Tregu i institucioneve financiare të kredidhënies ishte një ndër segmentet me rritjen më të lartë në tregun financiar, deri në momentin e pandemisë. Ndonëse në vlerë pesha e tyre në totalin e kredidhënies është modeste, këto institucione iu shërbejnë me financim qindra mijëra klientëve çdo vit. Ndryshe nga sa ndodhi me sektorin bankar, efektet e krizës në këtë treg ishin më të ndjeshme.
Megjithatë, rritja afatgjatë e tregut, sidomos në segmentin e mikrokredive konsumatore, ka shtuar konkurrencën dhe ka tërhequr në vitet e fundit investitorë të rinj.
Ersuin Shehu
Tregu i Subjekteve Financiare Jo Banka (SFJB) në vitet e fundit ka qenë në rritje, duke ndjekur tendencat pozitive të tregut financiar në tërësi. Statistikat zyrtare japin vetëm një tablo të përgjithshme, duke përfshirë në bilancin e këtyre institucioneve edhe institucionet financiare jobankare të cilat mbikëqyren nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, që në fakt zënë edhe pjesën më të madhe. Në fund të vitit 2020, tregu financiar jobankar kishte rreth 181 miliardë lekë asete, por nga këto, rreth 110 miliardë lekë u takonin fondeve të investimeve, pensioneve dhe kompanive të sigurimit.
Pjesa e mbetur, prej afërsisht 70 miliardë lekësh janë asete kryesisht SFJB që licencohen nga Banka e Shqipërisë, për shërbime si kredidhënia, mikrokredia, faktoringu, leasing-u, pagesat, këmbimi valutor, etj. Vlerësohet se kontributin kryesor në këtë segment të tregut për nga madhësia e kanë pikërisht institucionet e kredidhënies dhe të mikrokredisë.
Megjithëse bëhet fjalë në thelb për aktivitet kreditues, institucionet e kredidhënies dhe mikrofinancës kanë licenca të ndryshme, që ndryshojnë kryesisht nga vlera mesatare e kredive që institucioni disburson. Për SFJB-të e mikrokredisë, licenca parashikon një vlerë mesatare të kredisë deri në 600 mijë lekë. Për institucionet e kredidhënies nuk parashikohen kufizime specifike në vlerën e kredisë që mund të jepet.
Portofoli i kredisë ra me 1.7%
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të vitit 2020, portofoli i kredisë për Institucionet Financiare Jo Banka arriti vlerën e 38.2 miliardë lekëve, në rënie të lehtë me 1.7% krahasuar me një vit më parë. Në tërësinë e vet, sektori u prek më shumë se sektori bankar nga pandemia e Covid-19. Një anketim i kryer vitin e kaluar nga Shoqata Mikrofinanca Shqiptare tregoi se rreth 38% e kompanive të anketuara raportuan probleme serioze likuiditeti, të shkaktuara nga shtyrja pothuajse tremujore e kësteve të kredisë. Efekti i pandemisë është i prekshëm, po të kemi parasysh se një vit më parë, në 2019, portofoli i kredisë së këtyre institucioneve shënoi rritje shumë të lartë, me 27.4%.
Pasojat u ndien sidomos tek institucionet më të reja në treg, që nuk kishin pasur mundësi të krijonin rezerva të përshtatshme në vite për t’u përballur me bllokimin disamujor të pagesave të kësteve. Përballë kësaj situate, institucionet në fjalë u detyruan të bllokimin disbursimin e kredive të reja dhe të shkurtonin vende pune.
Sipas të dhënave për institucionet financiare anëtare të AMA, moratoriumi tremujor i kredive i vendosur në muajin mars 2020 çoi në shtyrjen e kredive që përbënin rreth një të tretën e volumit total. Numri i kredive të shtyra arriti në më shumë se 39 mijë, ndërsa vlera e tyre në afërsisht 76 milionë euro. Ndryshe nga bankat dhe pjesërisht SHKK-të, shumica e institucioneve të mikrofinancës nuk mund të mbështeten në depozita, ndaj në kushtet e një mjedisi ekonomik të përkeqësuar sigurimi i linjave të financimit vitin e kaluar u bë një problem për vazhdimin e kreditimit të disa prej institucioneve.
