Flet Eugen Skermo, Administrator i “Mjalti Morava”
Mjalti shqiptar paragjykohet nga konsumatorët në një pjesë të mirë dhe kjo lidhet edhe me informalitetin dhe abuzimet që bëhen nga tregtarë informalë.
Eugen Skermo, administrator i “Mjalti Morava”, shprehet se mjalti i importit në shumë raste cilësohet si më i mirë, edhe pse në fakt, mund të jetë në të njëjtat parametra me atë shqiptar. Skermo nënvizon se pandemia nxiti rritjen e përdorimit të nënprodukteve të lidhura me mjaltin si propolis.
A mendoni se ka një lloj paragjykimi për produktet shqiptare nga konsumatorët kur vjen puna te cilësia?
Ne si sektor e ndiejmë edhe më shumë se të tjerët. Mjalti është një produkt që nuk e gjen dot si çdo produkt, pasi nuk është industri. Del direkt nga fermerët. Ndryshe është industria e bulmetit, lëngjeve, mishit. Ne gjithmonë mundohemi të krijojmë një imazh të mirë të kompanisë, markës, produktit, por skeptikë ka shumë. Ka konsumatorë paragjykues dhe më shumë parapëlqejnë produkte të huaja, që shiten me çmime më të shtrenjta sesa produktet e vendit. Ndërkohë në parametra, mjalti nuk është më i mirë se yni, pra ai shqiptar.
Ne kemi investuar në një laborator për vetëkontroll të produkteve që grumbullojmë dhe shesim dhe aty shohim edhe cilësinë e produktit që blejmë dhe shesim. Kjo është për vetëkontroll dhe nuk është i certifikuar. Gjatë kësaj kohe, ne marrim dhe mostra nga mjalti që vjen nga kompani të tjera, qoftë dhe ato të huaja që shohim ku qëndrojmë. Vëmë re që nuk është ndonjë nivel më i mirë se mjalti që kemi në Shqipëri. Madje, me raste, mund të them se janë edhe me cilësi më të dobët ato që vijnë nga jashtë.
Si ndikon informaliteti te pjesa e imazhit për produktet e mjaltit?
Te mjalti të duhet të “luftosh shumë me informalitetin. Janë individë të paregjistruar, që nuk paguajnë taksë, nuk regjistrojnë shitje dhe produkti s’ka kaluar në asnjë filtër kontrolli. Mjalti është edhe produkt me origjinë shtazore, që kërkon ca kushte specifike se ku duhet ta ambalazhosh dhe ruash për ta shitur. Mesa shohim, kur mjalti shitet rrugëve, nuk i ka ato vlera që duhet të ketë dhe çalon dhe te cilësia. Ne jemi të certifikuar me ISO 22 000, që është standard për cilësinë, dhe kjo na jep një lloj mbështetjeje, por informaliteti është i dëmshëm në çdo sektor.
A ndesheni në rezistencë për disa produkte të veçanta për të hyrë në njësitë e tregtimit, zinxhirët e supermarketeve apo dyqane specifike? A kanë kushte të vështira apo ju si kompani nuk e keni hasur?
Me rrjetet e supermarketeve, nuk e kemi dhe kemi lidhur kontrata me to. Ndoshta ndodh ndonjëherë të na vendosin në pozicione sekondare. Kjo nuk është normale në fakt, pasi edhe kur shkojmë jashtë të shohim se ku vendosen nëpër rrjete supermarketesh produktet tona, vëmë re që parësore në raft janë ato të vendit. Më pas shtetet e ndryshme të importit.
Kjo ndodh me disa supermarkete, jo me të gjithë. Kurse përfshirja në rrjete apo njësi tregtimi ka të bëjë me faktin se jemi në një ekonomi tregu dhe duhet të paguash që të hysh. Jo çdo njeri mund të shkojë dhe të fusë një produkt. Me supermarketet jemi të konsoliduar, ndërsa me dyqanet e reja të hapura tani dhe kanë nisur të shesin produktet nën emërtimin “Bio” dhe “organike”, kemi hasur rezistencë. Ato mundohen të promovojnë produkte pa etiketë, ose me origjinë të dyshimtë. “Bio”, për mua, është diçka e madhe që mendoj se po përdoret për të pasur përfitim. Tentova para disa vitesh, të bëja një park me bletë për të nxjerrë majtin “Bio” dhe është e pamundur.
Ka shumë vështirësi, duke nisur që nga zona ku je, spërkatja që ndodh me pesticide në atë zonë, sa mbetje do të lërë te mjalti. Për të parë këtë duhen analiza dhe ato kushtojnë shtrenjtë dhe në finale mund të arrish të nxjerrësh produktin “Bio”. Te ne mendoj se mashtrohet nën fjalën “Bio” për të shitur shtrenjtë. Janë produkte pa asnjë etiketë dhe asnjë të dhënë mbi gjurmimin e origjinës.
Keni shtuar koshere, si ishte prodhimi vjet kur shpërtheu pandemia?
