Teksa së fundi u shënuan dy vjet nga fillimi i pandemisë, e cila e bëri të nevojshme për shumë prej nesh që të punonim nga distanca, pak gjëra kanë ndryshuar.
Disa kompani kanë filluar t’i kthehen punës në zyrë në një formë hibride dhe afërsisht tre të katërtat e kompanive thonë se puna hibride do të jetë e ardhmja.
Ndërsa në vitin 2019 dhe para tij, të gjitha punët supozohej të kryheshin kryesisht në një zyrë, tani ekziston mundësia për të zgjedhur. Punonjësit kanë vizione të ndryshme për atë që funksionon më mirë për ta.
Një punonjës mund të ketë dëshirë për të bërë më shumë punë në zyrë, ndërsa një tjetër nuk dëshiron të shkelë më kurrë në zyrë, duke shmangur kështu udhëtimet për në punë dhe duke rritur kohën që shpenzon me familjen e tij.
Këto dallime në qëndrime rrezikojnë të krijojnë një konflikt. Për të shmangur mundësinë e këtij konflikti, mund të duhet një kornizë, e cila do t’i udhëzonte punonjësit që të përcaktojnë së bashku se në cilat raste duhet të punojnë nga zyra.
Ja pesë arsye për të përcaktuar se në cilat raste puna kryhet më mirë së bashku në zyrë:
- Komunikimi me kolegët
- Kreativiteti
- Bashkëpunimi
- Plani i karrierës
- Festimi i arritjeve
Rëndësia e komunikimit merrej shumë thjesht si diҫka e mirëqenë në jetët tona, derisa na u hoq mundësia për të qenë të lidhur me njëri-tjetrin. Tani, ne kemi përsëri mundësinë për t’u bashkuar herë pas here dhe, për këtë arsye, të qen[t i qëllimshëm për krijimin e komunikimit është diҫka akoma më e rëndësishme.
Për shembull, kur një punonjës i ri sapo ka filluar punë në kompaninë tuaj, është e rëndësishme që të bashkoheni me grupin e kolegëve. Kjo ndërlidhje është shumë e rëndësishme për t’i ndihmuar punonjësit e rinj që të ndihen të mirëpritur dhe që të kuptojnë se janë pjesë e diçkaje më të madhe sesa thjesht ata vetë.
Një ekip mund të zgjedhë që të ndërlidhet kur anëtarët e tij që punojnë nga qytete të ndryshme, rastis të jenë në të njëjtin qytet. Kjo ofron një mundësi për të krijuar marrëdhënie mes anëtarëve të ekipit, për të shijuar një vakt së bashku dhe për të shkëmbyer përvoja.
Duke pasur parasysh theksin që u vu te puna virtuale gjatë dy viteve të fundit, ka pasur shumë thirrje për të vlerësuar se ku realizohet më mirë bashkëpunimi krijues. Shumica e studimeve tregojnë se kur ekipet duhet të krijojnë diҫka, ato e bëjnë më mirë këtë kur takohen fizikisht me njëri-tjetrin.
Megjithëse ka shumë platforma online që do të vinin në ndihmë për këto raste, stuhia e mendimeve në të njëjtën dhomë së bashku vazhdon të ofrojë mundësitë më të mëdha për të arritur tek idetë më të mira për kompaninë. Kreativiteti i vërtetë shpesh përfshin zhvillimin e diçkaje të re. Ky mund të jetë një produkt i ri inovativ, për shembull. Përsëri, bashkimi i një ekipi ndërfunksional në të njëjtën dhomë ku secili mund të dëgjojë lehtësisht të tjerët dhe të shprehë mendimin e tij, është rruga më e shpejtë drejt suksesit.
Zyra shpesh është më e përshtatshme edhe për bashkëpunimin mes kolegëve, përtej kreativitetit. Procesi i bashkëpunimit mund të mendohet si një rrugë lineare. Teksa identifikohet një projekt apo një nismë e re, fillimi i këtij projekti mund të bëhet më së miri kur ekipi takohet fizikisht. Ky bashkëpunim mund të ndihmojë në realizimin e një plani, në përcaktimin se kush do të jetë përgjegjës për çfarë dhe cilat nëngrupe mund të bashkëpunojnë për cilat detaje.
Ka të ngjarë të ketë një periudhë ku individët do të duhet të punojnë të pavarur, përpara se të jetë i nevojshëm bashkëpunimi i radhës. Kështu, gjatë kohëzgjatjes së një projekti, do të jetë e përshtatshme për të punuar në mënyrë të pavarur për një periudhë kohe dhe më pas për të bashkëpunuar duke u takuar fizikisht.
Në një kohë kur kaq shumë njerëz po largohen nga puna si pjesë e së ashtuquajturës “Dorëheqja e Madhe”, është edhe më e rëndësishme që të investosh te njerëzit. Trajnimet, këshillimi dhe planifikimi më i mirë i karrierës janë investimet kryesore që duhen bërë. Një takim personal shpesh është mënyra më e mirë për të kuptuar reagimet e dikujt ndaj udhëzimeve që i jepen, lavdërimeve apo kritikave konstruktive.
Këto janë biseda ku besimi mund të fitohet ose të humbet dhe është më mirë që këto biseda të bëhen në masën më të madhe me praninë fizike të personave, nëse është e mundur. Në mënyrë ironike, janë shpesh anëtarët më të rinj të ekipeve ata që e vlerësojnë më pak rëndësinë e planifikimit personal të karrierës, por janë pikërisht ata që përfitojnë më shumë nga një planifikim i tillë. Atyre duhet t’u vërtetohet se këto biseda janë të vlefshme, nëpërmjet rezultateve që mund të nxjerrin nga disa takime të qarta për planifikimin e karrierës së tyre.
I fundit ndër këta faktorë është nevoja për të festuar së bashku. Kryesisht gjatë periudhës së punës virtuale, ku takimet prireshin t’u përmbaheshin axhendave dhe planifikoheshin në hapësira me nga 30 ose 60 minuta, dhe më pas secili anëtar i ekipit shpërndahej në serinë e radhës të takimeve me njerëz të tjerë, shumë njerëz harruan nevojën për të festuar arritjet e tyre gjatë punës.
Kur përfundon një projekt, kur shpallen promovimet, kur bëhen publike fitimet e kompanisë, mes shumë e shumë arsyeve të tjera për të festuar, nëse shfrytëzohet rasti për ta bërë këtë, atëherë krijohen lidhja më të forta mes ekipit, ndërkohë që theksohen gjithashtu edhe arritjet e tij. / Forbes