Pas hapjes së ekonomisë, institucionet e mikrofinancës raportuan rimëkëmbje graduale të kërkesës për kredi, shumica e kompanive shprehen se tregu nuk arriti të kthehet në nivelet e parakrizës. Kthimi i një vale më të fortë të pandemisë në vjeshtë dhe dimër solli një numër shumë të madh të infektuarish dhe shpenzime në rritje për barna dhe shërbime mjekësore.
Sipas drejtuesve të SFJB-ve, kjo e ndikoi tregun, si në kuptimin e kërkesës, ashtu edhe të aftësisë paguese. Në kushtet e pandemisë, njerëzit nuk ishin të prirë të bënin shpenzime që i konsideronin jo të domosdoshme. Këto institucione, ashtu si shumica e bizneseve, shpresojnë se zbehja e pandemisë dhe rimëkëmbja ekonomike do të përmirësojë kërkesën në tregun e mikrokredisë. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, SFJB-të janë më aktive në financimin me hua të aktiviteteve të shërbimit (rreth 29%) dhe tregtisë me shumicë dhe pakicë (20%).
Mikrofinanca, vetëm 6% të kredisë për ekonominë
Nëse përjashtojmë vitin 2020, i ndikuar qartazi nga pandemia, tregu i mikrofinancës në vitet e fundit ka shfaqur ritme të larta të rritjes. Që nga fundi i vitit 2015 deri në fundin e vitit 2019, portofoli i kredisë së këtyre institucioneve u rrit me 90%. Këto institucione kanë rëndësi të madhe, sidomos për atë pjesë të publikut që, për shkak të informalitetit apo rrezikut të lartë, nuk ka akses në kredinë bankare.
Në strategjinë për pagesat me vlerë të vogël, 2018-2023, Banka e Shqipërisë llogariste se vetëm 40% e popullsisë në moshë madhore ka llogari bankare. Pjesa e mbetur prej 60%, që nuk ka llogari dhe të ardhura të provuara në bankë, potencialisht përbën klientelën potenciale të SFJB-ve. Duke pasur parasysh se pjesa më e madhe e popullsisë që nuk ka akses në banka ndodhet në zonat rurale dhe periferike të vendit, mikrofinanca ka edhe një rol të rëndësishëm social.
Megjithatë, pesha e tyre kundrejt kreditimit total të ekonomisë, të paktën në volume, është ende modeste. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë dhe llogaritjeve të “Monitor”, kredia e SFJB-ve përbën vetëm rreth 6% të portofolit total të kredisë për ekonominë shqiptare. Sektori bankar dominon dukshëm, me rreth 93%, ndërsa shoqëritë e kursim-kreditit zënë një pjesë edhe më të vogël, prej rreth 1%.
Kreditë me probleme rriten në 12%
SFJB-të, edhe për shkak të një profili rreziku më të lartë, kanë raporte të kredive me probleme më të larta krahasuar me sektorin bankar. Të dhënat më të fundit të Bankës së Shqipërisë për cilësinë e portofolit të këtyre institucioneve i referohen fundit të tremujorit të tretë 2020. Në fund të shtatorit 2020, raporti i kredive me probleme për këto institucione arriti në 12%, nga rreth 10% një vit më parë. Kjo rënie ishte pasojë e drejtpërdrejtë e pandemisë dhe goditjes së rëndë që ajo dha në ekonomi.
Për SFJB-të, ky efekt ishte më i fortë sesa për bankat, për disa arsye. Së pari, ato janë të ekspozuara tek klientë me rrezik më të lartë dhe të brishtë ndaj goditjeve të papritura, siç ishte pandemia. Kriza dha një efekt më të dukshëm tek individët, të vetëpunësuarit dhe bizneset e vogla, që përfaqësojnë pjesën dërrmuese të klientëve të mikrofinancës. Madje, ndikimi më i ndjeshëm i krizës tek klientët e vegjël rezultoi i prekshëm edhe në sektorin bankar, sepse kreditë me probleme në segmentin e individëve shënuan rritje të lehtë gjatë vitit të kaluar. Gjithashtu, frenimi i rritjes së portofolit të kredisë në vitin 2020 ndikoi gjithashtu negativisht raportin e kredive me probleme ndaj totalit.
