Këshilli i Ministrave pritet të miratojë politikat dhe masat për rritjen e përdorimit të energjisë diellore në ndërtesa, përfshirë detyrimin për kategori të ndryshme, qofshin ato të reja ose ekzistuese, publike ose private për të instaluar sistemet diellore të ujit të ngrohtë.
Ishte përcaktuar që në fillim të muajit korrik të niste instalimi i këtyre paneleve në ato objekte shtetërore që kanë konsum të lartë të ujit të ngrohtë, por afati u shty dhe kjo do të nisë më 1 janar 2013. Hotelet, restorantet dhe ndërtesat e shërbimeve të tjera do të kenë si detyrim që të nisin instalimin në vitin 2014, shtëpitë private individuale në vitin 2015 dhe në vitin 2016, nis detyrimi për ndërtesat shumëkatëshe me apartamente banimi.
Ekspertët shqiptarë, në bashkëpunim me programin e PNUD-it për ndryshimet klimatike, kanë arritur të hartojnë draft-planin kombëtar për energjinë e rinovueshme, që parashikon të gjitha masat dhe afatet për instalimin e sistemeve termike, diellore për ujin e ngrohtë. Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë dhe PNUD-i organizuan një tryezë të rrumbullakët, ku paraqitën edhe projektligjin për energjinë e rinovueshme që do t’i dorëzohet për diskutim dhe miratim Kuvendit. Drejtori i kabinetit në METE, Majlind Lazimi, tha se është rritur ndjeshëm interesi për burimet e rinovueshme. “Qeveria ka dy objektiva kryesorë, të sigurojë furnizimin me energji dhe ai të jetë i qëndrueshëm, diktuar jo vetëm nga nevojat në rritje për konsum, por edhe si përgjigje e ndryshimeve të kushteve klimaterike. Të pasurit e një potenciali të konsiderueshëm të burimeve energjetike, të rinovueshme, mund të shërbejë si orientues për investimet që zvogëlojnë emetimin e karbonit dhe ndotjen. Ngrohja e ujit me panele diellore është një nga teknologjitë më premtuese në Shqipëri për të zvogëluar konsumin e energjisë elektrike dhe karburanteve. Programi kombëtar synon të përshpejtojë zhvillimin e tregut të paneleve diellore, që deri tani është tejet i vogël”, tha z. Lazimi.
Shqipëria, sipas ekspertëve, përbën një rast të veçantë sepse rreth 10-13% të totalit të burimeve primare të energjisë (TPES), përfshi edhe importin, sigurohet nga biomasa, veçanërisht nga drutë e zjarrit. “Fakti që vendi mbështetet kryesisht në energjinë hidrike e bën atë vulnerabël ndaj ndryshimeve klimatike, siç është vënë re gjatë periudhës së thatësirës kohët e fundit dhe kjo ka zvogëluar ndjeshëm furnizimin me energji elektrike. Energjia e rinovueshme mund të jetë zgjidhje për uljen e kësaj varësie, por edhe për sigurinë makroekonomike dhe politike të vendit, duke ulur deficitin e buxhetit të shtetit”, tha Freddy Austli, drejtor i zyrës së PUND-it.
Analiza e kryer për Shqipërinë dhe e reflektuar në Planin Kombëtar për Energjinë e Rinovueshme tregon se objektivi final është që të zërë rreth 38% të konsumit final, nga ku 12% për sistemet e ngrohjeve dhe ftohjeve, 23% nga burimet e rinovueshme për energjinë elektrike dhe 3% që do të konsumohet në transport.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.