Në sasi, prodhimi ka qenë normal, ndërsa cilësia ka qenë më e mirë, për shkak të uljes së ndotjes së ajrit nga efekti i karantinës. Te sasia mund të kishim qenë edhe më mirë, pasi kemi pasur probleme në atë kohë të cilat i kemi trajtuar te Ministria e Bujqësisë e lidheshin me krijimin e mundësisë për bletërritësit që të shkonin te parqet e tyre. Në verë duhet t’i vizitonim, por për shkak të pandemisë, nuk na lejohej lëvizja.
Duhet gjithashtu t’i lëviznim parqet nga një zonë në tjetrën se jo të gjithë bletërritësit i kanë bletët te dera e shtëpisë. Ata që i kishin larg duhet të bënin shtegtimin në kullotat ku kishte më shumë lule. Por të gjitha këto nuk u bënë dot, si rezultat rendimenti ishte më i ulët në raport me një vit normal si tani, për shembull, i lëvizim pa problem.
Po shitjet si kanë qenë? Pjesa e pandemisë ka nxitur konsumin e disa produkteve që konsiderohen të shëndetshme? Po te mjalti a ka pasur ndonjë efekt?
Pjesa e shitjeve nuk ka pësuar ndonjë bum. Ka qenë e kënaqshme në muajt e parë të pandemisë, pastaj erdhi në rënie. Këtu ndikon edhe pjesa financiare e familjeve, pasi shumë humbën punën. Jo të gjithë mund ta blejnë mjaltin, sepse produktet e bletës dhe mjaltit janë të shtrenjta. Njerëzit janë ndërgjegjësuar, por kjo ka kaluar më shumë te nënproduktet e tjera të mjaltit, si propolis, poleni dhe qumështi i bletës, që janë tërhequr më shumë. Propolisi sidomos ka pasur shumë shitje sepse ndikon direkt në rrugët e frymëmarrjes.
A eksportoni sot dhe me çfarë problemesh ndesheni?
Para pandemisë, ne kemi pasur si volum shitjesh 30-40 për qind vetëm në eksport. Pandemia na ka ndikuar shumë keq. Mjalti është një produkt i vështirë për t’u shitur, sidomos në eksport. Më parë kemi bërë një luftë shumë të madhe për ta prezantuar në tregje. Në Europë e kemi të ndaluar të eksportojmë, sepse është produkt me origjinë shtazore, por jemi munduar të gjejmë tregje alternative në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e në Lindjen e Mesme, në Kinë e Singapor. I kemi prekur dhe kemi mbajtur kontaktet më të afërta me distributorët. Kemi eksportuar edhe në Kosovë dhe Angli.
Por pamundësia për të lëvizur dhe për të mbajtur kontaktet për shkak të pandemisë, kanë ndikuar në uljen e eksporteve. Shpresojmë të hapen rrugët dhe të nisim sërish. Ne kemi një problem. Ndoshta klima dhe vendi ynë janë shumë të mirë dhe mjalti është me cilësi të mirë nëse e nxjerr siç duhet, por nuk jemi konkurrues në tregun e huaj me këto çmime. Nuk kemi sasi dhe si rezultat, çmimi del i shtrenjtë. Eksporti është një gjë shumë e bukur ta mendosh apo tregosh, por të hysh me mjaltin është si një mision i pamundur. Duhet të gjesh tregun e duhur.
Si mund të mbështetet marka shqiptare dhe konkretisht mjalti?
Duhet të ketë politika subvencionimi për prodhimin e mjaltit, sepse ne kemi mundësi të shtojmë numrin e koshereve dhe prodhimin e mjaltit. Subvencionimi duhet të bëhet edhe te mjalti për njësi prodhimi, jo vetëm si koshere. Kjo do të bëjë që bletërritësi të mos mbajë disa koshere aty dhe të nxjerrë sa të nxjerrë, por të nxitet për të rritur rendimentin.
Ne kemi rendimentin më të ulët në rajon për koshere blete, 10-15 kilogramë, ndërkohë që në Greqi është 40-50 kilogramë, kurse në Turqi 90 kilogramë. Ka shumë pak bletërritës që merren vetëm me bletë. Këtu fermerët merren pak me të gjitha dhe si rezultat, rendimenti do të jetë i ulët dhe çmimi i lartë. Politikat e skemës kombëtare janë të mira, pasi na ndihmojnë me 1000 lekë për koshere, por ka dhe një fashë që përfshihen jo më pak se 50 koshere dhe jo më shumë se 150.
Duhen politika pak më të mirëfillta për bletarinë, sepse është një pjesë e bujqësisë shumë e rëndësishme, jo vetëm për pjesën e saj por edhe që bën polenizimin e kulturave bujqësore. Pjesën më të madhe që ndihmon në bujqësi është polenizimi, pra janë pjesë të një cikli dhe ekosistemi. Duhet më shumë subvencionim që të rriten sa më shumë në numër kosheret e bletëve, sepse e gjitha është e lidhur zinxhir edhe me prodhimin bujqësor. Një në tre lugë që konsumojmë vjen falë punës së bletës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.