Pavarësisht krizës dhe rritjes së raportit të kredive me probleme, SFJB-të e mbyllën periudhën me një rezultat financiar pozitiv prej rreth 1.9 miliardë lekësh. Rezultati, megjithatë, ishte më i ulët krahasuar me një vit më parë. Sipas informacionit të Bankës së Shqipërisë, kapitalizimi i veprimtarisë së këtyre subjekteve vijon të mbetet në nivele të kënaqshme.
14 SFJB për kredidhënie
Institucionet që ushtrojnë veprimtarinë e mikrofinancës janë pjesë e grupit të subjekteve financiare jo-banka dhe mikrokredi, që mbikëqyren nga Banka e Shqipërisë. Në fakt, licenca e SFJB-ve mund të përfshijë një spektër të gjerë të shërbimeve financiare, që në thelb konsistojnë në ofrim të financimeve dhe huadhënies. Disa SFJB janë licencuar për më shumë se një tipologji aktiviteti financiar, duke zotëruar më shumë se një licencë.
Megjithatë, numri i subjekteve që janë të licencuara direkt për huadhënie janë 14. Sipas licencës, tetë prej tyre mund të ofrojnë të gjitha format e kredidhënies, ndërsa gjashtë të tjera janë ofruese të mikrokredisë. Kufiri ndarës mes dy llojeve të aktivitetit është shuma mesatare e kredisë, e parashikuar në rreth 600 mijë lekë. Te SFJB-të përfshihen gjithashtu edhe licencat për aktivitete alternative, siç mund të jenë qiradhënia financiare apo faktoringu dhe që në thelb janë të ngjashme me kredinë. Duke përfshirë edhe këto dy shërbime, numri i SFJB-ve që ushtrojnë aktivitete të kredidhënies apo të ngjashme me të janë 25.
Përveç tyre, në treg veprojnë edhe kooperativat financiare, ose siç quhen Shoqëri të Kursim-Kreditit, të cilat janë një formë e veçantë organizimi, ku anëtarët e regjistruar në shoqëri kanë mundësinë të ofrojnë depozitat e tyre dhe të marrin kredi brenda shoqërisë ku ata janë anëtarë. Aktualisht, Banka e Shqipërisë ka licencuar 14 SHKK dhe një Union të SHKK-ve. SHKK-të kanë një specifikë të rëndësishme: atyre u lejohet të pranojnë depozita të anëtarëve të tyre, ndryshe nga SBJB-të, që duhet të mbështeten në burime alternative për të mbështetur aktivitetin kreditues.
Në vitet e fundit, segmenti i tregut që po tërheq më shumë interesin e investitorëve të rinj është padyshim ai i mikrokredisë.
Në vitin 2015, kompania estoneze IuteCredit solli në Shqipëri biznesin e kredive me procedura shumë të shpejta dhe të thjeshtuara. Si në shumicën e tregjeve të Europës Lindore, ky model rezultoi i suksesshëm edhe në Shqipëri, me rritje të shpejta të huasë dhe me përfitueshmëri të kënaqshme për investitorët. Kjo tërhoqi në treg disa investitorë të rinj, si letonezët e Kredo Finance, por edhe disa institucione financiare në pronësi të sipërmarrësve vendas.
Orientimi i këtyre kompanive është drejt konceptit të kredive të shpejta online, një nga modelet kryesore të ndërmarrjeve të teknologjisë financiare sot në botë. Normat e larta të interesit mbi të cilat është ndërtuar ky model biznesi, natyrshëm po joshin investitorë të rinj, megjithatë, për momentin, pesha e tyre në treg është ende e papërfillshme. Kjo tipologji institucionesh dominohet kryesisht nga Iute dhe Kredo, që kanë arritur një zgjerim të shpejtë, falë suportit financiar dhe përvojës së biznesit nga kompanitë mëmë në vendet baltike.
