Deri më 3 nëntor, sipas shifrave të përditësuara nga Ministria e Financave nga Paketa 2 e ndihmës financiare (e miratuar në mesin e muajit prill nga qeveria për dhënie bonusin prej 40 mijë lekësh për të punësuarit në bizneset e mbyllura nga kriza e Covid-19), e përfituan 172,890 të punësuar. Fondi i paguar është 6,9 miliardë lekë.
Më Masën 1 ku përfshihet subvencioni për punonjësit e larguar në bizneset me të ardhura mbi 14 milionë lekë të mbyllur nga urdhrat e MSHMS-së janë paguar 9,434 të punësuar në 820 biznese. Sipas të dhënave të Ministrisë të Financave, në total në 1,286 biznese me xhiro mbi 14 mln lekë do të përfitojnë 26 mijë punonjës(nga të cilët 6 mijë të larguar nga puna.)
Me Masën 2 sipas të dhënave të Financave bonusi është shpërndarë për 91% të totalit të pritshëm të përfituesve. Deri tani janë paguar 65,659 të punësuar të larguar nga puna për periudhën 1mars -17 maj në 10,471 biznese. Fondi i lëvruar është 2,6 mld lekë. Numri total i përfituesve nga Ministria e Financave parashikohet të jetë 72 mijë me zgjerimin e fashës, nga 40 mijë që mendohej të ishte në fillim.
Masa 3 është përfituar nga 68,365 të punësuar në 31,729 biznese. Deri më 3 nëntor janë paguar 70% e përfituesve nga 100,000 që parashikohet të ishin. Në këtë masë përfshihet subvencionim për të gjithë punonjësit e bizneseve me të ardhura nën 14 milionë lekë (përjashtuar 8,000 persona në profesionet e lira, tregtia, farmacitë, përfituesit e pagës së luftës së Paketës 1, etj.) Fondi i paguar është në vlerën e 2,7 mld lekëve.
Me masën 4, për punonjësit e sektorit të turizmit janë paguar 50% e atyre që parashikohej të ishin përfitues. Deri tani janë paguar 4,927 të punësuar në 1,006 biznese. Fondi i lëvruar është vlerën e 197 mln lekëve.
Për Garancinë Sovrane 2 nga 303 aplikime për kredi janë miratuar 197 të tilla. Në total fondi i vënë në dispozicion është me vlerë 15 mld lekë. Kjo masë synon dhënie kredi me 60% të principalit të mbuluar nga shteti për nevoja në kapital qarkullues dhe investime te bizneset e prekura nga kriza e pandemisë. Afati i shlyerjes është deri në 5 vjet./D.Azo
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.