Është njësoj sikur të jemi kthyer në të kaluarën, me ndryshimin e vetëm se këtë herë, teknologjia ka përparuar shumë.
Teksa mijëra serbë protestojnë kundër Presidentit Aleksandar Vuçiç, është e lehtë të kujtojmë ditët e zymta të viteve 1990 kur njerëzit protestuan kundër Sllobodan Millosheviçit. Kur ai u largua në vitin 2000, sloganet e tyre ishin: “Mori fund”!, ndërsa sloganet e parullave të ditëve të sotme janë: “Sapo ka filluar”!
Numri i protestuesve që kanë marshuar në javët e fundit duket se po zvogëlohet, por vetëm disa ditë përpara se në Serbi të vinte Presidenti rus, Vladimir Putin, më 17 janar, ata dukeshin të pamposhtur në kauzën e tyre.
Protestat nisën pasi Borko Stefanoviç, lideri i një partie të vogël të krahut të majtë, u godit dhe u largua menjëherë pasi ai mbërriti për një takim në qytetin e Krushevcit në fund të nëntorit të vitit të kaluar. Sipas tij, agresorët ishin kriminelë të grupeve bandite që kishin lidhje me një biznesmen vendas, përkrahës i partisë qeverisëse të z. Vuçiç.
Serbia është një prej shteteve kandidate që po pret të bëhet pjesë e BE-së, udhëheqësit e së cilës, thotë z. Stefanoviç, nuk duan t’i acarojnë marrëdhëniet me z. Vuçiç, sepse duan që Ballkani të mbetet i qëndrueshëm dhe që ai të arrijë të nënshkruajë një marrëveshje me Kosovën, e cila shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008. Kritikët e Vuçiç shprehen se ai është një person autoritar dhe që kontrollon mediat vendase, veçanërisht në televizionet kryesore dhe në gazetat më të lexuara, kanale që janë një prej mjeteve më të rëndësishme të informacionit për serbët e moshuar.
Serbët e klasës së mesme kanë mbushur rrugët e Beogradit, i cili është zemra e protestave që janë përhapur edhe në qytete të tjera të vogla.
Srdjan Bogosavljeviç shprehet se, bazuar në një sondazh të kryer nga Ipsos, të dhënat mujore tregojnë se 44% e serbëve mendojnë se vendi po shkon në drejtimin e duhur, ndërsa 33% mendojnë të kundërtën.
Nëse z. Vuçiç vendos që të zhvillojë zgjedhjet, sipas sondazheve paraprake, rreth 65-67% e serbëve pritet të votojnë për të ose për një parti aleate.
Ekonomia e Serbisë u rrit me 4.4% vitin e kaluar, papunësia ka rënë dhe investimet e huaja po rriten. Z. Bogosavljevic thotë se serbët janë më pak të varfër në krahasim me të kaluarën, sidomos jashtë Beogradit. Megjithatë, deri në 50,000 persona emigrojnë çdo vit. Sipas Kryeministres së vendit, Ana Brnabic, nuk është marrë asnjë vendim për zhvillimin e zgjedhjeve.
Ajo thotë se duhen bërë shumë përmirësime dhe është e interesuar ndaj kritikave konstruktive. Znj Brnabic theksoi se ankesat e protestuesve nuk janë të bazuara në fakte. Ajo dëshiron të vazhdojë reformat dhe investimet në arsim dhe dixhitalizim. Krerët e opozitës së Serbisë, të cilët kanë krijuar një aleancë, nuk u mbajnë fjalime protestuesve sepse janë kaq të ndryshëm saqë secili prej tyre mund të përballej me kundërshtinë dhe abuzimin e palëve të tjera.
Ata variojnë nga liberalët e deri te nacionalistët. Për shembull, armiqtë e Bosko Obradoviç, lideri i Dverit, e quajnë atë një fashist klerik. Ndërsa ai vetë thotë se është një “konservator modern”, ku vlerat familjare dhe demokracia janë të rëndësishme për të. Z. Obradoviç flet për rivendosjen e sundimit serb mbi Kosovën dhe për bashkimin në një shtet me serbët e Bosnjës. Sipas tij, z. Vuçiç, e ka tradhtuar shtetin e tij në momentin që ka folur për një shkëmbim të mundshëm të territorit me shqiptarët e Kosovës.
Z. Obradoviç ka qenë gjithmonë në krah të liderëve si z. Putin i Rusisë, Matteo Salvini i Italisë dhe Viktor Orban i Hungarisë, duke u shprehur se edhe Serbia duhet të mundohet të ecë në të njëjtin drejtim me ta. Ai dhe pjesa tjetër e opozitës do të bojkotojnë zgjedhjet, thotë ai më tej. Kjo do t’ia bëjë më të vështirë punën z. Vuçiç, sidomos në drejtim të anëtarësimit në BE, me një Parlament të mbushur me përkrahësit e tij, por pa përfaqësinë e pjesës më të madhe të opozitës do të ndikonte në prishjen e imazhit të Serbisë, si një vend që është larg demokracisë së shumëkërkuar të BE-së./Reuters