Banka Qendrore Europiane (ECB) vendosi të enjten të lërë të pandryshuar normat bazë të interesit.
Norma e interesit të depozitave ditore qëndroi në 4%, ndërsa norma e interesit të instrumenteve kryesore të financimit qëndroi në 4.5%.
Vendimi për të mbajtur të pandryshuar normat e interesit pritej gjerësisht nga analistët dhe tregjet, por vëmendja e tyre ishte kryesisht te sinjalet që ECB-ja do të jepte për të ardhmen e afërt, duke nënkuptuar pritshmëritë për ulje të normave të interesit.
Duke pasur parasysh theksin e fortë të ECB-së në vendimmarrjen e mbështetur tek të dhënat, përditësimi i parashikimeve makroekonomike duket se forcoi sinjalet në kahun e një uljeje të normave të interesit në mbledhjet e ardhshme.
ECB uli parashikimet e saj për rritjen ekonomike dhe inflacionin. Rritja e PBB-së në vitin 2024 pritet në 0.6% (nga 0.8% që ishte më parë).
Projeksioni i inflacionit për vitin 2024 është rishikuar në rënie, në 2.3% nga 2.7% që ishte parashikimi i mëparshëm. Për vitin 2025, inflacioni u rishikua gjithashtu në kahun rënës, në 2$.
Grupi i ri i parashikimeve konfirmon vlerësimin e mëparshëm të ECB-së se objektivi i inflacionit do të arrihet në vitin 2025.
Përveç komentit të projeksioneve të reja, deklarata e politikës monetare të ECB-së nuk ka ndryshuar në asnjë mënyrë domethënëse. Orientimi kryesor se “normat e interesit të ECB-së janë në nivele që, të mbajtura për një kohëzgjatje të mjaftueshme, do të japin kontribut të konsiderueshëm për arritjen e objektivit të inflacionit” është përsëritur edhe në deklaratën e fundit.
Por, të dhënat nga takimi i radhës i Bordit të ECB-së u pritën me optimizëm të ndjeshëm nga tregjet. Yield-et instrumenteve të borxhit ranë si për maturimet afatshkurtra, ashtu edhe për ato afatgjata. Në përputhje me rënien e yield-eve, euro humbi terren kundrejt valutave të tjera kryesore globale. Ky reagim nënkupton pritshmëri më të forta për ulje të normave të interesit në muajt e ardhshëm.
Raiffeisen Research, njësia e kërkimeve e grupit austriak Raiffeisen, në analizën e mbledhjes së fundit të Bordit të ECB-së konfirmoi parashikimin e saj se një ulje e parë e normave të interesit në Eurozonë mund të ndodhë qysh në muajin qershor.
Vendimmarrja e ECB-së dhe reagimi i tregjeve financiare europiane ndaj kësaj vendimmarrjeje ka një rëndësi të konsiderueshme edhe në tregun financiar shqiptar, duke mbajtur parasysh nivelin e lartë të Euroizimit. Një ulje e normave të interesit këtë vit do të ulte koston e kredive në Euro për huamarrësit shqiptarë. Mbështetur në kuotimin e ditës së mërkurë, Euribori 12-mujor ishte pranë nivelit 3.75%.
Ky është edhe treguesi kryesor benchmark që përdorin bankat në Shqipëri për kreditë me norma të ndryshueshme interesi. Pritshmëritë më të forta të tregjeve për ulje të normave të interesit në mesin e këtij viti mund të përkthehen në një ulje graduale të Euriborit në vazhdim. Kjo do të përcillej në norma më të ulëta interesi edhe për kreditë.