Interesi tavan, si “shpatë Demokleu”
Normat e larta të interesit që aplikojnë institucionet mikrofinanciare nga njëra anë e kanë bërë këtë treg tërheqës për investitorë të rinj, por, nga ana tjetër, kanë krijuar një ndjeshmëri të lartë në opinionin publik. Duke parë rritjen e shpejtë të mikokredive të shpejta me norma të larta interesi, Banka e Shqipërisë ka reaguar, duke përgatitur një projekt-rregullore që do të vendosë një normë tavan interesi për kreditë konsumatore. Në fund të muajit shkurt, Banka Qendrore propozoi disa ndryshime në projekt-rregulloren “Për kredinë konsumatore dhe kredinë hipotekore”. Rregullorja e ndryshuar përcakton konceptin e ri të normës efektive maksimale të interesit (NEI maksimal).
Ky tregues do të llogaritet, duke u mbështetur në mesataren e thjeshtë të normës efektive të interesit për kredinë konsumatore dhe duke i shtuar kësaj mesatareje një të tretën e saj. Sipas projekt-rregullores së propozuar, Banka e Shqipërisë do të përcaktojë normën efektive maksimale të interesit për secilën nga kategoritë e kredisë konsumatore dhe intervalet e shumave të disbursuara në fund të çdo tremujori. Këto norma do të publikohen në faqen zyrtare të internetit dhe do të jenë në fuqi për tremujorin pasardhës.
Për të llogaritur mesataren e thjeshtë të normës efektive të interesit, Banka e Shqipërisë do të marrë në konsideratë të gjitha kreditë e disbursuara gjatë tremujorit të mëparshëm deri në vlerën e 10 milionë lekëve, të cilat janë akorduar vetëm për individët dhe nuk janë të siguruara me anë të hipotekës, apo ndonjë sigurim tjetër mbi pasurinë e paluajtshme.
Banka e Shqipërisë do të përcaktojë normë maksimale interesi të posaçme për secilën nga kategoritë e kredisë konsumatore, ku përfshihen kreditë me këste periodike, kreditë kufi (overdraftet), kartat e kreditit dhe qiraja financiare. NEI maksimal do të ndahet gjithashtu sipas disa intervaleve të shumës së kredisë konsumatore, konkretisht për shumat deri në 200 mijë lekë, për ato nga 200.001 deri në 2 milionë lekë dhe 2.000.001 deri në 10 milionë lekë. Për secilin nga kombinimet e produkteve dhe intervaleve të mësipërme, Banka e Shqipërisë do të publikojë normat efektive maksimale të interesit me interval tremujor. Mekanizmi i përcaktimit të interesit tavan, që ka propozuar Banka e Shqipërisë, mbështetet kryesisht në modelin e aplikuar nga Portugalia.
Ky projekt u kundërshtua nga institucionet financiare jo banka të cilat shprehën kundërshtime rreth propozimeve të Bankës së Shqipërisë. Sipas tyre, një rregullim i tillë mund t’i detyrojë të heqin dorë nga ofrimi i kredive të vogla, çka do të kufizonte aksesin e publikut në produktet financiare. Sipas tyre, një mesatare e njëjtë për bankat dhe SFJB-të nuk do të ishte një masë e drejtë, sepse këto të fundit kanë një model biznesi të ndryshëm dhe kosto më të larta të sigurimit të fondeve dhe të rrezikut në raport me bankat. Gjithashtu, ato u shprehën kundër një interesi tavan që ndryshohet çdo tre muaj, çka sipas tyre do të vështirësonte procesin e ndërtimit dhe shitjes së produkteve dhe planet e tyre të biznesit.
Banka e Shqipërisë është shprehur e hapur për konsultime dhe për të marrë parasysh propozimet e palëve të interesit që shkojnë në të njëjtin drejtim me objektivat e saj, duke lënë të kuptohet se nuk do të ndërmarrë hapa të nxituara për miratimin e ndryshimeve në rregullore. Pritet që rregullorja e ndryshuar të miratohet më vonë gjatë këtij viti, por, me shumë të ngjarë, dispozitat që lidhen me normën maksimale të interesit do të hyjnë në fuqi, duke filluar nga viti 2022.
