Prej dy vitesh, operatorët po thellojnë humbjet, duke reflektuar modelin e ri ku po orientohet sektori, si rrjedhojë e rënies së të ardhurave nga shërbimet zanore (voice) dhe konkurrencës që po vjen nga teknologjia (përdorimi i internetit po ul ndjeshëm të ardhurat nga interkoneksioni).
Vodafone Albania, operatori më i madh sipas të ardhurave, me qarkullim vjetor prej 16.3 miliardë lekësh, sipas të dhënave në bilanc, ka deklaruar humbje neto kontabël para tatimit prej 792 milionë lekësh, nga 173.5 milionë lekë (humbje) vitin e mëparshëm.
Ulja e fitimit erdhi pasi kompania ka shënuar rritje më të shpejtë të kostos së shitjes dhe shërbimeve dhe shpenzimeve të tjera, ndërsa të ardhurat ranë me 3.4%. Megjithatë, Vodafone ka paguar 252 milionë lekë tatim fitim, si rrjedhojë e shpenzimeve të larta të pazbritura fiskalisht (si p.sh., pritje e dhurata, qira për punonjës të huaj, provigjone, nxjerrje e aktiveve jashtë përdorimit, etj.).
Edhe për Telecom Albania, dikur një nga kompanitë me normë më të lartë fitimi në vend, kohët nuk janë aq të mira. Telecom, që kishte të ardhura prej 9.1 miliardë lekësh, raportoi humbje tepër të larta prej 4.8 miliardë lekësh (më se gjysma e të ardhurave) në 2017-n, pas fitimeve minimale prej 155 milionë lekësh në 2016-n.
Përkeqësimi i rezultatit financiar ka ardhur si rrjedhojë e rënies së të ardhurave me 14%, ndërkohë që kosto e shitjes dhe shërbimeve të ofruara u rrit me 30%, duke bërë që kompania të rezultojë me një humbje bruto (përpara shpenzimeve administrative) prej 815 milionë lekësh, nga 2.9 miliardë lekë që ishin fitimet bruto vitin e mëparshëm. Rezultatet e përkeqësuara financiare kanë nxitur kompaninë mëmë, gjermanët e Deutsche Telekom, të fillojnë negociatat për shitjen e filialit në Shqipëri.
Edhe Telecom Albania ka paguar 550 milionë lekë tatim fitime, por që janë të shtyra (kryesisht humbje tatimore e panjohur e mbartur nga vitet e mëparshme), ndërsa tatim fitimi për vitin aktual ishte zero.
Albtelecom, me aktivitet në fushën e telefonisë fikse dhe celulare, ka raportuar të ardhura prej 8.1 miliardë lekësh (rënia rreth 14%) dhe ka deklaruar sërish humbje, në rreth 1.1 miliardë lekë, pothuajse në të njëjtat nivele me një vit më parë.
Plus Communication, operatori i katërt në treg, e mbylli aktivitetin në fund të vitit 2017, duke shitur frekuencat tek Vodafone dhe Telecom Albania, pas humbjeve të mëdha të regjistruara që kur nisi aktivitetin në 2009-n.
Abcom, një tjetër operator në telekomunikacione, me shërbimet e trefishta (telefoni, televizion, internet) ka deklaruar fitime para taksave prej 318 milionë lekësh, në 2017-n, me rënie prej 10% me bazë vjetore.
Info-Telecom, me aktivitet shërbimet e telefonisë fikse publike, transitit kombëtar e ndërkombëtar, transmetimin e të dhënave, raportoi fitime para taksave prej 465 milionë lekësh, me rritje 73% me bazë vjetore.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.