastike lidhen me uljen e lindjshmërisë, rritjen e jetëgjatësisë dhe me tendencën e emigracionit të popullsisë, që ishte e lartë didomos deri në fillim të viteve 2000, por edhe në dekadën e fundit është rigjallëruar sërish.
OKB në vlerësimet e tij për trendin e popullsisë shqiptare, që i mban të pandryshuar prej një viti, parashikon që në skenarin optimist, vendi të ketë 1.9 milionë banorë në vitin 2100. Në skenarin e mesëm, popullsia pritet të bjerë në 1.08 milionë banorë dhe në atë të ulët (me fertilitet të ulët dhe emigracion të lartë), në fund të vitit 2100, popullsia shqiptare pritet të ketë vetëm 512 mijë banorë (shih graf në fund).
Ndikimi në ekonomi dhe tregun e punës
Tregjet e punës kanë nisur të sforcohen për krah pune, sidomos sektori i bujqësisë. Teksa sistemet e pensioneve dhe sigurimeve në tërësi do të përballen me deficite të larta nga rënia e numrit të punonjësve që paguajnë sigurimeve dhe atyre që përfitojnë pension. Një popullsi e plakur ul produktivitetin demografik dhe e ndikon për keq rritjen e qëndrueshme të ekonomisë. Disa sektorë të tillë, si fasoni, bujqësia, mjekësia dhe call center kanë nisur të vuajnë pasojat e mungesës së forcës së re të punës. Ekspertët e Bankës së Shqipërisë, në një analizë të posaçme për dinamikën e forcës së punës kanë vënë në dukje se, është hera e parë që vendi ynë ndeshet me një zhvillim të tillë demografik, deri tani i panjohur nga ekonomia jonë.
Analistët e Bankës Qendrore lajmërojnë se rrjedhojat e tij shpejt do të fillojnë të ndihen në të gjitha fushat e veprimtarisë njerëzore në vend, duke filluar nga nivelet e ndryshme të arsimit e deri tek implikimet më të rëndësishme ekonomike të lidhura me prodhimin e brendshëm, produktivitetin, konsumin, skemat e sigurimeve shoqërore, standardin e jetesës etj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Askush nuk mund te parashikoje ne 2100. Eshte njelloj si te parashikoje vitin 2000 ne 1900. Prandaj studime dhe raporte te tilla jane te kota. E shumta mund te besh nje parashikim per 10 vjet, por dhe ai me dyshim.