Ashtu sikurse ishte paralajmëruar më herët ndërhyrjet në rrugën Vau i Dejës-Koman në veri të vendit pritet të zënë vend shumë shpejt.
Në një procedurë të çelur këtë javë Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) bëri me dije se janë në dispozicion rreth 20 milionë euro si fond limit për zbatimin e projektit.
Ndërmarrja publike e gjenerimit të energjisë synon që ta zhvillojë këtë projekt si pjesë të integruar me planet për zhvillimin e turizmit në këtë zonë.
Referuar raportit teknik të projektit objekti i kontratës përfshin segmentin rrugor nga degëzimi në drejtim të Komanit i rrugës Shkodër-Pukë-Fushë Arrëz-Kukës dhe ndjek gjurmën ekzistuese, pothuajse në krah të liqenit të Vaut të Dejës (lumit Drin) derisa arrin në hyrje të Hidrocentralit të Komanit. Segmenti në fjalë është ndërtuar në vitet 1978-1979, duke shërbyer si rrugë për ndërtimin e Hidrocentralit të Komanit.
Ky segment ka një gjatësi të përgjithshme rreth 31km dhe gjerësi të pjesës kaluese rreth 5-6m dhe bankina në dy anët e saj me gjerësi 0.5-0.75m. Rruga kalon në terren përgjithësisht kodrinor dhe pjesërisht malor. Karakterizohet nga kthesa të shumta, me rreze të vogla.
Projekti në vetvete nuk paraqet element të rinj dhe pritet që të ndjekë gjurmën e rrugës ekzistuese me përjashtim të faktit që do të ketë zgjerim në disa pjesë të saj duke shkuar deri në 10 metra.
“Ndërhyrjet që bëhen janë tërësisht në kuadër të rikonstruksionit të rrugës ekzistuese. Në anën gjeometrike bëhen përmirësime tepër të vogla në lidhje me gjerësinë e rrugës, zgjerimet në kthesa, përmirësime të vogla niveletës. Rruga do të ketë gjerësi 6m pjesë të asfaltuar. Në kthesa për shkak edhe të rrezeve të vogla të tyre, rruga pëson zgjerime të konsiderueshme. Zgjerimi sipas normativës në disa raste mbërrin deri në 10m” thuhet në dokument.
Ndërhyrjet në këtë zonë duket se vijnë në kushtet kur ka të tjera plane zhvillimi kryesisht të orientuara tek turizmi. KESH njoftoi pak kohë më parë se ishte në kërkim të një kompanie që do të bënte projektimin e shërbimit të transportit ujor Vau i Dejës-Koman si dhe krijimin e Muzeut Historik për Zhvillimin Turistik të zonës pranë HEC- Koman.
Fokusi i KESH dhe qeverisë në investime të kësaj natyre vjen në këtë vit kur një pjesë e mirë e Veriut kryesisht nën-Shkodra janë nën ujë. Përmbytja e përsëritur e këtij rajoni që vazhdimisht i faturohet kushteve natyrore nga zëri i politikës, nuk ka marrë asnjëherë zgjidhje duke vënë banorët e këtyre zonave para mbijetesës. Menaxhimi i kaskadës së Drinit që bëhet në bazë të një rregulloreje të hartuar dekada më parë. Gjatë muajve të fundit KESH njoftoi për shkarkime për disa ditë radhazi nga portat e HEC-ve për shkak të prurjeve masive në liqenet e hidrocentraleve. Këto shkarkime ju shtuan reshjeve të shumta që sollën probleme në disa zona si në Anën e Malit, Dajç Berdicë, Rrethina, Guri i Zi e Velipojë. Ndoshta do të kishte qenë më e logjikshme që kjo ndërhyrje të kishte patur për fokus zonën që periodikisht pëson këto përmbytje, por të paktën ndoshta kjo do të mbahet parasysh për një tjetër ndërhyrje nga KESH për mbështetjen e turizmit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.