Paraja gjithsej dhe jashtë bankave arrin rekord, nga deficiti buxhetor dhe përdorimi i cash-it

29/12/2020 11:02 PM 0 komente

Paraja që qarkullon jashtë bankave shënoi një tjetër rritje gjatë muajit nëntor, duke arritur në 334 miliardë lekë, ose 2.7 miliardë euro, sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë.

Ky është niveli më i lartë rekord në vlerë absolute, ndërsa në raport me paranë gjithsej treguesi ka arritur në 23.6%, që nuk ishte parë që nga fundi i vitit 2009, kur sistemi bankar shënoi një tërheqje të depozitave për shkak të panikut që u shkaktua nga kriza e atëhershme globale financiare.

Më pas, paraja jashtë banke erdhi në ulje, duke arritur në nivelin më të ulët historik prej 16.2% në fund të 2012-s. Por më pas rifilloi tendenca e rritjes graduale, duke arritur në 21.7% në shkurt 2020. Por, pas fillimit të pandemisë, paraja që qarkulloi jashtë kanaleve bankave u zgjerua me shpejtësi. Nga shkurti deri në fund të nëntorit ky tregues është rritur me 46 miliardë lekë, ose rreth 370 milionë euro (për të njëjtën periudhë të një viti më parë rritja ishte vetëm 86 milionë euro, sipas statistikave zyrtare).

Ndonëse vendi është në krizë ekonomike për shkak të pandemisë, që ka shkaktuar një rënie prej më shumë se 5% për 9 mujorin, dhe konsumi është në tkurrje, paraja gjithsej (M3, që përfshin paranë jashtë banke, llogaritë rrjedhëse, depozitat në lekë dhe valutë) është rritur me shpejtësi, sidomos pas muajit shkurt, duke u shtuar me 88 miliardë lekë (712 milionë euro) për të arritur në 1.42 trilionë lekë (11.4 miliardë euro). Në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, rritja ishte vetëm 176 milionë euro, ose 4 herë më e ulët.

Banka e Shqipërisë tha për Monitor se zgjerimi i M3 (parasë gjithsej) vjen nga rritja e kredisë dhe e deficitit buxhetor gjatë 2020. Tek ky i fundit përfshihet dhe eurobondi apo huamarrja e brendshme.

Ndërsa rritja e parasë jashtë bankave, sipas BSH, pjesërisht shkon në linjë me rritjen e M3 dhe pjesërisht shpjegohet me rritjen e preferencës për cash.

Një tjetër arsye lidhet me faktin që si pasojë e pandemisë janë kufizuar lëvizjet jashtë vendit, çka ka bërë që paraja të qarkullojë në vend.

Të dhënat e tjera të Ministrisë së Financave bënë të ditur se rënia e të ardhurave buxhetore nga kriza e shkaktuar në ekonomi nga Covid-19 dhe rritja e shpenzimeve për të neutralizuar efektet e kësaj krize dhe për rindërtimin pas tërmetit e kanë çuar deficitin buxhetor në rreth 73 miliardë lekë për janar-nëntor 2020, ose 590 milionë euro. Kjo është shuma që qeveria është detyruar të marrë borxh në tregun e brendshëm dhe të jashtëm (Eurobondi) në këta 11 muaj për të përballuar situatën e krijuar nga pandemia. Ky është edhe niveli më i lartë i deficitit buxhetor të raportuar, që nga viti 1993.

       Lexo edhe këtë: Deficiti buxhetor arrin rekordin 590 milionë euro për 11-­mujorin, frenohen shpenzimet

Ndërsa, për 11 muajt e vitit 2020, kredia e re për ekonominë shqiptare arriti vlerën e 203.6 miliardë lekëve, 5.2% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019, sipas Bankës së Shipërisë.

Bankat nga ana e tyre u përpoqën ta shfrytëzojnë periudhën e pandemisë për të ulur përdorimin e parasë cash dhe për të nxitur pagesat me karta. Të dhënat e Shoqatës së Bankës tregojnë se për periudhën korrik-tetor 2020, volumi i transaksioneve me karta shënoi një rritje prej 12% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërkohë në tremujorin e tretë u rrit numri i kartave me funksion debiti dhe u ul i atyre me funksion krediti, në raport me tremujorin e dytë, sipas BSH.

Por, pavarësisht përmirësimit, transaksionet me cash vijojnë të mbeten të larta, siç dëshmojnë dhe të dhënat zyrtare. Niveli i lartë i parasë jashtë bankave në raport me totalin është dhe një tregues i informalitetit të madh në vend. Të dhëna të tjera të INSTAT tregojnë se transaksionet e pasurive të paluajtshme (shit-blerjet e pronave) shënuan një nivel rekord për 9 muajt e vitit.

Aktorët e tregut pohojnë se më shumë se gjysma e këtyre transaksioneve kryehen me para cash. Për 9-mujorin, transaksionet e pasurive të paluajtshme arritën në 76 miliardë lekë (rreth 612 milionë euro), duke shënuar sërish rekord për periudhën në fjalë, që nga viti 2009.

       Lexo edhe këtë: Kush po i fryn transaksionet e pasurive të paluajtshme, arrijnë rekord në T III

Niveli i parasë jashtë bankave prej gati 24% të totalit është shumë më i lartë se i mesatares se Bashkimit Europian dhe në rajon. Në Eurozonë, sipas të dhënave nga Banka Qendrore Europiane, niveli i parasë jashtë bankave ishte rreth 9 % e totalit. Edhe në rajon ky tregues është më i ulët se 10%./ O.Liperi

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of