Flet/ Redina Balla, Eksperte Psikologe
Emigracioni dhe varfëria janë dy faktorët kryesorë që sipas ekspertes psikologe Redina Balla kanë ndikuar në rritjen e numrit të divorceve vitin e fundit. Të dyja janë të lidhura me njëra-tjetrën, pasi varfëria është një nga arsyet kryesore që nxit emigracionin. Ajo thotë se pasojat e divorcit janë afatgjata dhe kryesisht prekin më shumë femrat.
Divorci përllogaritet në shifra të larta në vendin tonë, cilat mendoni se janë arsyet kryesore?
Arsyet kryesore, veçanërisht në vitet e fundit, janë ato ekonomike, emigracioni, që do të thotë, në mungesë të punës, shumë meshkuj shkojnë të jetojnë dhe punojnë jashtë që të sigurojnë të ardhura dhe vijnë rrallë këtu, kjo sjell çekuilibrim të marrëdhënies bashkëshortore. Arsye të tjera janë: dhuna, kumari. Më pas, ne si psikologë kur hyjmë në thellësi të marrëdhënies kuptojmë se ka edhe shumë të tjera. Asnjëherë s’mund të flitet vetëm për një shkak.
P.sh. Shkak është emigracioni, por çfarë e shtyn një mashkull që të punojë jashtë? Mungesa e punës këtu. Ose rasti i një bashkëshorti që shpenzon të ardhurat familjare në kumar, vjen një moment që gruaja nuk mundet të vazhdojë dot më, me borxhlinjtë që i vijnë në shtëpi, të cilat shpeshherë kanë marrë kredi apo borxhe për të shlyer detyrimet e bashkëshortëve. Apo rastet e femrave, të cilat kanë pasur një pozicion të caktuar profesional, por pas disa vitesh martese, në kushtet e të mos qenët e plotësuar, kuptojnë se kanë jetuar totalisht në funksion të një mashkulli, derisa vendosin t’i japin fund martesës.
Dhuna është një arsye e fortë e ndarjes bashkëshortore, ka arritur në nivele alarmante dhe kur flas për Tiranën, imagjinoni se çfarë bëhet në zona rurale. Faktor tjetër vijon të jetë modeli i familjes patriarkale, jetesa në një shtëpi me shumë familjarë, të cilët kanë ndikim të jashtëzakonshëm në jetën e familjes bërthamë.
Sa raste shkurorëzimi hasni përditë në Gjykatë?
Po të përllogarisim një mesatare, bazuar në gjyqet e përditshme, mund të zhvillohet deri në 15 në ditë. Nuk është një shifër e prerë, por mund të themi se janë në tendencë rritëse.
A është divorci një proces i kushtueshëm?
Është një proces që ka koston e tij. Pagesa në gjykatë, në momentin që depozitohet kërkesëpadia për zgjidhje martese, është 3000 lekë. Më pas, është zgjedhja e marrjes së një avokati për çështjen. Në vitin 2014 ka hyrë në fuqi ligji i cili në rastin e pranisë së një fëmije të mitur, përcakton marrjen e një eksperti psikolog në mënyrë të detyruar, i cili paguhet nga palët, jo Gjykata. Të gjitha këto përkthehen në kosto.
Çfarë pasojash ekonomike kanë pas këtij procesi individët që kërkojnë divorcin?
Pasojat janë afatgjata dhe kryesisht prekin femrat, sidomos kur në mes është një fëmijë, kujdestaria e të cilit, në pjesën më të madhe të rasteve i jepet pikërisht asaj. Shumë gra, pas zgjidhjes së martesës, e shohin veten në mes të katër rrugëve. Në rastin konkret, bashkëshorti i saj mund të jetë biznesmen, apo edhe shumë i njohur, por kur vjen situata e zgjidhjes së martesës, ajo kupton që në atë shtëpi që ka jetuar ndër vite, ajo nuk ekziston. Çdo pronë e tij është e regjistruar në emër të familjarëve apo shokëve, gjë që e privon atë nga e drejta e ndarjes së pasurisë bashkëshortore. Në rastin e familjeve më të varfra, femrat detyrohen të kthehen në shtëpitë e prindërve, gjë që shton barrën edhe për to.
Sakaq, ka femra të cilat të paarsimuara nuk arrijnë që të gjejnë një punë, duke kërkuar që të përfitojnë nga ndihma sociale e shtetit, e cila, mesa kam vënë re gjatë përvojës sime, nuk i është dhënë. Ka shtresa të tjera në shoqëri që e përfitojnë. As banesa sociale, që duhet t’i ofrohet kësaj kategorie femrash që jetojnë të vetme me fëmijët e tyre, nuk u është dhënë.
Një kosto tjetër e diskutueshme është pagesa e pensionit ushqimor. Pas marrjes së kujdestarisë së fëmijëve, vendoset shuma e pensionit ushqimor. Femrat në shumë raste hasin vështirësi për t’i provuar Gjykatës të ardhurat e ish-bashkëshortëve duke qenë se deri vonë, në Shqipëri, pjesa më e madhe punojnë në kushte informaliteti. Babai i fëmijës në këtë rast mund të ketë shumë të ardhura mujore, por në mungesë faktimi, i caktohet fëmijës pagesa minimale që është 5000 lekë. Imagjino se çfarë mund të bëjë një nënë me tre fëmijë, me 15000 lekë, pa banesë dhe me fatura të shumta. Nga puna jonë, vihet re se janë të paktë baballarët që janë të gatshëm që të subvencionohet për fëmijët e tyre, që shpesh nuk arrijnë që të kuptojnë se pensioni është për fëmijën.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.