Tregu i pensioneve private vullnetare në Shqipëri vazhdon të jetë ende i vogël. Sipas të dhënave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare gjatë periudhës janar – shtator 2016, ky treg u llogarit në rreth 8.7 mln euro (rreth 1.19 miliardë lekë) ose rreth 29% më shumë se fundi i vitit të kaluar.
Numri i anëtarëve në këto fonde në fund të muajit shtator u llogarit në 15,957 ose rreth 27.06% më shumë krahasuar me fundin e vitit 2015. Femrat që janë përfshirë në këto skema janë rritur me rreth 30%, ndërsa e meshkujve me rreth 24% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Me rritje është edhe numri i planeve të pensioneve me rreth 9.2%.
Sigal është kompania më e madhe në tregun e pensioneve private, duke zënë gati 50% të tij. I dyti është Raiffeisen, me rreth 33%, i ndjekur nga Sicred me 17%.
Sipas AMF-së edhe gjatë nëntëmujorit të vitit 2016, në tregun e pensioneve private vullnetare ushtruan aktivitetin e tyre tre fonde pensioni.
Më herët, gjatë një seminari të organizuar nga AMF, ekspertët “Cadogan Financial” që asistojnë në realizimin e këtij projekti, znj. Sally Buxton dhe z. Mark St. Giles u shprehën se ky treg është ende i vogël në Shqipëri dhe se i shërben kryesisht shoqërive tregtare për pensionet e punonjësve të tyre. Por, kjo vjen si pasojë e mungesës së një tregu për kapitalin neto.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.