Përcaktimi i një norme interesi tavan në huadhënie është praktikë e përhapur në shumë legjislacione, përfshi disa prej vendeve më të zhvilluara të Bashkimit Europian. Sipas një studimi të Bankës Botërore, të vitit 2018, të paktën 76 vende të botës aplikojnë norma interesi tavan për kreditë. Arsyeja kryesore që motivon një praktikë të tillë është mbrojtja e interesit të konsumatorëve më të brishtë nga aplikimi i interesave abuzive prej huadhënësve, por në disa raste ato mund të targetojnë direkt uljen e çmimit të huadhënies në ekonomi.
SFJB-të kërkojnë t’iu lejohen depozitat
Drejtuesit e institucioneve të mikrofinancës shpjegojnë se çmimet mesatarisht më të larta, në raport me bankat, lidhen me një model të ndryshëm biznesi.
“Kredia mesatare e një banke është afërsisht 100 mijë euro. Nëse kjo kredi jepet me interes vjetor 5%, në një muaj interesi është afërsisht 420 euro: kjo është shuma që kredimarrësi paguan për kredinë. Kredia mesatare e mikrofinancës është 5 mijë euro. Nëse interesi do të ishte 5%, klienti do të paguante rreth 21 euro interesa në muaj. Tani të llogarisim që ne dhe bankat kemi shpenzime që janë pak a shumë të njëjta, për qiratë, personelin, marketingun, etj. Nëse ti përfiton 420 euro në muaj, mesatarisht nga çdo kredi, mund t’i mbulosh kostot dhe të jesh fitimprurës. Me 21 euro në muaj, ti nuk i mbulon dot kostot, ndaj detyrimisht te mikrofinanca, interesi duhet të jetë më i lartë, sepse diferenca në vlerë absolute është shumë e madhe”, – thotë Herjola Spahiu, drejtore e përgjithshme e NOA-s.
Sipas saj, shumat mesatarisht të vogla të kredisë dhe rreziqet më të mëdha shpjegojnë më shumti pse SFJB-të janë më të shtrenjta se bankat. Ndërkohë, me rritjen e shumës mesatare të kredisë, sipas saj, diferencat në normat e interesit mes SFJB-ve dhe bankave ngushtohen. Sipas saj, nëse SFJB-ve do t’iu lejohej të mblidhnin depozita, kjo do të ndihmonte në uljen e kostove të tyre.
“Ne, ndryshe nga bankat dhe SHKK-të nuk na lejohet të mbledhim depozita dhe ky është një element shumë i rëndësishëm, sepse ato do të na ndihmonin të ulnim koston e sigurimit të fondeve. Për ne do të ishte një frymëmarrje e madhe nëse do të na lejohej të mblidhnim edhe depozita, në përputhje me të gjitha kërkesat dhe detyrimet e nevojshme rregullatore. Kjo do të na bënte edhe më konkurrues në çmim” – shprehet ajo.
Arlinda Muja, drejtore e përgjithshme e Kredo Finance, shprehet se institucionet Financiare jo banka kanë kosto të lartë operimi, e cila përkthehet në kosto të lartë për klientin.
“Për të ulur këto kosto, do të duhet të lejohet akses i koordinuar dhe rregulluar me ligj për kërkim në të ardhurat dhe shpenzimet e çdo individi dhe biznesi siç aksesohet sot historia e kredive të tyre. Në këtë akses duhet të përfshihen lëvizjet e llogarisë bankare, pagesat utilitare, pagesat e taksave dhe sigurimeve shoqërore. Ashtu siç parashikohet mbështetja me likuiditet, në rast krize, nga Banka e Shqipërisë për bankat, do të duhet të ketë një ligj që mbështet institucionet e tjera financiare gjithashtu me mjete të tilla financiare, që sigurojnë qëndrueshmërinë e tyre në rast krize.
Kosto e fondeve që institucionet financiare marrin janë dyshifrore, sepse bankat lokale kanë kritere përjashtuese të larta për financimin e këtyre institucioneve dhe 70% e këtyre fondeve sigurohet nga jashtë vendit. Mund të kërkohet financimi i institucioneve financiare nga bankat lokale, duke pasur parasysh që ky financim të mos ndikojë në diktimin e çmimit dhe uljen e konkurrencës së tyre kundrejt bankave” – thotë ajo.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.