Për problemet me energjinë, që kanë përfshirë Europën dhe që tashmë po vërehen edhe në Kosovë, ka reaguar edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi. Ai ka treguar se deri në pranverën e vonshme të vitit 2022 nuk pritet stabilizim i çmimeve. Ndërsa, theksoi se nuk pritet kthimi në çmimet e vitit 2019.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka propozuar që të vendoset një tarifë e veçantë të energjisë elektrike për prodhuesit.
Rukiqi tha se deri në pranverën e vonshme të vitit 2022 nuk pritet stabilizim i çmimeve, dhe se nuk pritet kthimi në çmimet e vitit 2019.
“Ndikimet po vërehen në bazë të dinamikës së energjisë elektrike. Kjo ndodh në bazë të çrregullimit të tregut, duke ndikuar edhe në qarkullimin e prodhimit të kompanive të caktuara kudo në Europë. Që nga korriku kemi një rritje të çmimeve të thëngjillit dhe gazit, nëse e krahasojmë me vitin 2019 është për gjashtë herë më shumë. Nuk pritet të stabilizohen deri tek pranvera e vitit 2022, dhe nuk do jenë me çmimin e njëjtë siç kanë qenë më parë, por shumë herë më të larta”, theksoi tutje ai.
Ai shtoi se për Kosovën, kjo do të japë ndikimin e vet shumë të madh sidomos mbi fushën e energjisë, rastin e Feronikelit, por edhe raste të çështjes së ujit dhe të ngrohjes.
“Mbi 60% e bizneseve e kanë përmendur ndikimin negativ të kostos së energjisë elektrike në kostot totale. Kemi rastin e Feronikelit, pastaj çështjen e energjisë dhe çështjen e ujit dhe të ngrohjes”.
Ai propozon disa rekomandime për vendin që do të mund të ndikonin në gjithë këtë situatë në të ardhmen.
“Një element tjetër që ne propozojmë është tarifa industriale e veçantë për prodhuesit, gjithmonë një kosto e përballueshme për ta. Do të insistojmë që ta zgjidhim në një kohë të caktuar, dhe ku bizneset e paguajnë pjesën më të madhe të energjisë. Ne dështuam me projektin e Termocentralit, dhe të shohim se si do shkoj më tej kjo”.
Rukiqi ka thënë Europa po ballafaqohet me probleme të furnizimit me energji elektrike.
Sipas tij, kjo po ndodh për shkak të tranzicionit energjetik pasi nuk janë zhvilluar mekanizmat e mjaftueshëm për të përballuar lëkundjet e shkaktuara nga tranzicioni energjetik.
“Stabiliteti energjetik pritet të bëhet në pranverën e vonshme. Por nuk pritet kthim në çmimet e 2019”, ka thënë Rukiqi. Sipas Rukiqit, kostoja e energjisë elektrike është një ndër tri barrierat në vend.
“60 për qind e bizneseve e kanë përmendur ndikimin negativ të kostove të energjisë elektrike në total”, ka theksuar ai, duke iu referuar një analize që ka bërë OEK më parë.
Rukiqi ka thënë se Qeveria duhet të përdorë instrumente fiskale dhe financiare që të amortizohet rritja e pashmangshme e çmimeve. Në fokus të përkrahjes sipas Rukiqit duhet te jenë kategoritë sociale, bizneset mikro dhe të vogla dhe bizneset prodhuese.
“Për bizneset prodhuese duhet të analizohet mundësia e zbatimit të tarifës industriale që mundëson ruajtjen e aftësisë konkurruese të këtyre bizneseve në tregun vendor dhe në tregjet ndërkombëtare”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.