Ligji i ri “Për sipërmarrjet e investimeve kolektive” parashikon ndër të tjera mundësinë e marketimit dhe shitjes për herë të parë në Shqipëri të fondeve të investimit të licencuara në një vend anëtar të BE-së.
Në mënyrë që shoqëria e huaj administruese ose dega e shoqërisë së huaj administruese si dhe sipërmarrja e huaj e investimeve kolektive, të kryejnë veprimtari në vendin tonë, duhet të njihen nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, sipas një njoftimi zyrtar.
Për të realizuar këtë, në zbatim të kërkesave ligjore, Autoriteti ka hartuar projektrregulloren që përcakton procedurën, rregullat dhe dokumentacionin për njohjen e sipërmarrjes së investimeve kolektive me ofertë publike, të shoqërisë administruese apo degës së shoqërisë administruese të sipërmarrjeve të investimeve kolektive, të licencuara në një vend anëtar të BE-së. Kjo projektrregullore po i nënshtrohet procesit të konsultimit publik.
Në projektrregullore përcaktohen kriteret për procedurën e njohjes, si edhe detyrimi për transparencë ndaj investitorit, ku shoqëria administruese ose sipërmarrja e investimeve kolektive me ofertë publike që do të marketojë dhe shesë fondet në Republikën e Shqipërisë do t’u vërë personave të interesuar në dispozicion prospektin në gjuhën shqipe, si edhe dokumentin me informacionin kryesor për investitorin.
Gjithashtu, dokumenti i hartuar nga Autoriteti detajon mënyrën sesi mund të realizohet marketimi dhe shitja e kuotave të fondeve të investimit nga shoqëria administruese e njohur ose dega e saj, duke parashikuar licencimin e një banke si agjent shitjeje, sipas përcaktimeve të ligjit “Për sipërmarrjet e investimeve kolektive” dhe në përputhje me rregulloren për licencimin e agjentit të shitjes.
Projektrregullorja, sipas njoftimit mundëson për herë të parë marketimin dhe shpërndarjen e drejtpërdrejtë në Republikën e Shqipërisë të sipërmarrjeve të investimeve kolektive të licencuara në një vend anëtar të BE-së, duke krijuar kështu për investitorët në vendin tonë më shumë alternativa, si dhe akses për të investuar direkt në sipërmarrje të investimeve kolektive të licencuara në Bashkimin Europian.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.